Autore: Ina Allkanjari – INA Media
Pronësia e medias në Shqipëri është përqendruar në duart e disa familjeve të fuqishme biznesi, të cilat zotërojnë shumicën e audiencës. Ky përqendrim jo vetëm kufizon lirinë e shtypit, por ngre shqetësime për ndikimin politik, pavarësinë e medias dhe transparencën. Gazetarët gjenden gjithnjë e më shumë mes integritetit profesional dhe presioneve të censurës apo auto-censurës në një peizazh të dobësuar mediatik.
Komisioni Evropian, Reporterët pa Kufij, Freedom House, Departamenti Amerikan i Shtetit, Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt në Ballkanin Perëndimor, si dhe organizata të tjera, kombëtare e ndërkombëtare e cilësojnë Shqipërinë në raportet e tyre periodike si një vend me rrezikshmëri të lartë, sa i përket lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve. Kjo situatë ka ardhur drejt një përkeqësimi gradual, veçanërisht gjatë viteve të fundit, aq sa në Indeksin e Lirisë së Shtypit për vitin 2024, të publikuar nga Reporterët pa Kufij (RSF), Shqipëria renditet në vendin e 99, e parafundit në Evropë, duke lënë pas vetëm Turqinë.
Përqendrimi i pronësisë së medias në duart e pak bizneseve dhe konflikti i interesave mes botës së biznesit dhe politikës, korniza e mangët ligjore dhe dhuna ndaj gazetarëve janë problemet kryesore, që nënvizohen në çdo raport vjetor të institucioneve dhe organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare. Edhe pse vendi ka nisur negociatat për anëtarësim në BE, gjendja e lirisë së medias në Shqipëri vijon të jetë alarmante, me një situatë që duket se më shumë se interesit publik i shërben biznesit dhe politikës.
Mbi dy të tretat e audiencës në duart e 4 familjeve
Në vitin 2016, pavarësisht thirrjeve të organizatave ndërkombëtare të medias dhe të demokracisë, Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë pikën 3 të nenit 62, në Ligjin për Mediat Audiovizive 97/2013. Ky nen ndalonte çdo person fizik ose juridik, që të kishte më shumë se 40% të kapitalit të përgjithshëm të shoqërisë aksionare, që zotëron një licencë kombëtare për transmetimet audio apo audiovizive. Ankimi si antikushtetues ishte bërë në gjykatë nga Shoqata e Mediave Elektronike të Shqipërisë – e drejtuar nga pronari i TV Klan, Aleksandër Frangaj, – ku bëjnë pjesë televizionet dhe mediat më të mëdha në vend, me argumentin se bie ndesh me parimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe barazinë para ligjit.
Me këtë vendim Gjykata Kushtetuese i hapi rrugë të drejtës së pronësisë dhe përqendrimit të medias në duart e pak individëve ose familjeve biznesmene, që veprojnë në tregje shumë të rregulluara si ndërtimi, pasuritë e paluajtshme etj. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi një muaj para miratimit nga Parlamenti të Reformës në Drejtësi dhe nisjes së vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët, që ishte edhe objekt i debatit të nxehtë, publik.
Si për ironi, procesi i vetingut nisi pikërisht me gjyqtarët e Kushtetueses, ku 8 nga 9 prej tyre, ose ngecën në rrjetën e vetingut për parregullsi në figurë dhe mosjustifikim të pasurisë, ose u tërhoqën nga detyra, duke shmangur përballjen me procesin e vetingut.
Sipas Monitorit të Pronësisë së Medias, të përgatitur nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarëve Investigativë (BIRN) në Shqipëri, në vitin 2023, dy të tretat (rreth 87%) e audiencës zotërohet nga 4 pronarë televizionesh: familja Frangaj me TV Klan, familja Hoxha me televizionin Top Channel, familja Hysenbelliu me televizionin News24 dhe Panorama Group, si dhe Carlo Bollino me Report TV. Kjo shifër është gati dy herë më e madhe se i njëjti studim i bërë në vitin 2018 nga BIRN në Shqipëri, ku katër pronarët kryesorë kishin midis 48.93% dhe 58.6% të audiencës televizive pa pagesë.
