Dikush më ndjek, mendoi vajza dhe shpejtoi në rrugicën “Psaras”. Ajo është një rrugicë jo shumë e rrahur nga njerëzit, me dyer të frikshme shtëpish dykatëshe dhe degë portokallesh që, të varura në muret ndarëse të tyre, duken sikur do të të kapin në vrapimin tënd, të dalësh sa më parë nga ky vend aspak mikpritës.
Është errësirë në këtë rrugicë, ndriçimi mungon krejtësisht, as hënë nuk ka sonte.
Vajza kërcet takat prej spille, i kërcet edhe më shumë kur sheh diçka që i ngjan njeriut në atë rrëmujë hijesh.
Duhet të jetë ai, mendoi, mos ndoshta mospranimi im e fyeu? Apo është një nga ata të zakonshmit, që po panë një vajzë me veshje eksituese në rrugë i qepen hap pas hapi, duke hyrë në rrobat e hijes së tyre?
Mblodhi fuqitë bashkë me mendimet dhe kërceu drejt portës së vogël me hekur të ngjyer në jeshile. Trokiti lehtë, asnjë përgjigje, trokiti fortë, porta kumboi me zërin e hekurit të jeshiltë.
Një hije rrëshqiti nga brenda shtëpisë, dera u hap, doli një burrë me fener.
-Kush është? – bërtiti ai.
-Ma hapni, ju lutem, dikush më ndjek, – u përgjigj vajza me zërin e dridhshëm.
Burri nuk u përgjigj menjëherë. Drejtoi fenerin nga fytyra e vajzës dhe kërciti llozin e portës së jeshiltë.
-Hyr dhe më ndiq, – tha me një ton të prerë, ku nuk dallohej asnjë shenjë mikpritjeje.
Hoqi pallton e ngrohtë dhe u ul nga i bëri me kokë i zoti i shtëpisë. Aty ishte një tavolinë, në të cilën vuri çantën e zezë, ku kishte gjërat personale. Dhoma ishte e madhe dhe kishte oxhak.
Burri i tha se do shtrihej përsëri e nëse donte mund të flinte në kanapenë e bollshme të dhomës së pritjes. Rrotulloi kokën si robot, futi duart në xhepat e rrobës së natës dhe duke vështruar me admirim të theksuar mashkullor fustanin e vajzës që i rrinte aq lirshëm në trupin e skalitur, lëvizi buzët e foli prapë:
-S’ka problem, mund të rrini deri sa të zbardhë. Në këtë rrugicën tonë ka shumë errësirë, askush nuk vjen të vërë dritë, vetëm hijet dhe qentë qarkullojnë natën.
Atij iu hap goja.
-Tani ika, natën e mirë, vajzë, – tha, dhe mbylli derën duke hapuar ngadalë.
Shtrirja ishte një zgjidhje e mirë, por mendimi se do të ishte në një shtëpi me një të panjohur, e mbante të lidhur në atë karrike, që i dukej si një ishull në mes të atij oqeani hijesh.
Pas murit që ndante dhomat filluan të dëgjoheshin ca kumbime zërash, më pas disa gërvishtje e më vonë trokëllima të ngadalta. Vajza u trondit. Karrikja filloi të lëkundej. Gjendja në dhomë e frikësoi, i dukej se aty ku më parë kishte gjetur oazin e saj, tani po shndërrohej në një ëndërr të llahtarisur.
Jo, s’duhej të lëvizte, ndoshta ato zhurma ishin pjellë e mendjes së saj të çoroditur. Pas pak u dëgjuan dy goditje në dritaren e sallonit. Xhamat u drithëruan, u drithëruan dhe duart e saj. Nga stomaku i vinte një dhimbje e ngjashme me çastet kur bënte dashuri.
Hodhi sytë në xhamin e dritares. Një degë e gjelbër portokalleje përplasej herë herë në dritaren e sallonit, duke lëshuar një çjerrje të tingullit goditës që përhapej frikshëm në dhomën e madhe.
U qetësua disi dhe vendosi të mos dëgjonte më. Kapi veshët me duart që i dridheshin ende dhe vari kokën në tavolinë.
Trokëllimat pas murit dëgjoheshin edhe më, por tani ishin fishkëllyese, sikur atje të kishin hyrë zvarranikë. Nuk mundej të qëndronte më në ishullin prej karrikeje. Këmbët e çuan tek dritarja ku degëza e gjelbër vazhdonte gërvimën e saj të padurueshme.
Kopshti i portokalleve gjendej aty, veçse ajo s’dallonte gjë, shihte vetëm kopshtin e hijeve, me rrobat e tyre të zeza dhe dorashkat e bardha.
I dukej çudi se ku i kishin gjetur kaq shumë dorashka. Punë e tyre, mendoi. Pas një çasti mbështeti ballin e vogël pas xhamit të ftohtë që ia futi edhe më tepër të dridhurat. Vështroi duke i picërruar sytë, derisa e dalloi atë. Ishte aty, mbështetur pas limonit të vetëm, (mund të ishte dhe portokalle, por asaj i pëlqenin më shumë pemët e limonëve). Kishte veshur hijen e tij, (i rrinte pakës e gjatë). Dorashkat i kishte të bardha, por ajo që e dallonte nga hijet e tjera ishte një beretë fosforeshente që po e verbonte vështrimin e vajzës.
Ç’pamje, mendoi vajza. S’duhet të jetë e vërtetë, jo. Doemos është fantazia ime, ai nuk ekziston dhe bëri për nga dera ku kishte dalë burri.
Mendoi ta zgjonte, t’i tregonte hijen e atij djaloshi, që ajo ia kishte refuzuar dashurinë. Duhej ta shihte atë vezullim, dorashkat dhe beretën e bardhë, rrobat e zeza që shkriheshin nën atë shndritje ireale. Por këmbët ndaluan, s’kishte guxim, as besim, se ai burrë do ta besonte dhe as se do ta shikonte atë pamje ashtu siç e shihte ajo. Dhe më e keqja do e hidhte përjashta në atë rrugicë, ku nata ishte një mbretëri hijesh me rregullat e tyre.
I vetmi mendim që i erdhi në kokë ishte të ulej përsëri në karriken e saj shpëtimtare. Aty ndoshta do të qetësohej dhe mund ta merrte dhe gjumi.
Vuri re se trokëllimat dhe ajo fishkëllimë zvarranikësh pas murit kishin heshtur, ndërsa gërvima e degëzës së gjelbër të portokalles ende s’pushonte. Megjithatë tani
ishte më e qetë. Ajo drithërimë dhimbjeje po e linte dalëngadalë.
I vinte gjumë. Vari kokën në tavolinën e madhe.
Dikush e preku në sup. Ishte burri i cili iu duk më i ri se natën e kaluar.
I tha të kesh kujdes, të mos kalosh natën në rrugicën “Psaras”.
Ajo e falenderoi duke hedhur çantën e zezë personale në krah dhe bëri të dilte pas burrit nëpër korridorin e gjerë të sallonit. U gjend në kopshtin e portokalleve, ku çuditërisht pa se kishte vetëm një pemë limoni dhe në tokë, tek rrënjët, qëndronin dorashka dhe një beretë e bardhë. Nuk foli, as e pyeti burrin pse gjendeshin aty. Prania e burrit e tmerroi tani më shumë se nata. U largua e shoqëruar nga gërvima e shulit të portës së hekurt me ngjyrë jeshile.
Takat prej spille gjëmonin pak, pasi zërat po zgjoheshin, duke ua lejuar hijeve të flinin.