Në një shoqëri ku njohja e të drejtave ligjore është shpesh e kufizuar dhe pengesat ekonomike mund ta bëjnë drejtësinë të duket e paarritshme, roli i institucioneve që ofrojnë mbështetje juridike falas bëhet thelbësor. Qendra e Ndihmës Juridike Parësore në Durrës është një prej këtyre mekanizmave që synon të garantojë akses të barabartë në drejtësi për çdo qytetar. Në këtë intervistë për Revokult, juristja Elisa Zoto shpjegon se si funksionon kjo qendër, cilat janë problematikat më të shpeshta me të cilat përballen qytetarët dhe pse ndërgjegjësimi për të drejtat ligjore është një hap i rëndësishëm drejt një shoqërie më të drejtë.
Elisa Zoto, Juriste pranë Qendrës së Ndihmës Juridike Parësore Durrës
Aldo Mustafa: Zonja Zoto, për të nisur intervistën, çfarë është Qendra e Ndihmës Juridike Parësore në Durrës dhe cili është roli i saj në komunitet?
Elisa Zoto: Qendra e Ndihmës Juridike Parësore në Durrës është një institucion publik që ofron shërbime juridike falas për qytetarët që ndodhen në pamundësi ekonomike ose që i përkasin kategorive të veçanta të mbrojtura nga ligji. Roli i saj është të sigurojë që çdo qytetar, pavarësisht gjendjes financiare apo sociale, të ketë akses real në drejtësi. Kjo realizohet përmes këshillimit juridik, ndihmës në hartimin e dokumenteve dhe orientimit të qytetarëve drejt institucioneve përkatëse.
Aldo Mustafa: Cilat janë problematikat më të shpeshta për të cilat qytetarët i drejtohen qendrës suaj?
Elisa Zoto: Qytetarët i drejtohen qendrës për një gamë të gjerë çështjesh juridike. Më të shpeshtat lidhen me çështje familjare si zgjidhja e martesës, kujdestaria e fëmijëve, detyrimi ushqimor, por edhe me çështje pronësie, probleme me institucionet administrative, përfitime sociale, pensione apo konflikte të ndryshme civile. Një pjesë e madhe e qytetarëve kanë nevojë edhe për orientim në procedurat administrative dhe në mënyrën se si mund të ushtrojnë të drejtat e tyre.
Aldo Mustafa: Shumë qytetarë nuk janë të informuar për ekzistencën e këtij shërbimi. Kush mund të përfitojë nga ndihma juridike falas?
Elisa Zoto: Sipas legjislacionit shqiptar për ndihmën juridike të garantuar nga shteti, përfitues mund të jenë personat me të ardhura të ulëta, përfituesit e ndihmës ekonomike, personat me aftësi të kufizuara, viktimat e dhunës në familje, të miturit, si dhe kategori të tjera të përcaktuara nga ligji. Qëllimi i sistemit është të eliminojë pengesën ekonomike që shpesh i privon qytetarët nga e drejta për të kërkuar drejtësi.
Aldo Mustafa: Çfarë përfshin konkretisht ndihma juridike parësore që ofron qendra?
Elisa Zoto: Ndihma juridike parësore përfshin informim mbi të drejtat dhe detyrimet ligjore, këshillim juridik për situata konkrete, asistencë në plotësimin dhe hartimin e dokumenteve, si dhe orientim drejt institucioneve kompetente. Në rastet kur një çështje kërkon përfaqësim në gjykatë, qytetarët mund të aplikojnë për ndihmë juridike dytësore, që nënkupton përfaqësim nga një avokat i caktuar nga shteti.
Aldo Mustafa: Sa e rëndësishme është ndërgjegjësimi i qytetarëve për të drejtat e tyre ligjore?
Elisa Zoto: Është thelbësor. Në praktikë shpesh konstatojmë se shumë konflikte ose padrejtësi vazhdojnë thjesht sepse qytetarët nuk janë të informuar për të drejtat e tyre ose për mënyrën se si mund t’i mbrojnë ato. Për këtë arsye, përveç shërbimit në zyrë, ne organizojmë edhe aktivitete informuese në komunitet, në shkolla, njësi administrative apo qendra komunitare, me qëllim rritjen e kulturës juridike në shoqëri.
Aldo Mustafa: A mund të ndani me lexuesit një aspekt të punës suaj që ju bën të ndiheni se ky shërbim është vërtet i domosdoshëm?
Elisa Zoto: Një nga momentet më domethënëse është kur shohim që një qytetar, i cili më parë ndihej i pafuqishëm përballë një problemi juridik, arrin të kuptojë të drejtat e tij dhe të ndërmarrë hapat e duhur për t’i mbrojtur ato. Në shumë raste, një këshillim i saktë juridik në kohën e duhur mund të ndryshojë rrjedhën e një situate të vështirë për një familje apo individ.
Aldo Mustafa: Si mund t’ju kontaktojnë qytetarët që kanë nevojë për ndihmë juridike?
Elisa Zoto: Qytetarët mund të paraqiten pranë zyrave të Qendrës së Ndihmës Juridike Parësore në Durrës, e cila ndodhet në katin e parë të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Gjithashtu, ata mund të na kontaktojnë përmes adresës së emailit ndihmajuridike.durres@drejtesia.gov.al, si edhe të informohen më gjerësisht për shërbimet e ndihmës juridike të garantuar nga shteti në faqen zyrtare www.ndihmajuridike.gov.al
Çdo qytetar që ka nevojë për informacion juridik, këshillim apo orientim ligjor mund të drejtohet pranë qendrës sonë, ku do të marrë asistencë falas nga profesionistë të fushës, në përputhje me legjislacionin në fuqi për ndihmën juridike të garantuar nga shteti.
Aldo Mustafa: Një mesazh përfundimtar për lexuesit e Revokult?
Elisa Zoto: Drejtësia duhet të jetë e aksesueshme për të gjithë. Nëse një qytetar përballet me një problem juridik dhe nuk di si ta zgjidhë, hapi i parë është të kërkojë informacion dhe këshillim profesional. Qendra e Ndihmës Juridike Parësore është pikërisht një mekanizëm i krijuar për këtë qëllim: që askush të mos mbetet pa zë përpara ligjit.