“Shumë nga të dhënat e studimit vijnë nga regjistrat e biznesit, por jemi përpjekur, që të mbledhim dhe të dhëna mbi transparencën e mediave nëpërmjet kërkesave direkte për informacion.
Jo të gjitha mediat iu janë përgjigjur në mënyrë pozitive kërkesave për informacion”, – tregon për INA Median Besar Likmeta, kryeredaktor i BIRN-it në Shqipëri.
Edhe pse në Shqipëri mungojnë të dhëna të besueshme të audiencës nga një agjenci e autorizuar dhe e pranuar nga të gjithë, ky përqendrim i madh i një pushteti dhe një rëndësie si ajo e medias, si dhe i informimit publik në duart e disa grupeve familjare, ngre hije të forta dyshimi mbi marrëdhënien dhe presionin politik, financimin e medias dhe paanshmërinë e saj. Në raportin për vitin 2023, RSF thekson se, liria e shtypit dhe pavarësia e mediave në vendin tonë janë në rrezik për shkak të konflikteve të interesave mes botës së biznesit dhe politikës, kornizës së mangët ligjore dhe asaj partiake.
“Në Shqipëri liria e shtypit dhe pavarësia e medias kërcënohen nga konfliktet e interesit midis botës së biznesit dhe asaj politike, një kuadër ligjor me të meta dhe rregullore partiake. Mediat më me ndikim shqiptar të sektorit privat zotërohen nga një pjesë e vogël e kompanive, që kanë lidhje me botën politike në sektorë shumë të rregulluar, si ndërtimi. Financimi shtetëror përfaqëson një burim kryesor të të ardhurave për median, por shpërndarja e tij, e errët dhe diskriminuese ngre dyshime për shitje të ndikimit”, – shkruhet ndër të tjera në Raportin mbi Lirinë e Medias, të publikuar nga Reporterët pa Kufij.
Në vitin 2023 Parlamenti i Shqipërisë miratoi ndryshimet në Ligjin e Medias, të cilat ishin një transpozim i pjesshëm i Direktivës së Komisionit Evropian, 2018. Këto ndryshime u fokusuan më tepër në forcimin e rregullave sa i përket raportimit etik dhe të barabartë të komuniteteve të margjinalizuara, mbrojtjes së të miturve dhe seksizmit në media. Një nga ndryshimet kishte të bënte me riformulimin e nenit 32, ku mediat audio dhe audiovizive duhet të deklarojnë edhe përpara Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA) pronarët përfitues dhe jo thjesht shoqërinë/të aksionare.
Për Blerjana Binon, drejtuese e qendrës SCIDEV dhe përfaqësuese e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt në Ballkanin Perëndimor, kjo është e pamjaftueshme, nëse do të ndalemi vetëm tek emrat dhe nuk do të shohim lidhjet e pronarëve me segmente të politikës ose të krimit të organizuar.
“Elementi tjetër këtu është që, dakord, mund të bëhet transparenca e pronarëve, por mbetet për t`u thelluar më tepër me mekanizma të tjerë, për të parë lidhjet dhe interesat e këtyre pronarëve me qeverinë, ose me botën e krimit të organizuar, ose me politikën, ose me aktorë të caktuar, të fuqishëm ekonomikë e me radhë”, – shprehet Bino.
Në një situatë të tillë, ku ndërlidhen interesa të ngushta financiare të medias me politikën, bëhet edhe më e dyshimtë etika dhe neutraliteti i medias përballë informimit publik, duke cenuar, jo vetëm lirinë e shprehjes, por edhe integritetin dhe sigurinë e vetë gazetarëve. Pikërisht këta të fundit duket se gjenden përballë dy zgjedhjeve: të konformohen me censurën apo auto-censurën ose të jenë besnikë të integritetit profesional me koston e kërcënimeve dhe intimidimeve të mundshme.
