Nga Dr. Bledar Kurti
Njeriu është “homo sapiens” që do të thotë: qenie inteligjente. Por ndër ne lindin e jetojnë edhe “homo universalis” qenie universale, polimathë. Njerëz të tillë e kanë gjenezën nga një vendndodhje gjeografike por që kurrë nuk kanë një vendmbërritje, pasi janë qytetarë të botës, frymorë të jashtëzakonshëm të cilët mbajnë mbi supe barrën e epokave, përçojnë artin, dijen, fjalën dhe përvojën njerëzore, si të shkuar ashtu edhe të pandodhur, gardianë të portave hyrëse në terrina yshtjeje e dimensione të paperceptuara mendimi e krijimi. I tillë është Fate Velaj i cili me artin, penën dhe konceptet e tij tejkohore e mishëron më së sakti “homo universalis.”
Vdekatarët vlerësohen kryesisht për çfarë bëjnë e rrallëherë për çfarë janë. Fate bën dhe është. Ashtu si vetë fjala Art, që kuptimin më të saktë e ka nga gjermanishtja “kunst” që do të thotë Plotësi, edhe Fate Velaj është plotësi. Art që merr frymë e që shpaloset përmes pikturës, letërsisë, fotografisë dhe mjeteve krijuese që lidhin shtete, kultura, kontinentë, kohë dhe botë.
Kjo nuk është një ode për Faten por një impresion, një skicë e një tabloje të pangjyrosur, mbi triologjinë e tij Kreuztanne, e përbërë nga romanet: Kreuztanne, Nilkon dhe Itaka. Një triptikë fjalësh, një triologji porsi një ditar, ku autori të fton për një shëtitje në një lokacion pa emër e pa kohë, e të tregon rrjedhën e jetës së tij, e cila çuditërisht e magjishëm duket se është edhe jeta jote, e madje jeta e të gjithëve.
Kjo triologji nis me akull e përmbyllet me diell, por sakaq tregohet hollësishëm një udhëtim i jashtëzakonshëm stinësh emocionale e përvojash njerëzore. Fillon me vitin 1991, me Faten emigrant i cili tregon: “Ika më datë 19 korrik për në Pejë të Kosovës, te familja Tigani, për të bujtur tek ata atë natë e të nesërmen, me autobusin e kompanisë ‘Rusolia Tours”, me 100 marka gjermane në xhepin e pantallonave të cilat, që të dukesha më i madh, i kisha veshur dy numra më të mëdhenj, u nisa për Austri.” Atje, u caktua të banonte diku mes maleve të Sankt Antonit, te hoteli Gathaus Kreuztanne, duke nisur një jetë të re, e cila rezultoi gjarpëruese por drejt pedestalit, fillimi i një rrugëtimi që do e afirmonte atë si artist e kurator me ekspozita në Vjenë, New York, Bukuresht, Shkup, Kajro, Brimingham, etj, një ambasador fisnik i forcës përbashkuese që arti i bën kulturave, kombësive, kontinenteve, e madje edhe vetë kohës, siç ishte koncepti “Arti përmirëson kohën”, i realizuar në shkurtin e vitit 2002 në Vjenë e në maj të po atij viti, në Shkup, me synimin, ashtu siç shkruan ai te triologjia: “si artist të jepja ndihmesën time në përmirësimin e kohës.” Por duke mjekuar me kurën dhe balsamin e artit edhe vurrata reale kombësish përmes ekspozitës “Good morning Balkan” e cila “Do të ndërtonte kështu një rrjet urash shpirtërore që do të lidhnin fort me njëri-tjetrin vendet e Ballkanit të cilët, pak vite më parë, ishin përfshirë nëpër luftëra absurde e kishin përgjakur përrenj e lumenj, fusha e male, fytyra fëmijësh e pleqsh, burrash e grash, duke lënë në hi e flakë shtëpitë e tyre … Një thirrje për zgjimin e rajonit që për vite e vite me rradhë kishte qenë zhgjëndrra e vetvetes.”
