Premiera më 20 nëntor në kinema
Prej muajsh, publiku ka qenë në dilemë: a është “Kazerma” një film apo një reality show? Pyetja mori jetë kur Turjan Hysko, pas një periudhe heshtjeje pas përfundimit të “Klanifornia”-s, publikoi një seri postimesh enigmatike në rrjete sociale, ku shkruante: “Kazerma nuk ka mëshirë! Çdo ditë është një betejë për mbijetesë! Një çmim 200 mijë euro. Vetëm një fitues!”

Në pamje të parë, gjithçka ngjante si një format i ri televiziv, por hashtag-u #movie dhe prania e një kasti të plotë aktorësh i vuri vulën së vërtetës: “Kazerma” është një film dhe një nga projektet më të guximshme që kinemaja shqiptare ka parë vitet e fundit.

Me elemente që përzien realitetin me thrillerin, filmi e çon audiencën në një terren ku kufijtë mes “lojës” dhe jetës bëhen të paqartë. Trailer-i i publikuar pak javë më parë zbulon dhjetë personazhe të njohur të ekranit shqiptar, të veshur si ushtarë, të përfshirë në situata dramatike, përplasje, emocione dhe tension. Mes tyre spikasin Rudina Dembacaj, Fjoralba Ponari, Gentjan Zenelaj, Gert Ferra dhe të tjerë.
Një shumë simbolike prej 200 mijë eurosh qëndron në qendër të historisë, por më shumë sesa për paratë, filmi flet për vlerat, karakterin dhe moralin e njeriut nën presion. Përtej aparencës së një gare apo beteje për mbijetesë, “Kazerma” është një reflektim i thellë mbi mënyrën si jetojmë, komunikojmë dhe gjykojmë sot. Në një shoqëri ku fjala është bërë armë dhe imazhi dominon çdo gjë, filmi ngre pyetje të forta mbi moralin publik dhe përgjegjësinë individuale.
Në një intervistë ekskluzive për RevoKult, Turjan Hysko ndan për herë të parë detaje nga xhirimet, sfidat dhe emocionet që shoqëruan këtë film, duke zbuluar anën njerëzore dhe profesionale të një projekti që ka ngjallur shumë kuriozitet.
Sa ditë zgjatën xhirimet dhe cilat ishin vendet kryesore ku u realizua filmi?
Turjan Hysko: 29 ditë xhirimi tek Muzeu i Armeve, Tv Klan dhe lokacione të tjera të shpërndara në gjithë Tiranën.
Si e mbajtët të fshehtë këtë projekt deri në momentin që e ndatë ju me publikun?
Turjan Hysko: Duke mos folur me askënd 😊

A mund të thuhet se në “Kazermë” ju po vendosni njerëzit publikë përballë vetvetes, jashtë fasadës së imazhit që ata projektojnë në rrjete?
Turjan Hysko: E saktë…
Në një “kazerme” të tillë artistike, kush ishte më “ushtari i disiplinuar” dhe kush ishte më “rebeli” në set?
Turjan Hysko: Të gjithë kanë qenë perfekt! Realisht perfekt.
Në çdo film ka një ditë “kaosi” gjatë xhirimeve. Cila ishte ajo ditë për ju dhe çfarë ndodhi?
Turjan Hysko: Kur duhet të xhironim një natë me shi dhe ndodhte gjithçka e mundshme… Prishej zjarrfikësja, çahej tubi, sëmureshin njerëz etj. Nuk donte të realizohej si skenë. Dhe në fakt e realizuam të nesërmen.

Cila ishte skena më e komplikuar për t’u xhiruar, teknikisht apo emocionalisht?
Turjan Hysko: Emocionalisht ishte skena e parë e imja sepse nuk kisha qenë kurrë përpara një kamere filmi dhe të them të drejtën u panikosa… Emocion i papërshkrueshëm por Xhosli më siguroi që isha ok! 😊
A keni ndonjë kujtim të veçantë nga netët pas xhirimeve, ndonjë bisedë me ekipin, ndonjë moment reflektimi që ju mbeti në mendje?
Turjan Hysko: Mendoj që kam ndërtuar ekipin më të mirë të mundshëm falë Benart Laze i cili ishte producenti im ekzekutiv… Momente të bukura dhe të vështira ka pasur shumë por ja dolem!!

Nëse do të xhironit “Kazermën” sërish, çfarë do të bënit ndryshe në prapaskena?
Turjan Hysko: Asgjë!
Nëse do ta përmblidhnit me një fjali, çfarë do të donit që publiku të kuptojë pas filmit?
Turjan Hysko: Dua që publiku të reflektojë… Secili nga ne duhet të kuptojë që fjalët e thëna në anonimatin e internetit apo në studio televizive kanë rëndësi dhe mund të shkaktojnë dëm të pariparueshëm…

Një ngjarje që do të lërë gjurmë
Xhiruar për 29 ditë në Tiranë, në Muzeun e Armëve, Tv Klan dhe në disa lokacione të tjera, “Kazerma” është përgatitur me një përkushtim të rrallë.
Projekti ka zgjuar kureshtje që në fazat e para të promovimit, jo vetëm për shkak të konceptit të tij të pazakontë, por edhe për shkak të mënyrës sesi Turjan Hysko ka ditur të krijojë mister, tension dhe pritshmëri, pa zbuluar asgjë më shumë sesa duhet.
“Kazerma” është më shumë se një film, është një eksperiment artistik dhe social, një sfidë që i fton të gjithë të reflektojnë mbi mënyrën se si e perceptojmë realitetin.
Premiera e tij më 20 nëntor në kinema pritet të shënojë një moment të veçantë për kinemanë shqiptare dhe një rikthim të fuqishëm të Turjan Hyskos në qendër të vëmendjes.

