Rrugëtimi në kërkim të identititetit, një botë e ndaluar e Odin Mondvalsenit – Eduart Bardhi

Rrugëtimi në kërkim të identititetit, një botë e ndaluar e Odin Mondvalsenit – Eduart Bardhi

Ma. Eduart Bardhi

Rrugëtimi në kërkim të identititetit, një botë e ndaluar e Odin Mondvalsenit

  • “Nuk mund të kujtohet gjithçka. Një kujtesë pa boshllëqe do të ishte, për ndërgjegjen e zgjuar, një peshë e padurueshme” F. Nietzche

Trebeshina është një autor që shkroi romanin tradicional, pra një roman që shihet në kuadrin e zhvillimit të traditës, por shkroi edhe një roman me shenja të qarta të modernizmit dhe postmodernizmit. Ky roman konsiderohet si pararendës i letërsisë moderniste shqiptare. Është një letërsi që na vjen si prodhim shpirtëror, por me përftesa moderne. Trebeshina është marrë me të gjitha zhanret letrare, me prozën, poezinë dhe romanin, ndërkohe shkrimtari promovon në letërsinë shqipe elementin e ‘surrealizmit’. Rasti i Trebeshinës na dëshmon se letërsia e vërtetë nuk ka nevojë të mbrohet me anë kriteresh jashtëletrare, letërsia është një udhëtim drejtë të panjohurës, një udhëtim për të zbuluar hapsirat më të panjohura, jetë të reja në pafundësinë e tmerrshme që nuk mund të njihet. Në fakt, megjithëse ditët e sotme Trebeshina është një prej emrave më të diskutueshëm nga kritika, polemikat dhe materiali i veprave të tij, jeta e tij artistike u zhvillua gjatë diktaturës, por arriti të dilte në botim vetës pas viteve ’90. Çfarë e shtyu Trebeshinën brenda morisë së pengesave, përndjekjes, lënies në dritë-hije apo harresë, të vazhdonte të shkruante pa ndërprerje, si një automat i krijimit, pa pasur ndonjëherë sigurinë që do t’ia vlente në fund gjithë ky proces i lodhshëm, dhjetravjeçar artistik? Autori kërkon shkëputjen nga kolektivja, si e vetmja formë e ruajtjes së humanes. Heroi këmbëngul në dëshirën për mëvetësi, dallim, mospranim të njëtrajtësisë konformiste. Kjo lloj forme identiteti është karakteristikë për romanet moderniste të shekullit XX. Kur Trebeshina shkroi Odin Mondvalsen, kuptoi që letërsia ishte rob i rrethanave jashte letrare, i rethanave politike, kështu që Odin Mondvalsen ishte një prerje, një thyrje, një shkatërrim i idealeve të tij. Në një kohë kur në letërsinë tonë i thureshin himne komunizimit dhe metodës së realizmit socialit, një shkrimtar i panjohur merr guximin ta vështroj botën nga sytë e viktimave të këtij komunizmi, të një të burgosuri në psikiatri, duke na dhënë kështu të parën vepër surrealiste në shqipëri e në letërsinë tone.