Këto ura artistike, sikurse edhe ekspozita “Midis Danubit dhe Nilit”, nisma të cilat përmes penës ai i shpjegon se: “ndërtojnë urat duke i lidhur me njëra-tjetrën qimet e penelave të trazuara me ngjyrat e dala nga shpirti i tyre (artistëve nga vende të ndryshme të botës)”, jo vetëm e zgjuan vëllazërinë njerëzore ndër-kontinentale e universale, por e shtegtuan Fate Velajn në një skërkë të së ardhmes: “Udhëtoja në të ardhmen time. Në vende të ndryshme, ku s’kisha qenë kurrë më parë e ku takoja njerëz që s’i kisha njohur kurrë më parë. Përjetoja situata të tjera, momente ndryshe, ndjenja të reja,” shkruan ai. Një përvojë transcendente e cila rezultoi me akordimin e titullit “Profesor” dhe medaljen e lartë “Kryqi i artë i kalorësit të shkallës I” nga Presidenti i Austrisë, medaljen “Nderim i Republikës” nga Kryeministri i Austrisë, medaljen “Civi Europaeo Preamium” (Qytetar Evropian) nga Presidenti i Parlamentit Evropian, e vlerësime të tjera të panumërta në SHBA, Itali e gjetkë, të cilat e plotësojnë, porsi një film kinematografik, narrativën e pabesueshme të një emigranti të thjeshtë i cili dëgjon britmën e brendshme të artit, dhe nga një spektator në ndenjësen e fundit të sallës në teatrin e jetës, arrin ta përçojë forcën krijuese si një titullar i dalluar mbi skenën e rezervuar veç për ata që bartin titullin “homo universalis.”
E megjithatë, dallohet qartë te veprat e triologjisë Kreuztanne, se boshti i qenies, i artit, penës, dhe mendimit të Fates është Vlora. Ajo mbetet Itaka e tij: “Mos e hiq Itakën nga sytë, rikthimi yt atje është i paracaktuar dhe mos e merr me ngut udhën, le të zgjasë edhe disa vite më shumë, e të rikthehesh i plakur në ishull, i pasur në kujtime.” “Mos e harro nga u nise!” shkruan ai, jo vetëm për lexuesin por si një kujtesë për veten, “Mos e harro Vlorën. Ajo do të mbetet Itaka jote,” një emblemë shpirti.
Këto fjalë janë një imazheri e gjallë, tinguj nostalgjie, apo skena përmbullëse të filmave neo-klasik si ato të Giuseppe Tornatore, fjalë që na pëshpërisin në vesh: Rrugëtova sa më shpejt të mundja, sikur po arratisesha nga malli, nga pafajësia, nga ajo. Koha ka kaluar shpejt dhe unë kam dashuruar shumë qytete. Dhe teksa ato më kanë mbajtur afër e nën përqafimin e tyre, duke më pyetur në heshtjen krenare nëse do t’i kujtoj gjithmonë, unë u jam përgjigjur: “Po, do t’ju kujtoj.” Por i vetmi vend që nuk e kam harruar asnjëherë është ajo që nuk më pyeti kurrë… Vlora. Ndaj edhe britma e shpirtit të Fates nuk shurdhet kurrë: “Mos e harro Vlorën.”
Kjo kambanë që tingëllon nga brenda me tinguj modestie na kujton perandorin e shquar romak Marcus Aurelius, i cili, i dashur nga njerëzit e i adhuruar prej tyre porsi perëndi, caktoi një prej skllevërve të tij, që, teksa ai ecte në rrugët e Romës nën brohoritjet dhe përuljen e romakëve, t’i pëshpëriste në vesh perandorit në çdo hap: “Je vetëm njeri. Je vetëm njeri.” Edhe Fate Velaj, me të gjitha arritjet, udhëtimet dhe ekspozitat e tij anëembanë botës, i bindet vullnetshëm zërit të qenies së vet: “Mos harro nga vjen. Mos e harro Vlorën. Ajo është Itaka jote.”
