Në Shijak u zhvillua takimi ndërmjetës i projektit “Rezervuarët Artificialë si Habitate të Rëndësishme për Tetrapodët”, një nismë që synon evidentimin e biodiversitetit në ekosistemet ujore artificiale dhe përdorimin e të dhënave për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë Shijak, Elton Arbana, i cili theksoi rëndësinë e projekteve të tilla për mbrojtjen e mjedisit dhe për ruajtjen e specieve të rralla që gjenden në zonë.

“Liqeni i Keçve dallohet për larminë e faunës së egër, ku gjenden specie me rëndësi të veçantë ruajtjeje si lundërza, breshkujëza, çafka e verdhë, çafka e natës dhe veçanërisht bretkosa endemike shqiptare, një specie unike që gjendet vetëm në Shqipëri dhe në pak zona të Malit të Zi,” – u shpreh Arbana në fjalën e tij.

Sipas kryetarit, prania e këtyre specieve është një tregues i qartë i cilësisë së mjedisit dhe i potencialit që kanë këto habitate për ruajtjen e biodiversitetit. Ai falënderoi Qendrën “Norma” për realizimin e projektit dhe grupin e punës për profesionalizmin e treguar gjatë gjithë procesit.
“Bashkëpunime të tilla janë shembull i qartë se si shkenca, institucionet dhe komuniteti mund të kontribuojnë së bashku për një mjedis më të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm për të ardhmen,” – shtoi Arbana.
Projekti “Rezervuarët Artificialë si Habitate të Rëndësishme për Tetrapodët” është një iniciativë që vë në qendër ndërthurjen e kërkimit shkencor me angazhimin institucional dhe lokal, duke synuar ruajtjen e ekuilibrave natyrorë dhe mbrojtjen e jetës së egër në zonat e Shijakut.



