
Neptun hap vitin 2026 me Kampionatin e parë të EA FC 26 në QTU
Më 17 dhe 18 janar, Neptun organizoi me sukses kampionatin e parë për vitin 2026 me lojën EA FC 26, duke sjellë një nga eventet më të mëdha të fillimvitit për komunitetin e gaming dhe e-sport në Shqipëri.
Eventi u zhvillua në sheshin kryesor të QTU, ku u mblodhën mbi 170 lojtarë nga e gjithë Shqipëria, të cilët konkurruan mes tyre për price pool-in e kampionatit dhe titullin kampion, në një atmosferë elektrizuese që tërhoqi edhe qindra spektatorë.
Struktura e çmimeve e bëri konkurrencën edhe më intensive:
🥇 Vendi i parë fitoi një PlayStation 5
🥈 Vendi i dytë fitoi një karrige gaming nga White Shark
🥉 Vendi i tretë fitoi një set tastierë dhe mouse gaming nga White Shark

Pas dy ditësh ndeshjesh të forta dhe emocionesh, Klaus Dunda arriti të shpallej kampioni i këtij turneu, duke çuar në shtëpi çmimin kryesor, PlayStation 5. Ai u pasua nga Dejvi Epa, i cili u rendit në vendin e dytë, dhe Ardit Sina, i cili siguroi vendin e tretë.
Kampionati u prezantua nga dy prej figurave më të njohura të skenës shqiptare të e-sport-it, Endi “TheGrandAdapt” Tomini dhe Marjus “xMarjus” Leka, të cilët jo vetëm mirëpritën çdo lojtar me profesionalizëm dhe respekt, por edhe krijuan një ambient dinamik dhe argëtues për publikun. Energjia e tyre dhe ndërveprimi me turmën e kthyen sheshin kryesor të QTU në një arenë të vërtetë e-sport-i.

Ky event shënon një tjetër hap të rëndësishëm të Neptun në mbështetjen e komunitetit të gaming-ut në Shqipëri, duke treguar qartë angazhimin për të sjellë aktivitete moderne, konkurruese dhe argëtuese për të rinjtë dhe pasionantët e videolojërave.