Thuhet shpesh, rëndomë, se dikush ka penë të fortë për të shkruar, ka dorë për të pikturuar, ka sy për të fotografuar, ka gojë për t’u shprehur, etj. Por, e vërteta është që të gjitha krijimet burojnë nga shpirti i thellë, i plotë e i bukur. Pa qenien, asgjë nuk manifestohet. Pa qenien gjithçka është një mosgjë. Qenia e Fates është vigjilente për të manifestuar përmes fjalës dhe imazhit edhe kujtimet e së ardhmes.
Te pena e tij dallohet se ai është një vëzhgues i mprehtë i natyrës njerezore. Personazhet përshkruhen ne detajet më minimale. Është një antropolog i jetës së njerëzve të zakonshëm. Na mëson që çdo individ per se ka një histori për të treguar, se gjithësecili ka të orkestruar partiturën e jetës së vet, se çdo fytyrë ështe një portret që meriton të ekspozohet në galerinë universale të jetës dhe shoqërisë.
Fqinjët, kamarierët, takimet e rastësishme me të panjohur, përshkruhen me më shumë intensitet e ndjenjë se personalitete me grada dhe ofiqe te larta. Personazhet e tij janë të skulpturuara me fjalë. Ato na kujtojnë portretet e Franz Xaver Messerschmidt, skulptorit gjermano-austriak, i cili eksploroi gamën e emocioneve, personaliteteve dhe mimikave njerëzore. Atë që Messerschmidt e realizoi në vepra skulpturore, Fate e ka realizuar me letërsi, por madje duke e kapërcyer karakterin personal njerëzor, duke shpalosur mjeshtërisht përmes tyre perfaqësi kulturore e kombësie, siç i gjejmë te boshnjaku, turku, egjiptiani, serbi, rumuni, cifti britanik, vajza arabe, maqedonasi, etj, gjithësecili identifikues i historisë së popullit të vet përmes një a dy rreshtash të koncentruar mrekullisht. Ky minimalizëm goditës dallohet edhe te erosi i veprave të tij: “Vajza po lexonte një libër… La librin mënjanë dhe vendosi syzet e diellit. Nuk isha në gjendje ta shihja se ku e kishte të fiksuar shikimin. Syzet ishin me xham të errët. Të miat po ashtu. Ndoshta po shihnim njëri-tjetrin,” shkruan ai te Itaka, vepra përmbyllëse e triologjisë.
Në tërësi veprat me shumë personazhe rezultojnë në dështim. Janë lodhës, topitës për lexuesin dhe rraskapitës për vëmendjen njerëzore. Kjo nuk vlen për romanet e Fates. Përkundrazi, kjo dobësi e letërsisë është pika më e fortë e tij. Shoqëruar me qëndrime politike të rrepta e tejet të sinqerta ndaj momenteve historike shumë-kombëshe, triologjia Kreuztanne është një odise e kohëve moderne, një ditar jo vetëm i autorit por edhe të gjithë lexuesve. Në të gjenden të gjitha hapat e pakapërcyeshëm të jetës, LINDJA, si për shembull ajo e vajzës së tij Helena; VDEKJA, si ajo e prindërve dhe e foshnjës së palindur, një përshkrim rrëqethës e tronditës që të le pa frymë; HUMBJA, si në rastin e dëgjimit, moment i vështirë fizik që Fate e përshkruan në mënyrë të goditur e mbresëlënëse: “Iu luta Beethoven-it. I thashë të m’i hiqte zogjtë nga veshi. T’i ulte nëpër telat e të gjitha violinave të orkestrës së tij dhe të këndonin vendçe po të donin. Të m’i linte në zemër. Në shpirt. T’i çonte ku t’i donte qejfi, por nga veshët të m’i hiqte. Doja të dëgjoja fëmijët e mi. Gruan time. Nënën time,” e