Në qytetin e Shijakut ka nisur zyrtarisht ndërtimi i pallateve të dedikuara për familjet e pastreha, një projekt që shënon një moment historik për komunitetin lokal dhe përmbushjen e një premtimi të dhënë nga Bashkia Shijak dhe kryetari i saj, Elton Arbana.
Sipas kryebashkiakut Arbana, ky është rasti i parë në historinë e Shijakut që ndërtohen pallate të reja për strehimin e familjeve që kanë pritur me vite të kenë një shtëpi të tyre. Projekti realizohet me mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe Kryeministrit Edi Rama, përmes Entit Kombëtar të Banesave.

“Mbajmë premtimin për familjet e pastreha të Shijakut. Është hera e parë që në Shijak ndërtohen pallate për këto familje që kanë pritur me padurim të kenë shtëpi,” – u shpreh Arbana, duke theksuar se ky projekt është dëshmi e vullnetit për të gjetur zgjidhje të prekshme për njerëzit në nevojë.
Në total, 75 familje do të përfitojnë nga ky program strehimi, i cili do të zhvillohet në dy lote investimi. Objekti i parë, që tashmë ka hyrë në fazën e ndërtimit, do të jetë një godinë banimi me 6 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë për parkim, me kapacitet për 25 familje.
Sipas të dhënave teknike, projekti parashikon:
- Sipërfaqe trualli: 3,320 m²
- Sipërfaqe ndërtimi: 2,442 m²
- 25 apartamente me tipologji 1+1 (64 m²) dhe 2+1 (81.4 m²)
- 1 kat parkimi me 11 vende
Ky investim synon të sigurojë kushte moderne dhe të qëndrueshme jetese për familjet që deri më tani kanë qenë pa strehë, duke e kthyer Shijakun në një shembull konkret të bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe qendror në shërbim të qytetarëve.
“Ku ka vullnet, ka zgjidhje!” – përfundon mesazhi i kryetarit të Bashkisë Shijak, Elton Arbana, duke i dhënë tonin optimist një nisme që pritet të ndryshojë jetën e dhjetëra familjeve në qytet.

