Fjalorë të ndryshëm i përkufizojnë aktorët e tretë (ose palët e treta), si një subjekt që vepron
tërthorazi në marrëdhëniet mes dy palësh kryesore, shpesh me qëllimin për të ndikuar apo edhe për të zëvendësuar njërën nga këto palë. Krahas fushave të tjera, ky term përdoret jo rrallë edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Në rastin e Shqipërisë së periudhës së tranzicionit post-komunist, aktorët kryesorë në
marrëdhënie me të janë BE dhe SHBA. Kurse aktorët e tretë që përpiqen të ndikojnë apo të
depërtojnë në këto marrëdhënie janë Turqia, Rusia dhe Kina.
Si raportohen në mediat shqiptare këto vende? Cilat janë linjat kryesore të diskursit mediatik në raportimin ndërkombëtar për aktorët e tretë? Cilat janë prirjet e ravijëzuara kohët e fundit.
Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve na vijnë në ndihmë të dhënat e mbledhura nga Instituti
Shqiptar i Medias (ISHM) gjatë monitorimit të lajmeve ndërkombëtare të botuara apo
transmetuara nga 1 nëntori 2020 deri në 31 janar 2021 në gazetat Panorama dhe Tema, në
kanalet televizive Top Channel dhe Klan TV (në edicionet e tyre të lajmeve të orës 19.30) si dhe në websajtet e lajmeve të Balkanweb dhe të ABC News.
Linjat kryesore të diskursit mediatik në raportimin për të tretët
Raportimi për Turqinë në mediat shqiptare paraqitet i larmishëm dhe në disa raste vjen edhe nga këndvështrime të kundërta. Linjat kryesore të diskursit të mediave shqiptare, të dala nga analiza e përmbajtjes së raportimit për ngjarjet apo zhvillimet që lidhen me këtë vend janë: diskursi i lidhjeve historike dhe i afërsisë mes dy vendeve; diskursi i popullit vëlla që të gjendet në ditë të vështira; diskursi mbi neootomanizmin dhe soft power; dhe diskursi i kritikes së politikës turke në Ballkan dhe në Shqipëri.
Retorika e afërsisë mes dy vendeve dhe ajo e popullit vëlla që të gjendet në ditë të vështira janë intensifikuar sidomos gjatë viteve të fundit, kur Turqia ka demonstruar gjeste dhe akte ndihme jetike apo simbolike ndaj Shqipërisë në momente kritike të saj siç ishin tërmeti shkatërrimtar dhe pandemia e Covid 19.
Por ndihma e Turqisë ndaj Shqipërisë, nga disa autorë apo media përthyhet edhe në prizmin e qasjes së “fuqisë së butë” të aplikuar nga Turqia në rajonin e Ballkanit. Sipas një analize,
“Shtrirja e ndikimit të saj (Turqisë – Rr.Z.) në rajon mbështetet në konceptin e fuqisë së butë
(soft power). Fuqia e butë është një mënyrë e tërthortë e ndikimit, apo aftësia e një vendi për të arritur qëllimet e veta pa përdorur forcën, përmes tërheqjes, joshjes, imazhit pozitiv dhe kulturës.
Shembujt në vazhdim shfaqin disa nga mënyrat përmes të cilave Turqia përpiqet që të shtojë
ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor: vizitat e shpeshta zyrtare, investimet në ekonomi
(privatizimi), organizimi i aktiviteteve kulturore, prania e mediave turke në gjuhët e Ballkanit
Perëndimor, ndikimi kulturor përmes serialeve televizive, restaurimi dhe ndërtimi i objekteve
fetare, hapja e universiteteve dhe kolegjeve turke, dhurimi i bursave për të studiuar në Turqi,
botimi dhe përkthimi i literaturës turke në gjuhët e Ballkanit Perëndimor, etj.”
Ndërkohë në disa media është i pranishëm edhe një lexim tjetër i afrimitetit Shqipëri – Turqi i
cili përputhet me perceptimin jo pak të përhapur se Turqia për qeverinë shqiptare, më shumë se një projekt i së ardhmes, është “asi nën mëngë” i saj në raport me BE.