Gazetarët përballë ndikimit të politikës dhe vetë-censurës
Pedagogu dhe drejtuesi i qendrës Medialook, Elvin Luku, shprehet se, përqendrimi i pronësisë së mediave në duart e pak personave është një nga problemet më të mëdha, që ka liria e medias në Shqipëri.
“Përqendrimi i medias është një nga problematikat kryesore në vendin tonë, por jo vetëm, që ndikon në censurimin ose vetë-censurimin e gazetarëve. Po të shikojmë, sidomos në këto pesë vitet e fundit, mediat e organizatave joqeveritare prodhojnë gazetari investigative dhe një pjesë e mirë e gazetarëve të kontraktuar punojnë në mediat audiovizive. Përse ndodh kjo? Si është e mundur, që këtë kontent ata nuk e prodhojnë për mediat ku punojnë?” – thotë Luku për INA Median.
Sipas një studimi të realizuar nga qendra Medialook në vitin 2023, në 10 prej mediave kryesore audio dhe audiovizive në vend lajmet e bazuara mbi njoftimet për shtyp të institucioneve publike, si Bashkia e Tiranës, kanë një shkallë përputhshmërie prej 93-99.5%, duke ngritur pikëpyetje kritike për pavarësinë e gazetarisë dhe vërtetësinë e shpërndarjes së informacionit. Jo publikisht, një pjesë e gazetarëve pohojnë se për lajmet e gatshme “është udhëzim nga drejtuesit që t’i publikojmë, siç janë ose me ndryshime të vogla”, fakt ky që rezulton edhe nga studimi i bërë.
“Kur gazetari futet në një strukturë pronësore të medias audiovizive, ai, ose censurohet drejtpërdrejt nga kjo strukturë, ose vetë-censurohet dhe nuk arrin që të prodhojë gazetari cilësore, por raportime që shpeshherë iu shkojnë për shtat aksionerëve të medias. Zgjidhja për këtë është, ose decentralizimi i mëtejshëm i strukturës pronësore, ose gazetaria alternative, që vjen nga reporterët freelance apo ajo e organizatave joqeveritare”, – shton Luku.
Ndalimi i publikimit të lajmeve dhe raportimeve, që bien ndesh me interesat e pronarëve të medias, është një realitet që tashmë pranohet publikisht edhe nga vetë gazetarët. Ola Xama tregon se thuajse të gjithë gazetarët janë përballur me një realitet të tillë.
“Nuk besoj se ka ndonjë media private, që nuk ka ndonjë kundërshtim, qoftë nga ana e kryeredaktorëve, qoftë ndonjëherë e drejtpërdrejtë edhe nga ana e pronarëve. Ajo që më është thënë në pjesën më të madhe të rasteve, është që “nuk mund të raportojmë lajme, që janë në kundërshtim me interesat e kompanisë”, – thotë gazetarja, Ola Xama.
Megjithatë, për gazetarin e televizionit Ora News dhe njëherësh kryetarin e Asociacionit të Gazetarëve Shqiptarë, Isa Myzyraj, jo të gjithë mund të shfrytëzojnë thirrjet e organizatave, pasi një pjese të gazetarëve iu ndalohet që të shkruajnë për media të tjera.
“E mira është që, flas në realitetin shqiptar, ka ende disa hapësira, edhe pse janë shumë të kufizuara, ku gazetarët mund të shpërfaqin të gjithë krijimtarinë e tyre jashtë televizioneve apo mediave, ku ata punojnë; edhe pse televizione apo media të ndryshme kanë politika editoriale, që mund të mos i lejojnë gazetarët e tyre, që të shkruajnë apo që të transmetojnë në një media tjetër”, – shprehet Myzyraj.
Media online, një çorganizim i organizuar
Nëse media tradicionale duket të ketë vështirësi sa i përket pluralizmit dhe mangësive në kuadrin ligjor, një zhvillim të rëndësishëm dekadën e fundit ka pësuar media online, e cila në Shqipëri vijon të operojë në një treg të parregulluar ligjërisht. Edhe pse nuk ka një shifër zyrtare, në Shqipëri mendohet se operojnë mbi 700 portale online, të cilët çdo ditë publikojnë informacione dhe lajme, ku për pjesën më të madhe të tyre nuk ka transparencë sa i përket pronësisë, numrit të punonjësve dhe financimit.
