Takimi për “Lindur së prapthi” – Rita Petro

Takimi për “Lindur së prapthi” – Rita Petro

Europe House ftoi Rita Petron, kandidaten e Shqipërisë për Çmimin e Bashkimit Evropian për Letërsinë, për të një “udhëtim” nëpër kujtimet e saj të fëmijërisë në Shqipërinë gjatë regjimit komunist, përmes romanit “Lindur së prapthi”.

Dashamirësit e librit panë botën përmes syve të një fëmije të quajtur “e lindur së prapthi” nga familja e saj, duke zbuluar poezi të ndaluara, miqësi të pabesueshme dhe sfida të jetës nën regjimin komunist. Pjesa më e bukur? Pjesëmarrësit biseduan me zonjën Petro mbi librin dhe temat që ai prek.

Sakaq Rita Petro ndau mendimin për këtë takim duke u shprehur kënaqësinë me të cilin e priti:

“E pranova me shumë kënaqësi ftesën nga Europe House në Tiranë dhe më shijoi shumë bashkëbisedimi nga një këndvështrim tjetër i romanit “Lindur së prapthi”. Kjo falë pyetjeve dhe çështjeve që ngriti një nga gazetaret aq profesionale të kulturës, Fatmira Nikolli. Folëm për mesazhet që vijnë (spontanisht) nga romani në lidhje me dëshirën për fshirjen e kufijve të cilat i krijojnë politikat e mbrapshta të djeshme e të sotme (fragmenti kur fëmijët shohin me dylbi çfarë ndodh në rezidencat e Rrugës së Ambasadave); pranimi i diversitetit kulturor (personazhi i Milit); rebelizmin (së prapthi) që mund frikën; dukurinë e bullizmit aq të pranishme në shoqërinë e sotme; raportin me njerëzit me aftësi ndryshe dhe dhimbjen e kritikën kur ata ndihen të përjashtuar (personazhi Maro përhitura), dhunën ndaj grave, disa prej të cilave kthehen në viktima e disa që sfidojnë, arrijnë te liria duke krijuar një jetë të lumtur (personazhi kryesor dhe disa peronazhe femra); përpjekja për të qenë në një rresht me vendet e zhvilluara europiane dhe kritika për mendësinë komuniste e mentalitetin patriarkal, që barten ende në ditët e sotme etj.

Bashkëbisedimi me të rinjtë i solli shumë vlerë aktivitetit, pasi ata vunë në dukje që shumë paragjykime ndaj tyre, i bëjnë të rinjtë mosbesues e të tërhequr.

Gjej rast të shpreh falenderime për drejtoreshën e QKL-së, Alda Bardhylin, e cila dha një shpjegim të hollësishëm për përzgjedhjen e këtij romani i cili i plotësonte të gjitha kriteret e vendosura nga EUPL. Po ashtu ishte një kënaqësi të merrja disa përqasje me veprat apo personazhet e letërsisë europiane nga Ana Kove, shkrimtare dhe përkthyese e veprave në gjermanisht, shkruar prej autorëve të sotëm më të rëndësishëm.”