Depërtimi i Turqisë në rajon dhe në Shqipëri nga disa autorë asociohet edhe me qasjen e neo-otomanizmit apo neo-osmanizmit. Sipas analizës së një analisti, “Neo-osmanizmi është një strategji e politikës së jashtme turke, e cila mbështetet në trashëgiminë osmane për t’i shërbyer interesave të Turqisë bashkëkohore”.
Njëherësh në mediat shqiptare nuk mungon edhe linja e diskursit denoncues ndaj politikës turke Ballkan, e cila e konsideron Turqinë si partnerin apo modelin e gabuar për t’u ndjekur nga vendet e Ballkanit.
Pas kapërcimit të mbylljes hermetike, mediat u hapën edhe në raportimin e tyre për një tjetër
aktor të tretë me ndikim në rajon dhe në Shqipëri, siç është Rusia. Linjat kryesore të diskursit të mediave shqiptare gjatë raportimit për ngjarjet apo zhvillimet që lidhen me këtë vend janë:
diskursi i kërcënimit rus për sigurinë e rajonit dhe të aleatëve euro-atlantikë; dhe diskursi pro-rus si dhe ai i nostalgjisë dhe i “borxhit” historik ndaj Rusisë Interesimi i Rusisë për Ballkanin nuk përbën një zhvillim të ri. Qëllimi kryesor i doktrinës zyrtare ruse në rajon është kundërshtimi i zgjerimit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) dhe të BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Mediat shqiptare raportojnë se në shërbim të këtij qëllimi, Rusia po përdor Serbinë si prapavijë, duke e armatosur me armë të sofistikuara sulmuese dhe duke zgjeruar lidhjet ekonomike-tregtare me të, gjë që kontribuon në paqëndrueshmërinë e të gjithë Ballkanit Perëndimor, duke u kthyer në një kërcënim për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe më gjerë, për stabilitetin dhe sigurinë e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës, pra të krejt rajonit të Ballkanit.
Njëherësh, Kremlini po përpiqet të mbjellë kaos politik dhe të përfitojë prej
tij. Përveç demonstrimeve provokative të natyrës ushtarake, Rusia po përdor Ballkanin edhe si qendër e përhapjes së dizinformacionit dhe të sulmeve kibernetike ndaj rajonit dhe Perëndimit.
Por në mediat shqiptare nuk mungojnë edhe qëndrimet pro Rusisë si dhe ato që evokojnë
nostalgjinë apo “borxhin” historik ndaj saj. Përmes rimarrjes dhe rikontekstualizimit të së
kaluarës, një autor flet për kontributin e Leninit (duke e vënë atë në krah me presidentin
amerikan Thomas Woodrow Wilson) dhe të Rusisë (duke e vënë atë në krah me SHBA) për
përkrahjen e tyre ndaj shtetit shqiptar në fund të shekullit të 19-të dhe fillim të shekullit të 20-të.
I njëjti autor në terma nostalgjikë dhe në një përpjekje për të kujtuar borxhet që Shqipëria i ka
Rusisë, shkruan: “Rusia në 1948-1949, në kohën e krizës për bukë, na solli një vapor plot me
grurë falas, dhe deri në vitin 1961 na ndihmoi të ngrinim institucionet, Universitetin shtetëror,
fabrika dhe uzina, Kinostudion Shqipëria e Re, na ngriti mirëqenien sidomos gjatë viteve 59-60, si dhe na armatosi..” Retorika pro-ruse në Shqipëri është e pranishme kryesisht në disa media online, të cilat botojnë edhe lajme të përkthyera në shqip nga mediat zyrtare apo pro-qeveritare të Rusisë.
Në raportimin e mediave shqiptare është rishfaqur edhe “mikja” e dikurshme e Azisë së Largët, Kina. Linjat kryesore të diskursit të mediave shqiptare gjatë raportimit për ngjarjet apo
zhvillimet që lidhen me këtë vend janë: diskursi i dyshimit ndaj qëllimeve të depërtimit intensiv të Kinës në kontinentin evropian; diskursi i përdorimit të rajonit nga ana e Kinës si Kalë Troje për të hyrë në Evropë; dhe diskursi i propagandës pro-kineze.
