Kush nuk ka dëgjuar për Dorian Grein? Djaloshi me bukuri prej perëndie që nuk plakej kurrë se nuk kishte një shpirt, por në vend të tij vese të shumta që i kalbën portretin e varur në mur.
Të gjithë e dimë se kjo vepër është kolosale dhe shënjon për të gjithë ata që e lexojnë mendime të thella mbi bukurin dhe lidhjen që kjo e fundit ka me shpirtin. Gjithashtu dimë edhe që portreti i këtij djaloshi ishte vepra më e fuqishme e Oskar Wilde me mesazhin kryesor që bukuria qëndron në shpirt dhe një rini e përjetshme nuk vlen aspak kur nuk ke zemrën e mbushur me dashuri.
Të gjitha këto i dimë. Por kush e shtyu Dorianin e brishtë në këtë blasfemi që bëra kundrejt shpirtit të tij? Piktori që e lëvdonte dhe e ruante si një muzë që s’mund ta shihte askush, ai që e njohu me Lord Henrin, apo ky i fundit që i vu në dukje fuqinë madhështore dhe të tmerrshme që kishte bukuria e tij.
Miqësia e tij me Lordin ishte një marrëdhënie e të folurit e të vepruarit, Henri predikonte imoralitetin dhe Doriani e praktikonte. Ndërkohë që mësuesi qëndronte i pastër në jetën e tij, portreti i djaloshit djaloshar kalbej i varur në mur duke i dhënë atij rininë dhe bukurinë e përjetshme, si ta kishte puthur Afërdita.
Por mos vallë fati i tij ishte vendosur që në ngjizje? I biri i një vashëze të pasur plot nur dhe çitërsi që u martua kundër dëshirës së të atit me një pirat gjakatar. Vdekja e të cilit erdhi si pasojë e një urdhërese nga babai i tërbuar nga turpi duke marrë në shtëpi të bijën të ve dhe shtatzanë. I rritur pa dashurinë e prindërve dhe pa atë të gjyshit Dorian Grei mbeti i vetëm, i rrethuar me njerëz që i lëvdonin bukurinë dhe domosdo ajo do të bëhej gjëja me e shtrenjt për të.
Ai vdes, portreti rimerr bukurinë, por nga Dorian Grei nuk mbeti asgjë, hiç, një kotësi e mbushur me të liga.