Në një sfond shoqëror politik të molepsur nga fryma dhe angështia e diktaturës vendoset protagonist kryesor një i sëmurë psikik, duke u bërë një nga përsonazhet e rralla dhe origjinale të romanit shqipëtar. Personazhi ndodhet në pragun e një gjendjeje të rëndë psikologjike, duke përjetuar trauma dhe persekutime që e bëjnë të vështirë dallimin mes ditëve, ngjarjeve, kohëve dhe vendeve, si dhe origjinës dhe pozicionit të tij. Pozita sociale e personazhit është e paqartë dhe e pasigurt; ai mund të jetë në burg, në një spital psikiatrik, apo edhe i lirë. Mendja e ngatërruar e personazhit e ndihmon autorin të shprehë mendime dhe arsyetime filozofike për gjithçka, sepse vetëm një i sëmurë mendor nuk ka frikë nëse thotë fjalë të mençura apo budallallëqe. Autori e shfrytëzon aq shumë trurin e sëmurë të personazhit, duke trajtuar probleme esenciale të asaj kohe, një tronditje e brendshme personazhit si shpërfytyrimi i njeriut në diktaturë, figura e diktatorit, çështja e pronës kolektive, lufta e klasave, shtypja e intelektualit dhe mbizotërimi i të gjitha vesëve që lindin nga një diktaturë çnjerëzore. Kjo ngatërres e qëllimshme e autorit i mundëson atij të theksojë një mesazh të fuqishëm dhe një dëshmi tronditëse se në shoqëritë diktatoriale, jeta është një burg i madh. Por mjedisi ku zhvillohet ngjarja bëhet më intrigues, sepse ato zhvillohen jo në një spital psikik të zakonshëm, por në një spital burgu. Kodi që Trebeshina i ofron lexuesit në këtë roman unik është dekodifikimi i rrethanave ku zhvillohet ngjarja. Ai kodifikon të gjitha elementet e ironisë, groteskut dhe patologjisë estetike, përmes syve të një njeriu me probleme psikike, i cili e percepton realitetin në një mënyrë fantazmagorike. Kjo ndodh në një kontekst ku ata që e rrethojnë nuk arrijnë të depërtojnë për shkak të shterpësisë së tyre fatale.
Heroi i Trebeshinës, në këtë roman, është viktimë e presionit të një shoqërie totalitare, të cilës kërkon ti shpëtojë duke u shkëputur mendërisht prej saj. Në një vend,ku nuk e lejojnë të shkëputet fizikisht e vetmja rrugë për tu larguar, është ajo imagjinare. Ai nuk ndjehet pjesë e kësaj shoqërie absurde ku njerëzit “vrasin gratë dhe kërkojnë ata që shesin qumësht”. Ai mendërisht arrin të jetë ku dëshiron: në Hënë, në Mars dhe të jetë kush dëshiron: të jetë Odin Mondvalsen, danez. Odini refuzon plotësisht ambientin, duke e shkëputur veten nga situata, sepse s’do të jetë pjesë e padrejtësisë. Nëpërmjet mosveprimit, ai refuzon dhe ruan lirinë e brendshme, dhe me imagjinatën e tij krijon një botë tjetër, nëpërmjet të cilës mbijeton. Ne kete roman ndërtohet një personazh antihero, i cili përballet me dhunën e një shteti që kërkon ta tjetërsojë atë. Çdokush prej nesh është një tjetër në raport me një grup të caktuar, mund t’i konceptoj këta të tjerë si abstraksion, si një instancë e konfigurimit psikik të çdo individi, si tjetrin, tjetrin në lidhjet që ai ka me mua, ose si një grup social konkret të cilit ne nuk i përkasim. Odini është i huaj për kohën dhe vendin ku jeton. I refuzon ato, në një mënyrë të veçantë, duke krijuar një identitet të ri. Ky identitet e largon atë në një vend dhe botë tjetër, ndërsa identiteti që krijojnë të tjerët për të është ai denigrues. Trebeshina ka reflektuar në krijimtarinë e tij, përballjen e vazhdueshme të identitetit personal me identitetet false, seleksionuese, e përjashtuese politike. Individi e përcakton identitetin e tij në një rrugëtim të vazhdueshëm lëkundjesh, sepse ai nuk është i ngurtësuar.