Përmes nismave me karakter kryesisht ekonomik (siç janë “Mekanizmi 17 + 1” apo ai i
“Iniciativës “Një brez, një rrugë”) Kina ka arritur të depërtojë jo vetëm në Ballkan por edhe në
disa vende të BE që dikur ishin pjesë e kampit socialist. Lidhur me këtë depërtim, mediat shqiptare i bëjnë jehonë dhe risjellin në vëmendje deklaratën e Johannes Hahn, ish-komisioneri i BE-së, i cili qysh në vitin 2018 është shprehur se blloku duhet të ruhej nga Kina që po e kthente Ballkanin Perëndimor në një kalë Troje për BE. “Kombinimi i kapitalizmit dhe diktaturës politike” të Kinës mund t’u pëlqejë disa udhëheqësve të vendeve të rajonit”- ka shtuar ai.
Gjithashtu mediat i referohen edhe ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker, i vëren se “Kina po përpiqet të blejë besnikërinë e rajonit përmes investimeve strategjike, të ngarkuara me hua që do të jenë një barrë për brezat e ardhshëm”.
Kur bëhet fjalë për depërtimin në kontinentin evropian, mediat shqiptare nxjerrin në pah se Kina po depërton në Evropë përmes Ballkanit dhe veçanërisht Serbisë,9
duke e ekspozuar këtë vend (Serbinë –Rr.Z.) si shtet vasal të Kinës. “Niveli i angazhimit të Pekinit me Serbinë është shumë më i lartë se çdo vend tjetër në Ballkanin Perëndimor” – thuhet në një raportim të Gazeta Si.
Gjatë analizës së përmbajtjes së mediave është konstatuar edhe prania e një diskursi
propagandues për Kinën. Ky diskurs gjendet si në raportimin e mediave zyrtare kineze në shqip, ashtu edhe në portale shqiptare apo në shkrime që mbajnë autorësinë e gazetarëve shqiptarë. Në mediat shqiptare, veçanërisht në ato online, është konstatuar edhe prania e një numri raportimesh ndërkombëtare që në përmbajtje vihen tërësisht në shërbim të interesave të aktorëve të tretë në Shqipëri. Këtu nuk bëhet fjalë për raportimet e agjencive zyrtare të këtyre vendeve në gjuhën shqipe, për të cilat do të ishte normal një raportim i tillë, por për raportime të botuara në mediat shqiptare online, apo të shkruara nga gazetarë shqiptarë.
Kështu në një portal shqiptar shkruhet: “Rusia ka qenë koherente në lidhje me qëndrimin e saj ndaj Kosovës duke iu përmbajtur rezolutës 1244 miratuar nga OKB. Njëkohësisht ka qenë koherente që nga fillimi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duke u shprehur se vete Rusia do të mbështeste çdo marrëveshje mes tyre dhe se nuk do të ishte më ”serb se sa vete serbët”. Ndryshe nga shqiptarët që here-herë kanë treguar se janë më “amerikanë se vetë amerikanët” apo siç e përdorim rëndom më “Katolikë se Papa”.
Një narrativë e tillë, përveç që është në përputhje dhe në shërbim të interesave ruse, dezinformon kur bëhet fjalë për qëndrimin e Rusisë ndaj Kosovës si dhe përcjell nën rreshta edhe një retorikë denigruese për shqiptarët.
Një portal tjetër boton shkrimin me titull “Mekanizmi 17 + 1 si përçues shprese e optimizmi për të ngadhënjyer mbi të keqen nëpërmjet artit”, në të cilën glorifikohet roli i Kinës, e cila “është bërë ndër promotorët më të rëndësishëm të zhvillimit të këtij rajoni të gjerë të Evropës në sektorë të ndryshëm si infrastrukturë, transport, tregti, logjistikë, si dhe shëndetësi, kulturë, arsim dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët.”
