Kam vënë re se nuk flitet shumë gjerësisht për jetën tragjike të Evgjeni Grandes, kjo për shkak se ajo nuk pati një fund tragjik të ardhur nga dashuria ose nuk shkaktoi një të tillë. Evgjenia nuk humbi prestigjin e saj në shoqëri dhe në fund jetën për shkak të dashurisë si Ana Karenina e gjorë. Ajo as nuk ëndërroi për një dashuri si nëpër romane romantike e në fund të mos gëzonte dot jetën si Emma Bovari.
Evgjenia as nuk ishte ndonjë bukuri e rrallë si Helena e Trojës kështuqë për të nuk u ndeshën për vite me rradhë dy kombe të mëdha. As nuk u ribashkua me dashurinë e vërtetë në fund të jetës si Fermina Daza e Marques. Për të nuk u bënë dyluftime, as dhurata marramendëse, nuk u kënduan këngë në netët e gjata të verës, por as nuk u shkruan poezi në netët e dimrit. E gjora Evgjeni e kaloi jetën nën kopërracërin e të atit, e pas vdekjes së tij, e kaloi jetën nën zakonet që ai kishte vënë për të që në vegjëli.
Ajo ishte më fatkeqe se të gjitha personazhet e përmendura më sipër, sepse ajo ishte e vetmja që u tradhëtua akoma pa rënë mirë në dashuri. Atë e tradhtuan pasi i vodhën jo vetëm monedhat e saj të çmuara, por edhe shpresën për të qënë e lumtur, edhe ndjenjën për të qënë e dashuruar e mbi të gjitha asaj i vodhën vullnetin për të qënë e dashur nga të tjerët.
Evgjenia ishte një vajzë plot ëndrra e shpresa të shtypura, që nuk mundi kurrë t’i nxirrte në sipërfaqe e të sakrifikohej për to. Ajo ishte me fatkeqja se të gjitha!
Vazhdimësia e jetës që jetoi ishte e mjerueshme, vetëm një kokërr sheqer në çaj, një fustan të ri vetëm në prag të fundvitit, oxhaku ndizej vetëm në ditët festive, mobiliet e shtëpisë nuk ndërroheshin përsa kohë që e kryenin akoma funksionin e tyre.
Shtëpia nuk ndryshoi pas vdekjes së plakut Grande, zymtësia mbeti, rregullat mbetëm, verdhushkat nuk u harxhuan dhe Evgjenia frymonte më kot.