Nga Aldo Mustafa
Bota e sotme po drejtohet nga një paradoks grotesk: e ardhmja e njerëzimit mbahet peng nga duar që dridhen nga pesha e së shkuarës. Në krye të fuqive më të mëdha politike dhe ekonomike qëndrojnë figura si Donald Trump – SH.B.A. (79 vjeç), Vladimir Putin – Rusi (73 vjeç), Recep Tayyip Erdoğan – Turqi (71 vjeç), Ali Khamenei – Iran (86 vjeç) dhe Benjamin Netanyahu – Izrael (76 vjeç). Emra të ndryshëm, por një filozofi e përbashkët:
“Politika e frikës, e konfliktit dhe e së shkuarës që refuzon të largohet nga skena!”
Këta liderë, përtej moshës biologjike, përfaqësojnë një plakje ideologjike. Janë arkitektë të një bote që vazhdimisht ushqehet me tensione, me retorikë lufte dhe me një obsesion patologjik për pushtetin. Ata flasin për siguri, por prodhojnë pasiguri, predikojnë stabilitet, por mbjellin kaos. Dhe ironia më e madhe? Ata pretendojnë se po flasin në emër të popujve, ndërkohë që më shumë se 50% e qytetarëve të vendeve të tyre as nuk dalin në votime. Në matematikë të thjeshtë demokratike, këta liderë janë zgjedhur nga shumica e pakicës.
Politikat e kësaj kaste mbi 70-vjeçare, të ashtuquajturit “Baby Boomers” janë politika të një brezi që e njeh botën përmes luftës, armëve, kufijve dhe armiqve imagjinarë. Është një brez që ende mendon se forca matet me tanke, jo me dije, me frikë, jo me mirëqenie. Por bota ka ndryshuar. Millennials dhe Gen-Z nuk jetojnë më në hartat e shekullit XX, por në një realitet global, digjital, të ndërlidhur dhe thellësisht të vetëdijshëm për padrejtësitë sociale, klimatike dhe ekonomike.
Prandaj përplasja është e pashmangshme. Një brez që kërkon paqe, barazi dhe liri përballet me liderë që shohin kompromise si dobësi dhe dialogun si kërcënim. Këta politikanë të vjetër nuk arrijnë të kuptojnë se të rinjtë nuk mund të qeverisen më me frikë, dogma apo tradita të kalbura. Ata nuk besojnë më në premtime boshe dhe flamuj të valëvitur mbi varfëri. Si reagim, ata tërhiqen dhe nuk votojnë, nuk përfshihen, nuk legjitimojnë apo pranojnë më një sistem që nuk i përfaqëson.
Arsyet pse kjo klasë politike nuk duhet të vazhdojë të mbajë pushtetin janë të qarta. Së pari, mungesa e përshtatshmërisë me realitetin aktual, vendimmarrja e tyre është e ngadaltë, e shkëputur nga ritmi i shoqërisë moderne. Së dyti, kultura e konfliktit, shumë prej tyre e kanë ndërtuar karrierën mbi armiq të jashtëm dhe kriza të përhershme, sepse pa to pushteti i tyre zbrazet. Së treti, dështimi për të ofruar vizion për të ardhmen, politikat e tyre janë menaxhim i së shkuarës, jo ndërtim i së nesërmes.
Ndërkohë, të rinjtë po ndryshojnë mënyrën se si e shohin udhëheqjen. Ata kërkojnë transparencë, pjesëmarrje reale, drejtësi sociale dhe politika që flasin gjuhën e jetës së tyre, jo të luftërave të gjyshërve. Ata nuk duan të jenë “dele” të një sistemi që i shtyp, por bashkëkrijues të një bote më humane. Refuzimi i të rinjve për të marrë pjesë në politikën tradicionale nuk është apati, është akt proteste dhe kjo po ndodh në masë!
Në këtë kuptim, rreziku nuk është vetëm Lufta e Tretë Botërore si konflikt ushtarak, por një kolaps më i thellë, shkëputja totale nga sistemi udhëheqës i së shkuarës dhe krijimi i rendeve të reja globale. Një botë e drejtuar nga e kaluara nuk mund të ketë të ardhme.
