Nën thirrjen për të “Folur shqip” Autoriteti i Mediave Audiovizive organizoi sot një takim me synimin për të nxitur mbrojtjen dhe dashurinë ndaj gjuhës sonë.
“Duke pasur këtë lloj ndërgjegjeje, menduam të zhvillonim këtë takim, i cili nuk besoj se do të jetë i pari” u shpreh Armela Krasniqi, kryetare e AMA-s.
Mesazhet që u përcollën nga gjuhëtarë e pedagogë, veçmas shkuan për mediet. Përdorimi i shpeshtë i huazimeve të panevojshme, përfshirë emërtimin e emisioneve në gjuhë të huaj, titujt ‘abuziv’ dhe me gabime të lajmeve, bënë që të pranishmit të theksonin nevojën për më shumë filtra.
Në jetën e përditshme të rinjtë thonë: ‘A e pe ‘Dance-ing mbrëmë’, ‘A e pe Big-un mbrëmë’ etj., pra përfshin një fjalë të gjuhës angleze, që për një popullsi të vogël si e jona, shpeshherë është e dëmshme”, shprehet pedagogia Linda Mëniku.
Rivlerësimi i rolit të redaktorit letrar, veçmas për mediet e shkruara, por edhe ndërfutja e programeve kompjuterikë apo doracakëve virtualë në redaksitë mediatike u paraqitën si elementë që do të përmirësonin situatën dhe në përhapjen korrekte të standardit të shqipes.
“Për shembull, unë them që fjalën “speaker” e zëvendësojmë me fjalën “folësi”, por fjalën “spiker-oj” s’kemi asnjë nevojë që ta përdorim. Pra, secili prej nesh në punën e tij, si gazetarët ashtu edhe gjuhëtarët, mund të bëjë një punë të vogël që është me rëndësi të madhe”, shprehet akademiku dhe gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj.
Ky takim vjen pas Peticionit të firmosur nga një grup akademikësh e studiuesish, drejtuar edhe AMA-s, ku kërkohet monitorim dhe të merren masa konkrete për rastet që deformojnë gjuhën shqipe.
“Kjo letër nuk ka ardhur ende në institucionin tonë, sapo të mbërrijë, në bazë të ligjit, rregulloreve, akteve nënligjore që ka institucioni ne do të veprojmë”, shprehet më tej Krasniqi.
Një nga problemet që shtrohet në peticion është edhe dezinformimi, ku individë të caktuar paraqesin hipoteza shkencore të pabazuara.
“Ma merr mendja që është e mira e kombit shqiptar, e kulturës shqiptare që për probleme të tilla të rëndësishme siç është historia e Gjuhës Shqipe, apo origjina e saj…, kërkojnë njeriun kompetent që është marrë me to”, thotë akademiku Shkurtaj.
Një nga rastet, që i është dhënë më shumë zë është pretendimi, se shqipja është gjuha më e lashtë në botë. Por çfarë mund të bëjë AMA në rase të tilla?
“Institucioni funksionon në bazë të ankesave, ne kemi Këshillin e Ankesave që është një strukturë e pavarur në institucion. Dhe, institucioni pasi e merr ankesën për atë përmbajtje audiovizive, e shqyrton, e analizon dhe më pas del në një konkluzion që ua komunikon edhe palëve”, thotë më tej Krasniqi.
Mungesa e fjalëve zëvendësuese për terma të caktuar të huaj bëri që të cekej nevoja për mobilizim më të madh të gjuhëtarëve. Një nga nismat që pritet të vijë në ndihmë, është edhe Fjalori i madh i Gjuhës Shqipe që po përgatitet nga Akademia e Shkencave.
“Jemi duke punuar ‘me dhëmbë të shtrënguar’ që ta bëjmë sa më mirë, brenda afateve të caktuara dhe t’u japim juve që e përdorni shumëçka, se gjithçka nuk gjendet”, shton më tej gjuhëtari Shkurtaj.
Gjuhëtarët në këtë takim përmendën edhe rolin vendimtar të teksteve dhe mësuesve përmes të cilëve përçohet shqipja.
“Kryesorja në këtë është shkolla, nëse shkolla ua mëson gabim gjuhën, ose nuk arrin t’ua përçojë siç duhet, për shkak se tekstet dhe mësuesit nuk janë të efektshëm, atëherë do të vijnë rezultatet që kemi sot”, thotë gjuhëtarja Anila Omari.
Institucionet akademike, në këtë aspekt kanë kërkuar që t’u jepet prioritet nga Ministria e Arsimit botimeve të certifikuara. Por, përtej Peticionit të bërë publik, a ka pasur AMA, ankesa nga institucione apo individë lidhur me keqpërdorimin e gjuhës shqipe në media?
“Në fakt për Gjuhën Shqipe në institucion nuk kemi pasur ankesa”, thotë Krasniqi.
Me në fokus ndërgjegjësimin, AMA premtoi të tjera takime e seminare mes grupeve kryesorë të interesit.