“Pulave u ka hije, të kakarisin vetëm në kotec.”,- do të thoshin një brez pak më i vjetër njerëzish, për të cilët e drejta dhe liria e gruas nuk ishin gjë tjetër veçse tabu. Kohët kanë ndryshuar shumë, njerëzit po ashtu në shumë drejtime, por diçka ende mbetet e pandryshuar po me këtë ritëm dhe është vendi i gruas në shoqëri. Ende hasemi me pabarazi gjinore, me shkelje të drejtash, me krijimin e stereotipit gjinor, por a po ecim në drejtimin e duhur duke iu shmangur një nevoje të pakapërcyeshme, një ngërçi shoqëror, si roli i gruas në shoqëri?
Secili prej nesh mund ta quajë këtë feminizëm, por ç’është feminizmi në të vërtetë? A mund të quhet një femër feministe, nëse ajo kërkon të drejta aty ku nuk i jepen dhe mbron çdo çështje për të drejtat e grave, apo me feminizëm do të thotë, që një femër duhet të “mbahet në pëllëmbë” të dorës nga mashkulli dhe nuk duhet t’i mungojë asnjë gjë, që ajo kërkon?
Ndoshta deri më sot e kemi keqkuptuar feminizmin, si shumë “hyrje të reja” në shoqëri, por kush më mirë se autorja e “Të gjithë duhet të jenë feministë!”, Chimamanda Ngozi Adichie, mund të na japë një shuplakë të vërtetë, për atë që duhet të kuptojmë dhe jo atë që na intereson të kuptojmë. Në një ndër fjalimet e saj në “TEDx Talk” na sjell të metat dhe sesi duhet të shohim në këto të meta, si i shkaktojmë këto defekte.
Ja një pjesë e fjalimit të saj!
Gjinia siç funksionon sot, është një padrejtësi e rëndë. Gjinia ka rëndësi kudo në botë dhe bota do të ishte më e lumtur, nëse kjo do të kishte rëndësi të barabartë. Një botë me burra dhe gra më të lumtur dhe të cilët janë më të vërtetë me veten. Dhe ja si duhet t’ia nisim!
Ne duhet t’i rrisim vajzat tona ndryshe, ne gjithashtu duhet t’i rrisim djemtë tanë ndryshe. Ne i bëjmë një dëm të madh djemve tanë në mënyrën sesi i rrisim, ne e mbysim humanizmin te djemtë. Ne ia përcaktojmë “të qenit mashkull”, në një mënyrë mjaft të ngushtë, pra burrëria bëhet si një kafaz i vogël dhe ne i fusim djemtë në këto kafaze. Ne i mësojmë djemtë të kenë frikë nga të qenit i frikësuar. Ne i mësojmë djemtë të jenë të frikësuar nga dobësitë, nga cenueshmëria. Ne i mësojmë të maskojnë veten e tyre të vërtetë, sepse ata duhet të jenë “BURRA”, siç themi ne.
Në gjimnaz, një djalë dhe një vajzë, të dy adoleshent, të dy me të njëjtën shumë të hollash në xhep, mund të dalin dhe më pas djali supozohet gjithnjë të paguajë, për të provuar “burrërinë” e tij. Dhe ne ende çuditemi, pse djemtë janë më të predispozuar të vjedhin paratë nga prindërit! Po sikur të dy, djemtë dhe vajzat, të rriteshin në mënyrë që të qenit mashkull, të mos lidhej me paratë? Po sikur qëndrimi të mos ishte “djali duhet të paguajë”, por “kush ka më shumë, paguan”?
Sigurisht që për shkak të avantazhit të historisë së njerëzimit, është pikërisht mashkulli i cili duhet të ketë më shumë sot, por nëse ne i rrisim fëmijët ndryshe, atëherë brenda 50-100 viteve, djemtë nuk do të kenë më presionin për të provuar burrërinë e tyre.
Deri më tani, gjëja më e keqe që ne i bëjmë meshkujve, duke i bërë ata të ndjejnë që duhet të jenë të fortë, është që ne i lëmë ata me disa ego mjaftë të brishta. Sa më “i fortë” detyrohet të ndihet një burrë, aq më e dobët bëhet egoja e tij.
