Nga Aldo Mustafa
Kënga e re “Moment”, bashkëpunim mes Elvana Gjata dhe Stanaj, vjen si pjesë e një faze ku artistja, dikur sinonim i hiteve masive, sot duket se po përpëlitet për të prodhuar ndikim, jo domosdoshmërisht art. Fatkeqësisht, ky projekt e thellon më shumë ndjesinë e një krize identiteti artistik.
Që në sekondat e para, kenga vishet me kristale. Elvana shfaqet si një mbretëreshë akulli, e ftohtë, e shndritshme, e izoluar në një estetikë minimaliste ku kamera i bindet vetëm shkëlqimit të saj. Por ky shkëlqim kërcet sapo hapet goja.
“A munesh me m’thon një gënjeshtër”
Një varg që bie si gur në një baladë që pretendon finesë. Zhargoni i hedhur mbi një strukturë të artikuluar vokalisht krijon një ngerç të menjëhershëm. Është si të shohësh një skulpturë të Michelangelo-s, të ngjyrosur me graffiti. Fjalët nuk janë të shëmtuara në vetvete, janë thjesht në vendin e gabuar, në këngën e gabuar, me ambicien e gabuar. Kontrasti është aq i fortë, sa nuk është më estetik, është përçarës. Elvana artikulon bukur, por fjalët refuzojnë të marrin formë arti. Ato mbeten zhargon, të zhveshura nga çdo poezi.
Në pjesën e tij, Stanaj arrin disi ta amortizojë këtë përplasje. Timbri i tij më i trashë dhe përdorimi më natyral i të folurit e bëjnë zhargonin të tingëllojë më organik, më i besueshëm. Atje ku tek Elvana krijohet kontrast, tek ai krijohet vazhdimësi. Por ky është një “shpëtim” relativ, një suvatim mbi një mur që tashmë ka çarje.
Pastaj vjen “jepëm ti ket’ moment”.
Qershia mbi një tortë që tashmë po rrëshqet. Përzierja e dialekteve dhe zhargoneve i heq tekstit çdo identitet gjuhësor. Fjala “moment” zhvendos theksin, humb tingëllimin, deformohet, deri sa duket si një fjalë e re, e sajuar, pa peshë emocionale. Një lojë fonetike që mund të funksionojë diku, por jo këtu, dhe sigurisht jo në këtë “moment” Elvana!
Sikur kjo të mos mjaftonte, kënga futet në anglisht, jo si zgjerim artistik, por si shtresë konfuzioni. Anglishtja e Elvanës tingëllon e pasigurt, e sforcuar, gati si një gjuhë e huaj e mësuar përmendësh, pa rrjedhshmëri dhe pa theks, gjë për të cilën artistja është kritikuar edhe në përpjekjet e saj të mëhershme të të kënduarit në anglisht, të rrënqeth, por jo për mirë! Në kontrast, Stanaj e zotëron më mirë, por Elvana e eklipson artistin në këtë drejtim.
Videoklipi, në dukje minimalist, përfundon duke u dukur më shumë si një reklamë mode sesa si një narrativë vizuale. Fustani i kristaltë është vërtet mbresëlënës, një vepër më vete, por përballë tij qëndron Stanaj me një veshje gjysmë-sportive, thuajse rastësore, një xhaketë dhe bluze të bardhë. Kur të dy shfaqen në të njëjtën skenë, kontrasti nuk flet për dualitet artistik, por për mungesë dialogu estetik.
Në një plan më të gjerë, “Moment” nuk është rastësi. Është simptomë. Elvana prej kohësh duket se ka humbur busullën, jo vetëm të artit alternativ, por edhe të atij komercial. Trilogjia aktuale mbi të cilën artistja po punon, e frymëzuar qartazi nga Beyonce, ngjan më shumë si një sirtar i hapur arkivash sesa si një rrugëtim i menduar artistik. Klikimet e ulëta dhe reagimi i vakët i publikut janë pasqyra të cilën Elvana nuk po e sheh dhe të reflektojë.
Elvana nuk po sjell më qenien e saj, thelbin, grinden që e bëri Elvanën të jetë Elvana. Ajo jeton me shkëlqimin e së shkuarës, ndërsa e tashmja ngjan si një ecje në mjegull, e bukur për sy, por e zbrazët në thelb.
“Moment” është pikërisht ky, një çast i shndritshëm nga jashtë, por i humbur nga brenda.
