Xhahid Bushati: Ku gaboi letërsia shqipe për fëmijë?

Xhahid Bushati: Ku gaboi letërsia shqipe për fëmijë?

Sprovë letrare

Fakti i vërtetë Në fillim të janarit të vitit 2026 u dhanë Çmimet Kombëtare në fushën e Letërsisë. Sipas jurisë, u përjashtuan: poezia, tregimi dhe letërsia për fëmijë e të rinj. Nuk ishte parë ndonjëherë që, verdikti i jurisë të ishte subjekt tragjedie, subjekt moskulture, subjekt mosleximi, subjekt mospërspektive. Por, ja që kështu ndodh… Në vështrimin tim: poezia dhe tregimi janë dy gjinitë më të konsoliduara, me arritje shumështresore, konceptuale dhe kulturore, ku poetët dhe tregimtarët me emër i kanë dhënë jetë dhe ekzistencë letërsisë shqipe. E thënë ndryshe Letërsia shqipe frymon, në saje të këtyre dy gjinive, ku talenti i krijuesve nuk ka të krahasuar. Ndërsa mosdhënia e Çmimit Letërsisë shqipe për fëmijë bazohej në motivacionin “… nuk pati prurje…” Kjo shprehësi mediokre, analfabete e mjerane na thotë përmes gojëve të jurise se, nuk kanë lexuar qoftë edhe një libër për fëmijë. Realisht, nuk kishte në trupën e jurisë as edhe një krijues, pedagog/e apo studiues të kësaj letërsie të çmueshme e të shenjtë. Dhe kjo është një vazhdë që nuk po ndreqet. Në vite, rrugëtimin e kësaj letërsie, juritë e Çmimeve Kombëtare dhe të Panaireve e kanë shoqëruar me shprehjet idioteske, si: “nuk ka letërsi për fëmijë”, “nuk ka krijues”… etj., por një refren i përsëritur, i stërnjohur e vrastar ia kanë thënë kësaj Letërsie se, “… Ti nuk ka prurje…”. E kush e thonë? – Ata që nuk kanë lexuar libra për fëmijë, që nuk e kanë respektuar atë, që nuk e kanë respektuar të sotmen dhe të ardhmen e saj. Pra, lexuesit të vogël i kanë thënë: “Mos lexoni libra, se nuk ka prurje e nuk ka nivel shkrimtarësh”, se nuk ka e nuk ka… Këta të pakulturuarit që janë analfabetët e letërsisë për fëmijë, dua t’ju them me shumë dinjitet, në mes shumë vlerash kjo Letërsi ka edhe këto vlera, aktualisht bashkëkohore: 1. Kemi një zhvillim me nivel të lartë tematik e artistik tek letërsia parashkollore dhe te Cikli fillor. 2. Kemi modele rrëfimesh të shumë autorëve, që mjerisht, kritika letrare dhe juritë nuk i njohin. 3. Letërsia shqipe, edhe në këtë Panair të fundit, si gjithnjë krenohet me krijues të tillë, si: Adelina R. Mamaqi, Flori Kasaj, Rovena Rrozhani, Valbona Banka, Fatmir Gjestila, Rudina Çupi, etj., etj. Vallë, këto libra nuk meritonin Çmim?! A mund të ndodhë që një Letërsi që ka për lexues: fëmijë, prindër, gjyshe e gjyshër… të përjashtohet? Dhe fëmijëve t’u thohet, se, kësaj radhe për mosprurje duhet përjashtuar edhe Abetarja. Me këtë papërgjegjshmëri, a mos ka ardhur koha që Institucionet kulturore dhe ata që kanë përgjegjësi direkte janë mediokre dhe nuk kuptojnë vlerat e një letërsie që ka aromën dhe moshën e fëmijës, se, brenda kësaj moshe janëtë autentikja dhe ekzistenca. Ka ardhur koha që këto institucione të jenë të një tipologjie ku frymon bota e fëmijëve dhe ardhmëria e tyre. Prandaj, duhen parë themelet e tyre, sepse kam përshtypjen se ka shumë dërrasa të kalbura.

Xhahid Bushati
Shkodër, më 11.02.2026