Alarm në orbitë: NASA kthen astronautët më herët pas një rasti mjekësor të paprecedentë në hapësirë

Alarm në orbitë: NASA kthen astronautët më herët pas një rasti mjekësor të paprecedentë në hapësirë

Një astronaut me probleme shëndetësore u kthye në Tokë së bashku me tre kolegë të tjerë të enjten, duke i dhënë fund misionit në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës më shumë se një muaj përpara afatit. Ky ishte evakuimi i parë mjekësor i këtij lloji në historinë e NASA-s.

Kapsula e SpaceX realizoi një ulje në Paqësor, pranë San Diegos, në orët e para të mëngjesit, më pak se 11 orë pasi astronautët u larguan nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës. Destinacioni i parë pas uljes ishte një spital, ku ekuipazhi kaloi natën për kontrolle standarde mjekësore.

“E morëm këtë vendim për kthim të parakohshëm sepse bëhej fjalë për një gjendje serioze shëndetësore,” deklaroi administratori i ri i NASA-s, Jared Isaacman, pas uljes. “Astronauti në fjalë është aktualisht mirë, në humor të mirë dhe po i nënshtrohet të gjitha kontrolleve të nevojshme.”

Misioni, që kishte nisur në gusht, u mbyll papritur, duke lënë në orbitë vetëm një astronaut amerikan dhe dy rusë. NASA dhe SpaceX njoftuan se po shqyrtojnë përshpejtimin e nisjes së ekuipazhit të radhës me katër astronautë; momentalisht, ngritja është planifikuar për mesin e shkurtit.

Në kthim ishin astronautët amerikanë Zena Cardman dhe Mike Fincke, së bashku me japonezin Kimiya Yui dhe rusin Oleg Platonov. Autoritetet kanë refuzuar të zbulojnë identitetin e astronautit që pati problemin shëndetësor apo detaje mbi natyrën e tij, duke përmendur privatësinë mjekësore.

Edhe pse gjendja ishte e stabilizuar në orbitë, NASA vendosi që astronauti të kthehej sa më shpejt në Tokë për trajtim dhe diagnostikim të plotë. Sipas zyrtarëve, procedurat e hyrjes dhe uljes nuk kërkuan masa të veçanta, ndërsa anija e rikuperimit kishte ekipin standard të mjekëve në bord.

Astronautët dolën nga kapsula një nga një brenda një ore nga ulja, u ndihmuan të shtriheshin në barela të posaçme dhe u dërguan për kontrolle, duke përshëndetur kamerat. Operacioni u ndoq nga Qendra e Kontrollit të Misioneve në Hjuston, ku ndodheshin edhe familjarët e ekuipazhit.

NASA kishte vendosur disa ditë më parë që ekuipazhi të dërgohej direkt në një spital pranë San Diegos, madje ishin kryer edhe prova me helikopterë nga anija e rikuperimit. Astronauti që pati problemin do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të thelluara përpara se të udhëtojë me pjesën tjetër të ekuipazhit drejt Hjustonit, nëse gjendja e të gjithëve e lejon. Kthimi i Platonovit në Moskë mbetet ende i paqartë.

Agjencia theksoi vazhdimisht se nuk bëhej fjalë për një emergjencë të menjëhershme. Astronauti u sëmur ose u lëndua më 7 janar, çka çoi fillimisht në anulimin e një ecjeje hapësinore të planifikuar dhe më pas në vendimin për kthimin e parakohshëm. Ishte hera e parë që NASA ndërpreu një mision për arsye mjekësore; raste të tilla ishin regjistruar dekada më parë nga Rusia.

Ndërkohë, Stacioni Hapësinor ka funksionuar edhe me tre, madje ndonjëherë edhe me dy astronautë. NASA njoftoi se deri në mbërritjen e ekuipazhit të ardhshëm nuk do të jetë e mundur kryerja e ecjeve hapësinore, as në raste emergjente. Ekipi i ri do të përbëhet nga dy amerikanë, një francez dhe një rus.

Në të njëjtën kohë, NASA po ecën paralelisht me përgatitjet për misionin e saj të parë me astronautë drejt Hënës pas më shumë se gjysmë shekulli. Raketa hënore pritet të zhvendoset këtë fundjavë në platformën e nisjes në Kennedy Space Center, ku do të kryhet një test furnizimi në fillim të muajit të ardhshëm. Data e nisjes nuk është konfirmuar ende; skenari më i hershëm parashikon 6 shkurtin.

“Nëse vjen momenti që duhet të koordinojmë dy misione njerëzore në hapësirë, kjo është një ‘problem i mirë’ për NASA-n,” përfundoi Isaacman.