Personazhet e Trebeshinës janë sinteza të determinimeve të kontekstit social dhe kulturor të së shkuarës, por edhe të tashmes. Personazhi i Mondvalsenit, e sheh te lire formën e vetme të identitetit. Kur pjesëmarrja në një grup nënkupton identifikim dhe përkatësi, që shpesh keqkuptohet dhe shndërrohet në mungesë lirie dhe shtrëngesë, ai refuzon dhe rebelon duke rrezikuar edhe vetë ekzistencën e tij. Romani fillon me një diskutim ekzistencialist: “ku tregohet kush jam unë dhe kush nuk jam unë” .Përgjigja që marrim që në fillim të veprës nuk na qartëson aspak në raport me identitetin e personazhit, por i vetmi tregues me të cilin mund të dallojmë tiparet e tij, identitetin e tij, raportin e tij me të tjerët, pra atë çka ai është dhe nuk është, është pikërisht emri i tij. Menjëherë ai është i identifikueshëm si tjetri, i ndryshmi, i përjashtuari. Ne të gjithë kemi nevojë të identifikojmë subjekte si tjetri në mënyrë që të përkufizojmë vetveten, kjo është një pasojë e natyrshme e të menduarit të botës mbështetur në dualitete.
Odin Mondvalseni si personazh është një rast i veçantë në letërsinë tonë, për vetë mënyrën me të cilën ai ndërtohet dhe se si paraqitet identiteti i tij. Figura e Mondvalsenit mund të vendoset në dy përmasa interpretimi, së pari Odini është individi i mbyllur në çmendinë, i huaji, tjetri universal, i përjashtuari i cili pohon një identitet që menjëherë e kuptojmë se është i trilluar. Nga ana tjetër, duke parë shenjat e qarta që i japin një referencë kohore ngjarjeve të paraqitura në roman, ai është një i dënuar politik gjatë periudhës së diktaturës, i cili i sëmurë mendërisht, me vetëdije ose jo krijon një identitet tjetër për veten. Gjithçka fillon me Odin, i cili ka mohuar identitetin e tij, ka krijuar për veten një emër të ri dhe një kombësi të re. Odini nuk është thjesht i përjashtuar, ai nuk ka më asnjë ngjashmëri me këtë shoqëri që është krijuar, e cila jo vetëm është e huaj për të, por edhe e tremb me përçudnimin që i ka shkaktuar thelbit njerëzor. Shoqëria ndalon atë qëështë e huaj, por në mënyrë të veçantë në rrethanat e shoqërisë shqiptare, edhe atë që ka frikë. Tjetri, më shumë sesa i jashtëm është Brenda nesh, jemi ne në të shkuarën tonë, dhe në një kuptim më universal jemi ne në raport me rrezikun e tëhuajësimit që na qëndron mbi krye çdo ditë. Frika ndaj tjetrit nuk është gjë tjetër veçse frika ndaj çka nuk duam të jemi apo të bëhemi. Kështu marrin kuptim edhe “pasojat shpirtërore ” të një shoqërie që pas rënies së diktaturës e sheh deri edhe më sot shpëtimin tek largimi prej vendit, identitetit dhe vetes.
Odin Mondvalsen është një roman që e ka zhvlersuar modelin e endjes së subjektit në kuptimin tradiocional, kryesisht të njohur në letërsinë shqipe. Ai largohet romanit kur ngjarjet paraqiten në mënyrë lineare, në mardhënie të drejtëpëtdrejtë shkakësore ku çdo gjë motivohet. Kjo vepër surrealiste u krijua pikërisht në kohën e absurdit komunist duke mos përftuar klishenë socrealiste, atëherë krijimet e Kasëm Trebeshinës vetëm se e pasurojnë artin tonë tradicional, me vepra të cilat i krijoj pikërisht në kohën e duhur dhe në një shtet totalisht i izoluat nga bota e civilizuar.

Realiteti letrar i romanit “Odin Mondvalsen” është krejtësisht i pavarur në letrat shqipe dhe është i veçantë në mënyrën e tij. Ai sendertohet duke ndërthurur dy rrafshe tekstore:
A. Rrafshi i ngjarjeve: Ky rrafsh vendoset në një spital mendor, duke i dhënë një dimension konkret dhe të prekshëm narrativës.
B. Rrafshi i përjetimeve individuale: Ky rrafsh shmang ngjyrat reale, duke ofruar një perspektivë më intime dhe subjektive mbi përvojat e personazhit, që e thekson kompleksitetin e tij emocional dhe psikologjik.