Dhe në këtë pikë, i bëjmë një dëm edhe më të madh vajzave, sepse i rrisim që të kujdesen për egot e brishta të burrave. Ne i mësojmë vajzat të ndrydhin veten e tyre, ta bëjnë veten të ndihen më të vogla, ne u themi vajzave “ti mund të kesh ambicie, por jo shumë.” “Ti duhet synosh të behësh e suksesshme, por jo shumë e suksesshme, ndryshe mund të cenosh burrin.” Nëse ti je “shtylla e familjes” në lidhjen tënde më një burrë, ti duhet të pretendosh që nuk je, sidomos në publik, përndryshe ti mund ta zhburrërosh atë.
Por përderisa në i kërkojmë të jetë e tillë, përse suksesi i një femre do të ishte kërcënim për një burrë? Po sikur të vendosim që thjeshtë ta hedhim atë fjalë, të cilën unë mendoj se në gjuhë nuk ka fjalë më të papëlqyeshme se fjala “zhburrërim”.
Njëherë u pyeta nëse isha e shqetësuar se burri do të ishte i frikësuar nga unë. Unë nuk isha e shqetësuar aspak. Në fakt nuk më ka ndodhur të shqetësohem, sepse një burrë i cili do të ishte i frikësuar nga unë, është pikërisht lloji i mashkullit, për të cilin nuk do të kisha interes. Por ende isha e goditur nga kjo, sepse unë jam femër, unë supozohet të aspiroj martesën, unë supozohet të bëj zgjedhjet e mia të jetës, gjithnjë duke menduar që martesa është më e rëndësishmja.
Një martesë mund të jetë diçka e mirë, mund të jetë një burim i kënaqësisë, dashurisë dhe mbështetjes reciproke, por përse i mësojmë vajzave të aspirojnë martesën dhe nuk u mësojmë djemve të njëjtën gjë?
Njoh vajza të reja, të cilat janë nën presionin e familjes, shoqërisë madje dhe punës, që të martohen dhe shtyhen të bëjnë zgjedhje të tmerrshme. Një gruaje në njëfarë moshe, e cila nuk është martuar, shoqëria jonë i mëson asaj ta shohë këtë si një dështim të thellë personal. Dhe për një burrë po në të njëjtën moshë, i cili është i pamartuar, ne thjeshtë mendojmë se ai nuk është “vërdallisur”, për të bërë zgjedhjen e tij.
Ne i mësojmë vajzat tona, që në një marrëdhënie, kompromisi është ai çfarë bën një grua. Ne i rrisim vajzat që të shohin njëra- tjetrën si konkurrente, jo për punë apo për arritje personale, por për vëmendjen e meshkujve. Ne i mësojmë vajzave, që ato nuk mund të jenë “qenie seksuale” në mënyrën sesi janë djemtë. Nëse kemi djem, ne nuk na intereson të marrim vesh për të dashurat e tyre, por i dashuri i vajzës tonë? Zot na ruaj! Por sigurisht, në momentin e duhur, ne presim që vajza të gjejë djalin perfekt për burrë. Ne i ruajmë ato, ne u lutemi atyre për virgjëri, por ne nuk i lutemi djemve për virgjëri. Çfarë më çudit gjithnjë është se, si supozohet që kjo të funksionojë te meshkujt, dua të them që humbja e virgjërisë është një proces që përfshin…!
Ne u mësojmë vajzave turpin. “Mbylli këmbët!”, “Mbuloje veten!”. Ne i bëjmë të ndihen se megjithëse janë të lindura femra, janë tashmë fajtore për diçka. Kështu vajzat rriten për t’u bërë gra’ të cilat nuk i shohim të kenë dëshira. I shohim të bëhen gra të cilat heshtin. I shohim të bëhen gra, të cilat nuk mund të shohin që ato vërtet mendojnë, ato rriten për t’u bërë gra, të cilat i kthejnë pretendimet në një formë arti.
Unë jam e nevrikosur. Mënyra se si sot funksionin gjinia është një problem i madh. Të gjithë ne duhet të jemi të nevrikosur. Të qenit i nevrikosur, ka një histori të gjatë të sjelljes së ndryshimeve pozitive, por përveç të qenit e nevrikosur, unë gjithashtu jam shpresëdhënëse, sepse unë besoj thellësisht në aftësitë njerëzore që ta bëjnë dhe ribëjnë veten e tyre më të mirë.
Feminist: Një individ, i cili beson në barazinë e jetës shoqërore, politike dhe ekonomike të gjinive.