Nisma e qeverisë në vitin 2018 për hartimin e Ligjit për Mediat Online, e njohur si Paketa Antishpifje, dështoi pas presionit të medias vendase, faktorit ndërkombëtar dhe opinionit të Komisionit të Venecias, të cilët ngritën pikëpyetje të mëdha mbi vullnetin e kësaj nisme, duke e bërë atë një shembull se si nuk do të duhet të zhvillohet një proces kaq delikat.
Megjithatë, për shkak të detyrimit për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, vendi ynë duhet të miratojë një kuadër ligjor, sipas rekomandimeve të Këshillit të Evropës dhe Komisionit të Venecias, sa i përket veprimtarisë së medias në tërësi dhe asaj online në veçanti. Për Blerjana Binon ky detyrim, që buron nga procesi i negociatave për anëtarësim, duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe mbi të gjitha të saktësojë entin rregullator të këtij tregu, i pandikuar nga politika.
“Ajo që kërkojmë është që AMA apo qeveria të saktësojnë se kush është institucioni, që do të merret me këtë. Pra, nëse është AMA, atëherë të sigurojmë, që do të ketë një proces gjithëpërfshirës, konsultues, transparent, sepse për AMA-n ne kemi kontestime dhe kemi rezerva shumë të mëdha për paanësinë”, – thotë Bino.
Ndërsa Luku e shikon këtë proces me skepticizëm dhe që kërkon një kujdes të shtuar, që te definicioni i medias informative dhe gazetarisë qytetare apo blogjeve, për të mos censuruar fjalën e lirë.
“Nëse flasim për blogje apo gazetari qytetare, nuk mund të ketë rregullim, pasi cenohet e drejta e individëve për t`u shprehur lirshëm. Nëse flasim për media online, jam për regjistrim në organet tatimore, për të formalizuar aktivitetin ekonomik, pajisjen me NIPT, regjistrimin me adresë, duke i siguruar dhe duke i paguar në mënyrë të rregullt gazetarët, por jam skeptik për çdo lloj rregullimi tjetër përmbajtjesor”, – thotë ai.
Pavarësisht lirisë së pakufizuar që ka media online, po aq i madh është edhe ekspozimi përballë presioneve që media dhe organizata mediatike të pavarura kanë. Shpesh janë raportuar raste të intimidimeve ndaj gazetarëve përmes rrjeteve sociale apo sulme të koordinuara online, që kanë çuar deri në mbyllje të faqeve të këtyre mediumeve. Të fundit ishin Citizens Channel dhe qendra Medialook, të cilët u bënë pre e sulmeve kibernetike, të llojit DDoS, me IP nga India, nga Pakistani dhe një numër i madh syresh nga Rusia. Llogaritë në rrjetet sociale të këtyre mediumeve u mbyllën, qoftë edhe përkohësisht.
Rriten sulmet verbale e fizike, gazetarët gjithnjë e më të pasigurt
Në një treg mediatik, të ndërthurur me interesa të ngushta mes biznesmenëve të fuqishëm dhe politikës, gazetarët dhe punonjësit e medias duket të jenë të pafuqishëm dhe lehtësisht të ekspozuar përballë rreziqeve.
“Patjetër që sot është bërë më e vështirë që të bësh gazetari. Gazetarët ndihen të pambrojtur përballë kësaj situate dhe unë besoj se mbrojtja e gazetarëve ka mbetur vetëm në retorikën e një konference për shtyp, të një deklarate, të një klisheje, që ne promovojmë lirinë e medias, por nuk është se është bërë shumë në zbatimin e kësaj”, – thotë gazetarja Xama.
