Dëmshpërblim prej 15 mln lekë të vjetra, për pronat që do të shemben pranë Amfiteatrit në Durrës.

Dëmshpërblim prej 15 mln lekë të vjetra, për pronat që do të shemben pranë Amfiteatrit në Durrës.

I ofrohen 15 mln lekë të vjetra, për të lënë banesat e ndërtuara pranë amfiteatrit. Qeveria nuk i ofron zgjidhje qytetarëve duke i dhënë dëmshpërblime të cilat në vlerën e tregut nuk mund të mbulojnë kostot e një dhome të vetme.

Artan Kacani Urbanist/ Pedagog:

“Një prej zonjave që banojnë në këtë lagje, i është vendosur në dispozicion një shumë prej 15 milion lekësh të vjetra, vlerë kjo e cila në tregun aktual është krejtësisht e pamjaftueshme për të blerë një banesë qoftë edhe në periferi të qytetit.”

“Plani i Menaxhimit të Integruar të Zonave Arkeologjike ‘A’ dhe ‘B’ “për qytetin e Durrësit, i shpallur nga qeveria si një projekt vizionar dhe me ndikim në ruajtjen e arkeologjisë, duket se për të disatën herë radhazi ka mbetur pezull dhe ende nuk dihet fati i tij.

Projekti i bujshëm do të kryente transformimin e siteve arkeologjike duke nxjerrë në pah zbulimet e plota arkeologjike, si ai i amfiteatrit, sakaq do të synohej të rijetëzoheshin monumentet gjysmë të zbuluara dhe të nxirreshin në sipërfaqe.

Artan Kacani

Të paktën 89 objekte prekeshin ka ky projekt dhe kërkohet shpronësimi i tyre nga ana e qeverisë. Bashkia Durrës në përgjigjet në faqen e saj zyrtare të kërkesave për informacion bën me dije se një ndër ngërçet kryesore ka qenë pikërisht shpronësimi.

Përgjigje e Bashkisë Durrës:

“Për shkak se në disa nga pronat që preken nga projekti “Restaurimi Dhe Rikualifikimi Urban I Zonës Perspektive Tid, Me Vendndodhje Në Parkun Arkeologjik Durrës” janë në bashkëpronësi të më shumë se një familje, është e vështirë të percaktohet numri i familjeve të prekura nga shpronësimet.”

RevoKult ka intervistuar urbanistin dhe pedagogun Artan Kacani familjarë të të cilit preken nga shpronësimi duke zbuluar më tepër për procedurat.

Artan Kacani Urbanist/ Pedagog:

“Deri më tani qytetarëve të kësaj zone, nuk i janë dhënë opsionet e zgjedhjes, pra do të thote se kemi të bëjmë me një shtet të së drejtës i cili nuk funksionon, pasi nuk mund të merret si referencë çmimi i kadastrës për metër katrorë, kur ky i fundit është shumë herë më i ulët se çmimi i tregut. Qeveria ka alokuar fondet dhe ka kryer depozitimet e shumave në logaritë e familjeve të cilat do të dëmshpërblehen, por deri më tani, këto familje nuk kanë firmosur në banka për tërheqjen e tyre, që do të thotë se përsa kohë shumat nuk preken dhe dokumentat nuk firmosen, praktikisht banorët nuk janë dakord. Kjo sjell si rezultat më shumë zvarrijte për këtë proces si për familjet, si për qeverinë e cila nuk ofron mundësi zgjedhjesh për banorët.”

Një ndër banesat e cila është pjesë e listës së objekteve që do të shemben, është dhe banesa e arkeologut durrsak të njohur Fatos Tartarit, i cili ndërroi jetë marsin e vitit që lam pas po në atë banesë. Ndërkohë që dhjetra familje të tjera janë familje historike të një zone ku kanë ndodhur zhvillime të mëdha historike.

Artan Kacani Urbanist/ Pedagog:

“Këto banesa kanë ekzistuar këtu prej më shumë se 200 vitesh dhe familjet në këto banesa janë ndër familjet më të vjetra durrsake të cilat paguajnë taksa rregullisht, prandaj meritojnë të trajtohen me dinjitet. Përpos kësaj, kemi të bëjmë me një ndër lagjet historike të qytetit tonë, ku kanë jetuar familjet që kanë zhvilluar qytetin dhe historinë e saj, prandaj nuk mund të zhdukim një pjesë funksionale dhe në vazhdimësi të historisë, për të nxjerrë në pah një histori që ka përfunduar tashmë.”

Pavarësisht problematikave që has projekti, në vitin 2021 (07.12.2021) është zhvilluar dëgjesa e fundit publike për projektin “Restaurimi dhe Rikualifikimi Urban i Zonës Perspektive TID, me vendndodhje në Parkun Arkeologjik Durrës”, dhe deri më tani, banorët pranë amfiteatrit, vetëm në janar të këtij viti kanë marrë një njoftim se banesat e tyre preken nga ky projekt. Sakaq këta të fundit dhe biznesmenë të zonës kanë drejtuar kërkesat e tyre pranë bashkisë, ku ende janë në përpunim nga instancat përkatëse dhe nuk ka asnjë shenjë për zhvillim të mëtejshëm.

Ndër të tjera Odisesë së shpronësimeve dhe zhvillimeve të projekteve arkeologjike, nuk i dihet fundi, pasi nga Bashkia Durrës deklarohet se procesi i shpronësimit nuk ka një afat të caktuar për përfundim, ndërkohë që shumat e ofruara në llogaritë bankare janë të pamjaftueshme.