Gjithashtu ky portal përmes këtij shkrimi informon publikun e vet për deklaratën e Kryetarit të
Partisë Komuniste të Kinës dhe njëherësh President i vendit, se sesioni i pestë plenar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës ka hartuar plane gjithëpërfshirëse për zhvillimin e Kinës në Planin e 14-të pesëvjeçar (2021-2025), dhe se Kina është pranë arritjes së objektivave të ndërtimit të një shoqërie të zhvilluar në mënyrë të moderuar në të gjitha fushat dhe të çrrënjosjes së varfërisë.
Siç vihet re narrativa e këtij shkrimi është tipikisht ajo e propagandës komuniste,
të cilët shqiptarët e kanë akoma të freskët në kujtesën e tyre. Ndoshta mund të ketë qenë i ndikuar nga një shkrim i tillë një lexues që komenton në një media online duke thënë: “Ku qëndron problemi dhe përse ne mos të kemi marrëdhënie ekonomike me Kinën siç edhe kishim përpara 1978-ës? Na bashkon e kaluara dhe e ardhmja me Kinën.”
Në mediat shqiptare gjenden gjithashtu edhe artikuj të raportimit ndërkombëtar që vihen në
shërbim të interesave të një aktori tjetër të tretë në Shqipëri, siç është Turqia. Kështu një portal shqiptar, duke raportuar në detaje për fjalën e ambasadorit turk në një aktivitet të organizuar nga një universitet me pronësi turke në Tiranë, citon thëniet e ambasadorit se “Turqia ka qenë një nga të paktat vende që ka arritur një ekuilibër të drejtë midis lirisë personale, ekonomisë, jetës shoqërore dhe jetës publike. Ne ende mbajmë nën kontroll virusin nën udhëheqjen vizionare të presidentit tonë Erdoğan (Nënvizimi ynë – Rr.Z.). Në situatën e pandemisë edhe aleatët më të afërt u kthyen kundër njëri-tjetrit për furnizimet mjekësore. Sidoqoftë, Turqia shkëlqeu përmes diplomacisë dhe dërgoi pajisje mjekësore në mbi 150 vende të botës duke përfshirë SHBA-në, disa shtete evropiane të tilla si Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Spanja. Kjo dëshmon se Turqia është një partner i besueshëm në luftën kundër sfidave globale”.
A përfaqësojnë këto raste sinjalet e lindjes së një lloj mercenarizmi në raportimin ndërkombëtar në mediat shqiptare? Përgjigjja shteruese për këtë pyetje i tejkalon kompetencat e këtij shkrimi. Si hulumtues, ne mbetemi në shpresë të kërkimit shkencor apo investigimit të mëtejshëm për të verifikuar hipoteza të tilla.
Duke monitoruar zonën e komenteve poshtë shkrimeve, është konstatuar edhe prania e një
kategorie komentesh etikisht korrekte, por që ngjasojnë me komente të ardhura nga zyrat e
marrëdhënieve publike të shërbimeve diplomatike. Kështu në një koment nën shkrimin “Serbia ka shtruar tapetin e kuq për Kinën por me çfarë çmimi?”, thuhet: “Sikur Shqipëria te kishte marrëdhënie kryesore me Kinën, do ishte shume përpara, do ishin bere shume gjera te mira ne ekonomi dhe ne infrastrukture. Gjiganti kinez është shume i fuqishëm madje edhe me shume se Amerika. Deri sot nuk kemi pare ndonjë gjë e mire apo ndonjë fitim nga Amerika me përjashtim te reformës ne drejtësi. Por edhe kjo reformë është gjysmë reforme…”
Të tilla komente kanë filluar të jenë gjithnjë e më shumë të pranishme në mediat online, dhe me këtë rast çështja që shtrohet është: A do të duhet të jenë të hapura mediat shqiptare për të tilla komente që iu shërbejnë zyrave të PR-it të aktorëve të tretë të cilët duan që me çdo mjet (në këtë rast edhe përmes komenteve) të shtrijnë ndikimin e tyre në Shqipëri? Politika editoriale e tyre në këto raste duhet të jetë e qartë, e mirëpërcaktuar dhe natyrisht në shërbim të interesave të vendit./institutemedia.org