ALISA VELAJ – NARRATIVA E SË PAPRANISHMES NË TEKSTIN LETRAR

ALISA VELAJ – NARRATIVA E SË PAPRANISHMES NË TEKSTIN LETRAR

Nga Alisa Velaj

Novela “Aksinja e Holtës” e Fatos Arapit

Novela “Aksinja e Holtës” u botua për së pari në Tiranë nga BOTIMET TOENA më 2002, si pjesë e librit me novela “Nuk shitet shpirti në tetor” në faqet 63- 84. Është padyshim nga prozat më të bukura të Fatos Arapit dhe mbart në kodifikimin e saj letrar, një lidhje të fortë metonimike me titullin e përmbledhjes. Lexuesi priret të besojë në rrëfimin e autorit për personazhin me emrin Aksinjë, sepse edhe hyrja e novelës pikërisht këtë shpalos: udhëtimin e një gazetari që udhëton nga Tirana drejt Holtës, për të realizuar një dokumentar rreth këtij fshati të largët, thuajse një humbëtirë. Miku i hershëm i gazetarit, Zamiri, me origjinë nga ky vend, i pat theksuar dikur se “Holta është vetëdënuar në vetharriminin e saj”. Ky shenjues në tekstin letrar është karremi narratologjik i gjithçkaje kodon teksti në pjesën tjetër të narracionit. Rrëfimi vjen në vetën e parë dhe ajo që presim nuk ndodh. Gazetari i sapoardhur nuk dashurohet me asnjë Aksinjë, ndonëse anekënd Holtës ndeshet me praninë e fshehtë të dashurisë dhe dëshirimin e pashmangshëm të botës mashkullore nga vajzat e gratë e humbëtirës.

“Kërciti një dritare e brenda saj nxorri kokën një grua. Qéndroi aty gjersa unë u largova tutje.’

“Mullixhiu doli dhe hodhi shikimin përqark, priste fshataren, pastaj nisi të shkarkojë mushkën vetë. Atëherë zbriti poshtë edhe femra. Të dy hyjnë brenda në mulli”.

Nuk përmendet askush asnjë Aksinjë, madje asnjë emër tjetër femre. Narrativa josh me një personazh të munguar, që shpallet në titull, por nuk dëshmohet askund. E papranishjma është në fakt enigma më e bukur e tekstit. Ndërthurja e ngjarjeve të tjera ngjizin hap pas hapi pikërisht këtë të papranishme misterioze për lexuesin. Një tekst letrar mund të shpalosë mungesa primare dhe dytësore, sipas teoricienit Patrick Fuery. Mungesa primare del jashtë çdo konteksti relacional të pranisë. Mungesa primare ekziston më vete, e pavarur nga çdo ndjenjë e pranisë. (1) Kjo lloj ndjesie në formë paksa habitore, ndodh dhe me lexuesin e novelës. Aksinja nuk shfaqet sepse nuk ekziston realisht. Ama herët e vonë ajo ka për të ardhur në një formë apo në një tjetér, sepse rrëfimi i autorit s’mund t’i referohet diçkaje që nuk gjendet në asnjë prej kuptimeve të shtresëzuara të tekstit letrar. Kjo ndodh me Aksinjën si alegori e shpirtit të lirë; e njeriut që lulëzon shpirtin me praninë e ndjenjës më të bukur. Me burrin apo gruan që i përfalet ndjenjës së dlirë të shpirtit të përtërirë të dashurisë, atje në djerrinën ku gjithë burrat ia kanë shitur shpirtin një bote me botkuptim aq të vockël.

Aksinja shndërrohet kështu në të munguarën fatale të asaj çka shohim me sy në atmosferën mbytëse të Holtës dhe të asaj çka fillojmë të parandjejmë me zemër të ngrirë se do të ndodhë. Pra femërorja është mungesa primare (çka fshihet) dhe mungesa dytësore (çka ndjell zbulesën) e këtij rrëfimi. Mungesat dytësore janë ato që rrjedhin gjithmonë nga një gjendje pranie. Ato nënkuptojnë praninë që pranon kontekstin e saj relacional, fiton prej saj strukturat e tyre epistemologjike dhe ontologjike dhe tregojnë vendet e pranisë. Ato ruajnë dhe madje përforcojnë, binarizmin e pranisë dhe mungesës. (2) Narratori fillon të tregojë vendet e pranisë së mungesave që në hapje të novelës, teksa rrëfimi bëhet pjesë e zërit autorial kur kumton me fjalët: “Dashuria, mendova une…Këtu malet e vendosin njeriun në një ngastër tokë, në një grimcë qiellit, por shpirti i tij i burgosur ëndërron hapësira të tjera.” Shpirti i burgosur i njeriut të humbëtirës është déshmia e parë e protagonistit dhe njëherazi narratorit të veprës. Por ama ky protagonist kundrues edhe frigohet prej asaj që mund të ndodhë, edhe nuk do ta besojë se të tilla ndodhi mund të ekzistojnë ende.

