Nga Anila Dedaj
“Të mbyturit dhe të shpëtuarit”, libri i fundit i publikuar që Primo Levi la pas, vjen në shqip nga Aida Baro dhe shtëpia botuese “Dukagjini”, 38 vjet pas botimit në Itali. Në takimin e mbajtur në qendrën “Sotir Kolea” mbrëmjen e së enjtes u bë prezantimi i tij.
“Të mbyturit dhe të shpëtuarit është një ese e gjatë me 8 ndarje, në të cilat ai reflekton mbi tiparet e ndryshme të Aushvicit. Fillon që nga kujtesa që deformohet e të mbijetuarve atyre njerëzve që kanë vuajtur dhunën, por edhe dhunueseve. Dhe secila nga këto palë përpiqet në një farë mënyre ose të harrojë, ose të modifikojë kujtesën, për të mbrojtur edhe veten duke krijuar mekanizma mbrojtës”, shprehet përkthyesja Aida Baro.
Libri është botuar edhe në sajë të bashkëpunimit me Institutin Italian të Kulturës, ndërsa prej Italisë ka ardhur në Tiranë edhe Fabio Levi, President i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Primo Levi.
Botimi, që shkrimtari italian shkroi një vit para vdekjes, dhe 40 vjet larg nga libri “A është vallë njeri”, analizon ç’ka ndodhi në kampet e përqëndrimit nazist. Që në krye të herës, autori që përjetoi në lëkurë torturat e persekutimit nazist lë të kuptohet se agonia, edhe dekada lart kthehet sërish.
“Le të ndalemi para së gjithash tek burimet e këtij libri, kësaj sprove reflektive të Primo Levit. Burimi i parë është eksperienca e tij që vazhdon të jetë qendrore edhe tek “Të mbyturit dhe të shpëtuarit”. Burimi i dytë përfaqësohet nga memuaristika e librave të historisë që kishin dalë gjatë këtyre 40 viteve dhe Primo Levi i kishte lexuar në mënyrë sistematike. Dhe burimi i tretë, por shumë i rëndësishëm janë pyetjet që i ishin bërë në vijimësi nga studentët. “, shprehet Fabio Levi, President i Qendrës Studimore Primo Levi.
Studiuesja Elsa Demo për të pranishmit, mes të cilëve ish të persekutuar të diktaturës, por edhe gjimnazistë, bën një përqasje, të autorëve shqiptarë që dëshmuan sikundër Levi Aushvicin, krimet e diktaturës në Shqipëri.
“Kur kam lexuar ‘A është vallë njeri kam kujtuar ‘Këngën e supës’ tek autorë shqiptarë të cilët kanë shkruar për burgun politik dhe për kampet e punës së detyruar. Kur kam lexuar për ‘Armëpushimin’ mu kujtuan muajt e parë të çlirimit nga diktatura dhe ai moment që Patër Zef Pllumi tregon në vëllimin e tij të tretë të veprës së shkëlqyer ‘Rrno vetëm për me tregue’ , kur ai ishte i ulur në shkallët e Pallatit të Kulturës, ndërkohë që turma tërhiqte zvarrë shtatoren e Enver Hoxhës. Dhe, pikëpyetja që shtronte Patër Zefi ishte: Po tani, lirinë e siguruam, liria erdhi…, po tani çfarë hapet përpara nesh pas kësaj? Po ashtu ky moment i kthimit të Levit në shtëpi. Ky kthim gjithë zig-zage , më kujton po ashtu atë moment që shkruan Fatos Lubonja tek “Në vitin shtatëmbëdhjetë” (Ditari i vitit të 17-të të burgut)”, shprehet Elsa Demo, studiuese dhe gazetare.
Historiania Nevila Nika vë theksin tek rëndësia e botimeve dhe takimeve të tilla, që i shërbejnë kujtesës. Ky është libri i tretë i Levit që përkthyesja Aida Baro sjell në shqip pas “A është vallë në njeri” dhe “Armëpushimi”./shqiptarja.com