Nga Teuta Dhima – Bibliografe & poete
“Shtegu i dritave magjike”, nga Aldo Mustafa, më shoqëroi pasditen e sotme dhe recensa e tij nga Alma Dema Tërshalla më ravijëzoi bukur emocionet e përftuara nga leximi.
Unë nuk kam më fëmijë të vegjël për t’u lexuar libra, pasi tani ata i zgjedhin dhe i lexojnë vetë, por e këshilloj këtë libër për t’u lexuar nga fëmijët.
U përhumba mes faqeve pa e kuptuar, duke buzëqeshur herë pas here, mes shtigjeve të fantazisë nëpër të cilat të fut autori i këtij libri.

Duken shtigje të njohura, veshur me kuriozitet fëminor, shtigje nëpër të cilat ka kaluar çdo fëmijë dhe që të ftojnë t’u qepesh sërish, pavarësisht moshës që ke.
E pra, ky libër për fëmijë mund të jetë fare mirë një pikë takimi i prindërve që iu lexojnë historinë dhe fëmijëve që e dëgjojnë me kureshtje. Prindërit dhe fëmijët bashkohen në këtë shteg dritash, nën atë shtëpizë të ndërtuar me çarçafë të bardhë që kushedi sa e sa herë ka qenë pjesë e dekorit të shtëpive ku rriten fëmijë.
Ato shtëpiza ku mes jastëkëve të rremujshëm, dhe dritës së zbehtë të elektrikut, thuren ëndrra, udhëtohet me fantazi, ku hijet e projektuara prej dritave ngjasojnë me gjigantë, e shkohet vetëm atje ku ëndrrat kanë stacionet e tyre. Sepse çdo ëndërr ka stacionin e saj dhe udhëtimi bëhet edhe më i këndshëm kur ndahet me dikë, aq më tepër me një vëlla apo një motër, aq më tepër kur udhërrëfyese bëhet një mace, që tashmë është në kujtimet e bukura të fëmijëve.

Ky libër bashkon prindërit me fëmijët në lexim, ndaj e ka kaluar kufirin e funksionit didaktik të tij dhe ka hyrë në atë që mund ta quajmë territorin ku ndahen përvojat e përbashkëta.
Prindri që lexon dhe fëmija që dëgjon: dy nivele leximi.
Fëmija dëgjon ngjarjen e lexuar, sheh figurat, apo edhe e lexon vetë e përfshihet nga emocioni dhe prindi, i cili nën peshën e emocioneve, reflekton.
Teksti i këtij libri kthehet vetë në një shteg dritash që përbashkon, dhuron kohë të përbashkët për prindin dhe fëmijën dhe leximin e kthen në një akt të pëlqyeshëm që krijon e forcon marrëdhënie dhe jo thjesht një ushtrim shkollor ku duhet gjetur ideja dhe mesazhi i librit.
“Shtegu i dritave magjike” është një libër që nuk mbetet vetëm në kufirin e leximit fëminor, ai nxit leximin dhe kureshtjen edhe te të rriturit!
Në udhëtim, mes yllthave të kujtesës, mes librave në bibliotekën ndërtuar me kuba akulli dhe emocionit kur nga libri del një fotografi kujtim; fëmijët edukohen me vlerat e kujtimeve dhe prindërit rikthehen në përvojën e të qenit fëmijë.
Kjo pra është forma me e fortë e ndikimit të këtij libri.
Nuk po ju tregoj më shumë, se nuk dua t’u humb kureshtjen, por di që, fëmijët do ju pyesin, e ju do ju përgjigjeni prindër për shumë gjëra që ngacmojnë kuriozitetin fëminor, duke u kthyer në bashkëlexues.

“Shtegu i dritave magjike” një libër që lidh dy breza përmes një historie që përmbledh shumë udhëtime fantazie, që nisin nën muret prej çarçafi të bardhë, rrethuar nga librat e dritësuar nga një elektrik dore, e ngjiten më në “Kodrën e kujtimeve”
Përgëzime Aldo Mustafa!
