Si shkrimtar i letërsisë për fëmijë dhe si kritik i ri i kësaj fushe, e ndiej të domosdoshme ta rishikoj dhe thelloj këtë qëndrim publik, duke ia dhënë peshën që e meriton letërsia për fëmijë, si kontribut strategjik për të ardhmen. Fëmijët shqiptar janë lexuesit e së nesërmes, qytetarët e ardhshëm, bartësit e gjuhës, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar. Çdo politikë që i anashkalon ata sot, e varfëron shoqërinë nesër. Në Shqipëri, shkrimtarët e letërsisë për fëmijë janë të paktë në numër, sidomos krahasuar me zhanret e tjera. Kjo nuk është rastësi, por pasojë e një sistemi që prej vitesh nuk e trajton këtë zhanër me seriozitetin institucional që meriton. Pikërisht për këtë arsye, çdo akt publik i mosvlerësimit nuk është neutral. Ai demotivon, ç’inkurajon dhe largon autorët e rinj nga një fushë që kërkon përkushtim të madh, ndjeshmëri pedagogjike dhe përgjegjësi shoqërore.

Vendimi i këtij viti për të reduktuar nga gjashtë në tre Çmimet Kombëtare të Letërsisë, duke përjashtuar ndër të tjera edhe librin për fëmijë, përbën një injorim të hapur institucional. Ky vendim u mor pa asnjë argumentim publik, pa një shpjegim zyrtar dhe pa transparencë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, institucioni i cili ka për mision pikërisht mbrojtjen, zhvillimin dhe promovimin e librit dhe leximit. Institucioni që grumbulloi në fillim të vitit 2025 dhe shumë libra të këtij zhanri për vlerësim… por asnjë transparencë lidhur me nr e veprave të depozituara dhe nëse u morën në shqyrtim nga juria? Por, kjo nuk është hera e parë. Në vitin 2024, edhe Panairi i Librit nuk akordoi Çmim për Librin për Fëmijë. Dy ngjarje radhazi, në dy hapësira kyçe të politikës së librit, nuk mund të konsiderohen rastësi. Këto tregojnë një prirje shqetësuese të zhvendosjes së vëmendjes nga lexuesi i ardhshëm, në një kohë kur flasim vazhdimisht për krizën e leximit, si dhe për konkurrencën e fortë që teknologjia dhe inteligjenca artificiale i bëjnë vëmendjes njerëzore. Në ditët pas shpalljes së Çmimeve, kam lexuar shumë reagime publike, përfshirë edhe shkrime të indinjuara, akuza personale, debate estetike… dhe shumë pikëpyetje?? Se pse u reduktuan Çmimet? Pse u përjashtuan pikërisht këto kategori? Pse nuk pati një argumentim zyrtar mbi këtë vendim? Zgjedhja për të kaluar nga gjashtë në tre nuk është thjesht teknike, por … di të them se mesazhi që përcjellë është përjashtues. Për mua, si autor i letërsisë për fëmijë, ky vendim është demotivues, jo vetëm personalisht, por edhe profesionalisht . Ai të bën të ndihesh i padukshëm, i pavlerësuar, sikur kontributi yt nuk ka më peshë në hartën kulturore të vendit ku jetoj e marr frymë çdo ditë. Kur kjo ndjenjë prodhohet nga institucionet që duhet të të mbështesin, atëherë problemi nuk është individual, por institucional. Letërsia për fëmijë nuk është një zhanër dosido, por është shumë i rëndësishëm si investimi më afatgjatë në inteligjencën njerëzore. Në kohën kur algoritmet po prodhojnë përmbajtje, të cilat padyshim nuk mundet që ta zëvendësojnë ndjeshmërinë, etikën dhe imagjinatën e formuar qysh në fëmijëri. Të mos e vlerësosh këtë letërsi sot do të thotë të pranosh një të ardhme me më pak lexues, me më pak mendim kritik e sigurisht me më pak kulturë. Institucionet kulturore kanë detyrimin jo vetëm të shpallin fitues, por edhe të arsyetojnë zgjedhjet e tyre. Heshtja përballë këtij reduktimi dhe këtij përjashtimi është po aq problematike sa vetë vendimi. Letërsia për fëmijë kërkon drejtësi, respekt dhe vizion, të cilat përbëjnë dhe themelin e çdo politike serioze për librin dhe kulturën.
Flori Kasaj
11.01.2026/ Tiranë
Vo. Ky shkrim lindi si një revoltë e brendshme dhe e ndershme.Personalisht, nuk kam pasur asnjë pritshmëri për Çmim, pasi në vitin 2024 jam vlerësuar për librin “Andrushi” me Çmimin për letërsinë për Fëmijë, në Prishtinë, Kosovë.
