Visar Zhiti për poezinë e Andi Meçajt

Visar Zhiti për poezinë e Andi Meçajt

Nga: Visar Zhiti për poezinë e Andi Meçajt, 5 shkurt 2026

I lexoj me ëndje poezitë e tua, jo vetëm që janë të veçanta nga poezia që shkruhet sot, kanë shumë jetë, të lidhura bukur me shqetësimet, me të përditshmen e përhershme, ju nuk i trembeni kësaj, përkundrazi, duke i shndërruar ato në metafora, gjithë siguri poeti, ku çdo fjalë ruan fuqinë e vet parake, ndërkaq dhe poezitë duket se ndryshojnë nga njëra-tjetra, nuk përsërisni veten, duke mbetur vetvetja duke më kujtuar dhe poetët më të mirë që di, një Prever a Ricos, por e përsëris, jeni vetvetja, shqiptar, nga babai, poeti ynë, Hiqmet Meçaj që njoh unë, më duket se nuk jeni ndikuar, por keni trashëguar talentin dhe po më duket se babai është ndikur nga ju, e ka rinuar poezia jote ashtu siç ke marë dhe ti nga mençuria dhe përvoja e tij dhe kjo më duket mrekulli.

Andi Meçaj

Ndoshta e theksova më tepër këtë nga dashuria… Do të doja të shkruaja më shumë, për mbresa e mia për poezinë Tuaj, por ju dini dhe ndjeni më mirë se ne, që u rritëm keq, nën realizmin socialist, më keq akoma, edhe burgjeve, që jo vetëm s’shkruanim dot, por as lexonim dot, jo ç’donim, por as ato që ishin… punonim si skllevër minierave. Dhe sot na përndjekin ndryshe, më demokratikisht… Nejse… Prandaj kur gjej poezinë e bukur tuajën, të të rinjve, ndjej dhe gëzimin e një arritjeje, të një ëndrre… të lirisë së bukur… Të një pastërtie të munguar… Ti je Poet, ashtu shikon dhe ashtu shkruan, do të thosha. Dhe unë s’jam kritik, por do desha të thosha më shumë, por besomëni, kam ngarkesa dhe shqetësime që s’po ua dal dot, i huaj dhe tek vetja, veç kur lexoj poezi të bukura si tuajat, më duket se po shplodhem diku ku dua, me kafen dhe me një mik përballë. Je ti… Dhe dua ta dëgjoj! Faleminderit! Të fala dhe Hiqmet Meçajt, se ai s’është vetëm babai për ju, e thashë, edhe poeti ynë dhe përqafimet e mia për ju!

Visar Zhiti