I gjithë dramaciteti i veprës ngjizet në elementët përshkrimorë dhe dialogët me dy personazhet burra, Ago Arëza dhe Mërgimi. Deri dhe emrat e tyre janë simbole të veprimeve e shpirtërave që mbartin. Ago Arëza mban gjallë agimin e një mentaliteti të perënduar; është drita e trishtë zbehtanake e humbëtirës që vret dashurinë. Mërgimi është shpirti i lirë, i tejmbushur me mirëqenien e dashurisë . I mërguari prej asaj bote hijesh, ku dashuritë vriten e gjymtohen, pasi drita e emancipimit vritet nga ligësia e njeriut të vogël, që mali i zë dritën e pamjes së vërtetë, pamjes së gjallë të njeriut të lirë.

Shenjuesit përshkrimorë të Ago Arëzës.

“Ishte Ago Arëza, vendas nga Holta. Kokë inatçore, një shikim të mbyllur e të rrëzuar, mustaqet i mbante për qejfin e burrit, te ai njeri kishte një mllef të egër që i ziente përbrenda”.

Shenjuesit përshkrimorë të Mërgimit.

“Fytyra e berberit kishte një bardhësi të zbehtë, të tejkëqyrshme si të njeriut që ka lënguar gjatë. Fasha që i mbulonte hundën e prerë ishte e neveritshme dhe i arrinte gati te dy sytë e mëdhenj, rrethuar si prej avujsh të errët qirinjsh të ikonave. Diku thellë ata sy ishin të qetë dhe lëshonin një dritë mirësie të përvuajtur”.

Dekodifikimi kuptimit alegorik të tekstit nis me mungesën primare që gjendet në dialogun me Ago Arëzën dhe mbyllet me praninë e mungesës dytësore në bisedën e grimcuar e të koduar me Mërgimin e gjymtuar nga vrasësit e dashurisë.

“Domethë ajo fshatarja të solli natën gjer këtu, – pyeti tani më shumë i rënduar në vete.

Ja përse ta presin hundën në Holtë.”

(Dialogu me Ago Arrëzën)

“- Nuk ke frikë nga këta? Berberi drejtoi trupin, ngriti kryet e tha: – Hije…janë hije… vetëm hije”

(Dialogu me Mërgimin)

Aksinja e Holtës, e papranishme askund në rrëfim si një personazh real, fillon e merr jetë si prani përmes tragjedisë së një burri që shëmtohet sepse di të dashurojë dhe të dashurohet ndryshe. Të dashurojë në emër të lirisë që të jep dashuria. Tiranët e dashurisë, ata që shkojnë tej çdo ligji tokësor e hyjnor duke i prerë hundën, në fakt kanë vrarë dhe lirinë e tyre. Arapi poet ka një varg brilant në poezinë me të njëjtin titull ku shkruan: “Me frymë tiranësh ndoten fatet e mia”. Sigurisht se poezia i referohet një konteksti krejt tjetër, por vargu e përshkruan bukur mirë dramën e personazhit të Mërgimit. Ndërsa vrasësit e lirive të tyre gjithashtu bëjnë që Holta të vetdënohet në vetharrim.

Përtej rrëfimit të ngjarjeve të lexueshme, Holta është alegori e shoqërive të përhumbura diktatoriale, që nuk e pranojnë me kollaj përndritjen e shpirtit dhe lirinë e individit. Ndoshta Holta është vetë Shqipëria, me shpirtërat e shitur të klasës politike shqiptare në kaq shumë vjet!

Vlorë, tetor 2024.

(1) Patrick Fuery, The Theory of Absence: Subjectivity, Signification, and Desire, London: Greenwood Press, 1995.

(2) po aty.

Alisa Velaj