Në korrik 2023, gazetarja investigative, Ola Xama, u cilësua si “vrasëse me pagesë” nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kur ajo e kontaktoi atë për të komentuar për një investigim mbi kontratat e menaxhimit të mbetjeve. Rasti i gazetares Xama solli reagime të shumta në mbrojtje të saj nga kolegë dhe organizata mediatike. Për INA Median gazetarja Ola Xama tregon si e përjetoi këtë sulm, ku dhe thekson se në asnjë moment nuk e ka menduar të tërhiqet nga profesioni dhe profesionalizmi.
“Në çdo raportim që unë kam bërë, në çdo histori që unë kam shkruar pas kësaj ngjarjeje, frika ka qenë e madhe, se çfarë mua do më presë, por nuk më ka bërë që të tërhiqem nga profesioni dhe që të mos shkruaj më. Kjo është zgjedhja ime, por nuk i dihet, nëse kjo mund të jetë zgjedhje për gazetarë të tjerë, të cilëve iu ndodh e njëjta situatë”, – thotë ajo.
Sipas Blerjana Binos, duhet të ndërtohet një mekanizëm mes organeve ligjzbatuese, posaçërisht për sulme ndaj medias dhe gazetarëve, i cili të reagojë shpejt, sa herë që ka incidente të tilla.
“Duhet të ndërtohet një mekanizëm ndërinstitucional, pra prokurori, polici, gjykatë, shoqata, organizata të medias, idealisht edhe përfaqësues parlamenti, që të reagojnë në mënyrë të shpejtë, në rastet kur gazetarët ose punonjësit e medias, ose ata që janë freelancer, janë të sulmuar. Elementi i dytë është ngritja e databazës, në mënyrë të tillë që të mund të gjurmosh sa raste janë dhe ku jemi me hetimin dhe nëse janë dënuar fajtorët apo jo, sepse një problem kryesor është edhe pandëshkueshmëria”, – thotë Bino.
Në raportin e Rrjetit për Gazetarë të Sigurt në Ballkanin Perëndimor vihet re një rritje eksponenciale e rasteve të dhunës verbale dhe asaj fizike ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias në Shqipëri, deri në dyfishim, nga 33 raste në vitin 2022, në 73 raste në vitin 2023.
Ndërsa vetë gazetarët ndihen gjithnjë e më të pambrojtur dhe të papërfaqësuar, duke i bërë ata skeptikë, jo vetëm ndaj institucioneve publike, por edhe për “dritën në fund të tunelit” se një ditë situata do të përmirësohet. Por, si mund të përmirësohet ky realitet dhe çfarë duhet të bëjë media dhe gazetarët?
“Së pari, duhet konsolidimi i proceseve të vetorganizimit dhe krijimi i Sindikatës së Gazetarëve dhe kontratës kolektive. Së dyti, përforcimi i zbatimit të ligjit për kodin e punës dhe i rolit të Inspektoratit të Punës për inspektimet përmes një metodologjie sipas standardeve evropiane dhe të konsultuar gjerësisht, për të shmangur përdorimin e njëanshëm ose selektiv.
Së treti, ndërgjegjësimi dhe fuqizimi i gazetarëve apo i punonjësve të medias për të ndjekur rrugën ligjore në rast të pushimeve të padrejta nga puna apo cenimeve të kontratës – ndaj dhe shoqatat e konsoliduara, sindikatat apo ndihma ligjore falas janë thelbësore në këtë drejtim”, – shprehet Blerjana Bino.
Me nisjen e negociatave për anëtarësim në BE një nga detyrat që Shqipëria do të duhet të plotësojë është edhe përmirësimi i lirisë së medias dhe krijimi i një mjedisi që promovon transparencën, aksesin në informacion dhe zhvillimin e medias. Konkretisht, liria e medias, zhvillimi i saj, si dhe transparenca dhe aksesi në informacion janë pjesë e seksionit të parë (cluster) gjatë procesit të negociatave me vendin tonë. Kjo duket të jetë edhe shpresa e vetme për median në vendin tonë që të ndryshojë kurs, duke ia rikthyer atë misionit të informimit të publikut.