Posta Shqiptare: Institucioni që i arrin të gjithë, por që nuk është i aksesueshëm nga të gjithë. Problemet që Personat me Aftësi të Kufizuar hasin në aksesin e shërbimeve postare.

Posta Shqiptare: Institucioni që i arrin të gjithë, por që nuk është i aksesueshëm nga të gjithë. Problemet që Personat me Aftësi të Kufizuar hasin në aksesin e shërbimeve postare.

Nga Dorentina Hysa

Shërbimi postar i ofruar nga Posta Shqiptare është i një rëndësie të jashtëzakonshme për të gjithë qytetarët, por specifikisht për Personat me Aftësi të Kufizuara, të cilët përbëjnë një komunitet të konsiderueshëm në Shqipëri, i cili bazuar tek të dhënat e Censusit të vitit 2011, arrinte deri në 6.2% të popullsisë.

Kjo shifër e konsiderueshme, thekson nevojën e jashtëzakonshme për ofrimin e shërbimeve cilësore, të aksesueshme dhe në përputhje me standardet e përcaktuara, që respektojnë të drejtat e personave që kanë një aftësi të kufizuar, qoftë ajo fizike apo shqisore (të parit dhe të dëgjuarit), për të marrë shërbime. Megjithatë, personat me aftësi të kufizuara në vendin tonë përballen me barriera të panumërta, sa i përket aksesit të shërbimeve publike. Ndonëse Shqipëria ka miratuar ligje dhe ka ratifikuar Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar që në vitin 2013, e cila parimisht thekson në Nenin 9 të saj “ të drejtën për të aksesuar informacionin, teknologjinë, si dhe sigurimin e infrastrukturës (rampa, barila etj), për personat me aftësi të kufizuar”, përseri ky komunitet nuk gëzon infrastrukturën e duhur, për të marrë shërbimet e domosdoshme që i nevojiten në përditshmëri.

Një ndër institucionet më të rëndësishme publike ku ofrohen një gamë e gjerë shërbimesh është Posta Shqiptare, e cila aktualisht nuk siguron kushtet e nevojshme që personat me aftësi të kufizuar të marrin shërbimin në përputhje me standardet dhe nevojat e tyre. Përse është kjo situatë problematike? Sepse në këtë institucion, ccdo muaj, kryejnë pagesat rreth 400,000 persona me aftësi të kufizuara dhe të moshuar (që në mënyrë natyrale kanë një rënie të aftësive të tyre fizike, shqisore dhe njohëse). Megjithë shifrën e lartë të personave që marrin shërbime, Posta Shqiptare, pavarësisht se në disa aspekte ka bërë përmirësime, vijon të mbetët një nga institucionet më pak të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara.

Nga një vëzhgim i kujdessshëm që Fondacioni Së Bashku ka kryer, rezulton se mjediset e jashtme të këtyre institucioneve ka raste kur janë të pajisura me rampa, por shpesh janë jashtë standardit pasi nuk kanë gjerësi 1200 mm, pjerrësi 5% dhe nuk janë të pajisura më parmakë mbajtës. Gjithashtu, është vënë re mungesa e hapësirave para objekteve për parkimin e dedikuar personave me aftësi të kufizuar, shiritat orientuese në gjuhën e shenjave për personat që nuk dëgjojnë, për personat me probleme në shikim ka mungesë pajisjesh lehtësuese dhe për personat me probleme të shëndetit mendor apo aftësi të kufizuar intelektuale nuk ka informacion të thjeshtuar sipas nevojës. Hyrja në godinë nuk është e pajisur me sensorë dhe në shumicën e rasteve objektet janë me shkallë dhe nuk kanë rampa ose platforma të pjerrëta.

Ndërkohë që me aksesin e jashtëm në disa prej zyrave posare është punuar dhe ka disa ndryshime, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për mjediset e brendshme të zyrave postare, në të cilat mungojnë kushtet për të ofruar një shërbim cilësor dhe të lehtësisht të aksesueshëm. Më konkretisht, mungojnë vendet ulëse për personat me aftësi të kufizuar, mungojnë shenjat dhe paisjet dëgjuese për personat që nuk dëgjojnë ose shikojnë, sporteli është i lartë dhe nuk mund ta aksesojnë personat që përdorin karrige me rrota.

Lidhur me situatën e paraqitur, institucione të tilla bien ndesh me ligjet dhe Konventat në fuqi, sepse personat me aftësi të kufizuar nuk marrin shërbimet si gjithë të tjerët, duke i vënë në kushte të pabarabarta dhe diskriminuese. Në këtë kuadër, është e domosdoshme që të kemi mjedise gjithëprfshirëse, të cilat të ndikojnë mënjeherë dhe në mënyrë afatgjatë në përmirësimin e cilësisë së jetesës të personave me aftësi të kufizuar. Personat me aftësi të kufizuar kanë të drejtën për akses në informacion, për të aksesuar në fizikisht dhe për të marrë shërbime të specializuara dhe me një infrastrukturë të përshtatshme për të garantuar jetesen e tyre të pavarur në një shoqëri gjithëpërfshirëse.

Referenca: