Nga Alisa Velaj
Pasi mbaron së lexuari librin “Vikama e tingullit” kupton se nuk ke të bësh thjesht me një biografi të gjeniut të muzikës, shkruar nga njeriu i tij i zemrës. Është shumë më tepër se kaq. Vera Lohja Ibrahimi, me këtë libër, dashur padashur ka arritur të përshkruajë një copëz të Shqipërisë në dy kohë: diktaturë dhe postdiktaturë. Peizazhet ku ka kaluar jeta e saj me Feim Ibrahimin, si bashkëshort dhe krijues i përmasave të mëdha, kalojnë në dy periudha historike, ku ndonëse liria dhe joliria fitojnë të tjera statuses, mjerimi ynë shpirtëror si shoqëri mbetet po i njëjti.
Habitja e parë nis me stilin. Vera Ibrahimi e ka shkruar biografinë e Mjeshtrit me mjeshtëri rrëfimore të rrallë dhe një stil që është vetëm i saji. Sado të shprehet në tekst se nuk është shkrimtare, modestia e zonjës së kompozitorit s’ka arsye pse të merret në konsideratë në këtë rast. Teksti vjen i rrëfyer nga një dorë tejet e stërvitur dhe po të mos e dish se eshte libri i parë dhe i vetëm i autores, kurrsesi nuk ke për ta besuar.
Ndihma që kjo biografi u jep studiuesve të muzikës shqiptare në përgjithësi dhe në veçanti stuidiuesve të trashëgimisë artistike të Feim Ibrahimit, është tepër e madhe. Formimi profesional i zonjës Ibrahimi nuk ka lidhje me muzikën. Në jetë ka qenë redaktore letrare dhe profesoreshë e letërsisë, por për studiuesit e veprës së kompozitorit, autorja e biografisë merr rolin e bukinistit Mendel. Cilido muzikolog do ta ketë shumë më të lehtë studimin e veprës së Mjeshtrit pasi të lexojë librin “Vikama e tingullit”, pasi aty përmenden me referenca të plota artikujt dhe studimet më të mira për Feim Ibrahimin. Ndoshta zbulimi i kompozitorëve të preferuar apo lloji i muzikës që dëgjonte, do të jenë gjithashtu një reference e mirë për studiuesit e rinj.
Sado i talentuar të ishte një artist, sado mendjehapur për ta shpënë përpara vendin e tij përmes kontakteve përtejkombëtare, kurrsesi nuk kapërcente dot pengesat e pakapërcyeshme që izolimi i diktaturës shqiptare u vinte personaliteteve të të gjitha fushave. Biografia na mëson përmes dokumentave dhe letërkëmbimeve origjinale si fakte të pakundërshtueshme nga askush, se Feim Ibrahimi ishte i parakohshëm për mentalitetin shqiptar si në kushtet e diktaturës, si në kushtet e lirisë së rrejshme. Ai u përpoq me forcë titanike të krijonte kontakte me botën perëndimore dhe me arritjet më të mira të artit botëror me aq sa mundte dhe me aq sa kuptohej. Po me ç’lexohet fare qartë në faqet e kësaj biografie të shkruar me kaq objektivitet, kompozitori as u kuptua dot ndonjëherë ashtu si duhej. Pataks më shumë se gjithçka indiferenca dhe vanitoziteti i krijuesve të tjerë, që ndonëse janë lëvrues të mëdhenj në lëmitë përkatëse, mbeten aq të vegjël si njerëz.
Mjafton të përmendim vetëm një pasazh nga libri për ta kuptuar gjithë punën dhe zhgënjimin e tij për krijimin e një mentaliteti ndryshe të Shqipërisë, përmes futjes së muzikës sonë në një prej organizatave më të shquara botërore.
“Gjithçka kishte hyrë në rrugën e mbarë. Por vjen tetori i vitit 1992 dhe sipas Statutit të Komitetit Nacional të Muzikës Shqiptare, duheshin bërë zgjedhjet e reja.
Kishin kaluar dy vjet që Feimi ishte kryetar dhe, si i përpiktë, planifikoi zgjedhjet. Gjithçka u përmbys. U vlerësuan shkarazi përpjekjet e Feim Ibrahimit në atë betejë trembëdhjetëvjeçare dhe pastaj u zgjodh Komiteti i ri, ku emri i Tij nuk figuroi më.
[….] lidhjet me CIM-in thuajse u prenë, derisa u prenë përfundimisht.” (Marrë me shkurtime nga faqet 122-123 të biografisë.)
Çfarë ndodh me ne shqiptarët që mbetemi përherë ishull i vetmuar, si kur jemi të izoluar në politikë, si atëherë kur duket se Europën e kemi pas dere? Cilat janë shkaqet e refuzimit të përhershëm të talenteve të mëdha? Si shpjegohet që kjo tokë lind me shumicë talente, por papritur e pakujtuar del një emër diku që përpiqet ta mohojë gjeniun e prijësin e mendimit të lirë, duke e lënë këtë atdhe në regres? Feim Ibrahimi në diktaturë u akuzua për mungesë të frymës kombëtariste në veprat e tij, ndërsa në demokraci u la mënjanë vetëm pse guxoi t’i nxirrte jashtë kufijve kryeveprat e artit shqiptar. Cilét janë këtu patriotët dhe cilët janë tradhëtarët? Nga i vjen ky mallkim Shqipërisë? Duket sikur përsëritet i njëjti fat gjeneraté pas gjenerate. Lexuesit e brezave më të rinj arrijnë të mësojnë kaq shumë për kompozitorin dhe kohën e tij. Arritjet më të mira në artin shqiptar ende nuk po krijojnë dot lidhjet e duhura me botën. Në shumicën e rasteve ka vetëm arritje të personaliteteve të veçanta, që arrijnë të zënë vend jashtë kufijve si individë dhe jo inisiativa zyrtare që ta kryejnë kontaktin e trashëgimisë sonë më të mirë shpirtërore me botën kulturore përtej nesh. Është e dhimbshme letra e Jordi Roch, kur më 21 korrik 1993 i drejtohet Feim Ibrahimit me fjalët: “Më vjen shumë keq që Ju nuk jeni më kryetar, megjithatë, me sa duket, lidhjet duhen mbajtur vetëm me ju’ (fq 123)
Prandaj them se kjo vikamë nuk është vetëm e tingujve të Feim Ibrahimit, por një vikamë e secilit prej nesh në dy epoka të mbushura me talente, dashuri, sakrifica sublime dhe përherë me një dozë të fortë mohimi që s’dihet pse mbin papritur mes nesh, për të na hedhur në krahët e vet’harrimeve tragjike. Duke dashur të mbetem të mohimi si mentalitet që lë mënjanë korifejtë që e deshën me forcë Shqipërinë, po e mbyll shkrimin me një poezi të Fatos Arapit, mikut të ngushtë në jetë të Ibrahimit dhe njërit prej poetëve që kompozitori bashkëpunoi për krijimet e tij. Éshtë poezia “E kemi ngulur dhëmbin në ajër”, e shkruar në 1980 dhe që tingëllon po aq aktuale dhe sot.
E KEMI NGULUR DHËMBIN NË AJËR
E kemi ngulur dhëmbin në ajër.
Një sy kanibal përgjon trupin tonë.
Dhjetra shpresa të vockëla varrosim përditë.
Hija jonë shpërndan erën ndotëse të kalbjes
të shpitrave pa shpirt, –
në vet’harrimin tragjik.
Të fyer dhe prej vetes,
nuk kemi më turp nga njeriu.
Pa katharsis të shpirtit nuk ka as katharsis të shoqërisë shqiptare!