padyshim edhe MALLI për Itakën e tij, Vlorën, e cila ndihet si simfoni në çdo faqje, e në të gjitha qasjet e autorit, në atë si shkrimtar, fotograf, kurator e piktor: “Mora furçën tjetër, e zhyta thellë në enën e madhe dhe fillova të krijoja disa figura të çuditshme, si të ardhura nga thirrjet në kujtesë të fragmenteve e përjetimeve të situatave imagjinare dhe takimeve të kryera gjatë atyre udhëtimeve të çuditshme, që diku kishin ndodhur dhe ndonjëherë do të vinin në jetën time. I përhumbur mes ngjyrash dhe notash, mes erës së bojërave dhe notave të Beethoven-it, që sapo kishin filluar të dëgjoheshin, përzier me trokitjen e takave të këpucëve që depërtonin nga jashtë dritares, më në fund, u ula përsëri në karrige dhe sodita atë që për gati tridhjetë minuta më kishte përpirë në thellësinë e saj, si gropat thithëse plazheve të Vlorës… Ndihesha vërtet me krahë. Fluturoja mbi blunë e pikturave të mia, si pulëbardhat mbi anijen e Baçit kur kthehej mëngjeseve nga peshkimi.”
“Kjo është ajo që i mashtron njerëzit,” tha filozofi dhe dramaturgu Jean-Paul Sartre. “Njeriu është gjithmonë tregimtar historish. Ai jeton i rrethuar nga historitë e veta dhe të të tjerëve. Përmes tyre ai sheh gjithçka që i ndodh atij; dhe përpiqet ta jetojë jetën e vet sikur po i tregon ato.” Fate Velaj shkruan atë që jeton, dhe jeton në mënyrë të pakohë të ndodhurën dhe të pandodhurën. Në secilin dimension ARTI, FJALA dhe LIRIA janë konstantet dhe trinia e qenies së tij: Arti i kulluar si përshpirtje për errësirën mendore, fjala si mjet emancipimi njerëzor, dhe liria si kushtrim zgjimi për vëllazërinë universale.
Për ta përmbyllur me Sartre, “Njeriu është i dënuar të jetë i lirë” tha ai, “sepse sapo hidhet në këtë botë, ai është përgjegjës për gjithçka që bën. Varet nga ti t’i japësh [jetës] kuptim.” Këtë qasje ekzistenciale e gjejmë të pranishme te veprat e triologjisë Kreuztanne. Në mënyrë të vazhdueshme autori duket se këmbëngul jo vetëm për përgjegjësinë e tij personale për gjithçka që bën dhe kuptimin që i jep jetës, por e përdor edhe si thirrje e ndërgjegjësim edhe për lexuesin.
“Ka dy mënyra për të mos ndenjur në errësirë: 1. bëj dritë aty ku je, ose 2. dil në diell.,” shkruan ai, duke e parashtruar si postulat për njeriun, pa dallim prejardhje, kulture, gjeografie dhe kohe. “Arti bën ndryshimin. Ndërton urat për komunikim. Pa paragjykime.” Kjo është thirrja e shkrimtarëve dhe e artistëve në tërësi dhe atyre “homo universalis” në veçanti, pasi vdekatarë të tillë janë e mbeten krenarë se nga vijnë por flatërojnë e pluskojnë në hemisfera e largësi si frymorë që udhëtojnë sot në të ardhmen e tyre.
Letërsia bashkëkohore shqiptare vuan nga sëmundja e trashëguar e provincializmit, e autorësisë vetë-izoluese, e cila vërtitet brenda botës së një kafke ballkanike. Fate shkruan si një qytetar i botës, me lokacione e mendësi ndër-kontinentale, me koncepte emancipuese dhe frymëzuese, ad infinitum, për një audiencë gjithëkombëshe lexuesish. Ai shkruan me peshën e forcës së artit dhe me fjalët e kredhur në spektrin e ngjyrave ende të pazbuluara.