Shpalosja e rrëfimit të identitetit të Odin Mondvalsen-it ishte shpalosja e kredos së absurdit, estetikës së absurdit, linjë të cilës ai i shkon deri në fund, nga çudia në çudi, nga e papritura në të paprituren, nga iracionalizmi i skajshëm në magjinë e ëndrrës së kulluar…
Trebeshina gjatë rrëfimit të vetë lë anash kujtimet e përsonazhit të vetë, kujtime nuk ka pot vetëm çaste që përjetohen gjatë rrëfimit. ‘Pamje’ erotike te Trebeshina lajmërohen drejpërsëdrejti, pa ndihmën paraprake të kujtimeve që do të duhej të shëroheshin artistikisht. Demonstrimi i shumëformësisë së erosit përmes shpërndarjes së personazheve, është vënë në funksion të shpëtimit psikik të Odinit, duke thyer konvencat e akuzës që e quan pacientin të sëmurë mendor. Pra, edhe në dashuri ndihen goditjet e rënda të së keqes, dhunës dhe krimit të organizuar nga shteti. Paradoksi i gjyqit tashmë jo ndaj individit, por ndaj një institucioni si dashuria, paraqitet nga autori si proces ndaj historisë së civilizimit njerëzor. Viktimat e pafajshëm, me sytë dhe zemrën e dashurisë, mposhtin triumfatorët e poshtërimit. Jo vetëm kaq, falë flakës së dashurisë, akrepat e jetës tani lëvizin në drejtimin e trokut shpirtëror. Bashkohen realiteti konkret, ku njeriu humbet dhe copëzohet deri në shperfytyrim, me realitetin e imagjinuar të një dashurie që tejkalon çdo mundësi reale, duke e trajtuar ndjenjën si një liman të ri dhe shpëtimtar të gjenisë, i universit ekzistencial, që kalon përtej rrethanave dhe kufijve hapësinorë e kohorë.
Rasti i Trebeshinës është një shembull i çuditshëm i artistit që dorëzoi lirinë me kryeneçësi të guximshme, duke e pranuar ndëshkimin që e priste. Përkundrazi në diktaturën e çartur shqiptare, Trebeshina përpunoi mendimin e vet artistik, kredon poetike, i dha formë, në burg dhe liri, unit të njeriut dhe të krijuesit. “Odin Mondvalsen” i shkruar menjëherë mbas burgut të parë komunist dhe i botuar katër dekada më vonë, tregon faqet e një historie absurdi të individit shkrimtar në totalitarizëm.
Në një shoqëri të kontrolluar nga fijet e terrorit, roli i krijuesit qe ndjehet ndryshe, mendon përtej njëtrajtësisë dhe synon të materializojë formën e një ëndrre që i bën bisht censurës, është me i papërshtatshmi për t’u mbajtur nga ata që duan me të vërtetë të jetojnë. Në këtë njësi kufizuese krijimi, Trebeshina është rasti i rrallë i krijuesit që nuk qëndron vetëm duke kapur si një varkë shpëtimi alegorinë rrëfimtare në shkrimet e tij, përmes mendimeve të maskuara si buzëqeshje tjetër-kohe Trebeshina identifikon gjithë trazimin e brendshëm ndaj regjimit, ndaj sistemit, prej shpërfilljes së njeriut në diktaturë, ndaj shtypjes dhe robërisë, kolektivizimit dhe humbjes së identitetit njerëzor në kohë. Odin Mondvalsen luan me kohën, që ashtu siç rrjedh, horizontalisht, mund të kthehet dhe pas. Në mes të seriozes dhe gajasje, të logjikes dhe të alogjikes, është historia, politika, ndjenjat, dashuria, shkenca, kultura, të gjitha të nënshtruara apo të ngjeshura nga shtrëngimi mbytës i regjimit me njerëz të shformuar, që kërkojnë të çnatyrojnë dhe ta shformojnë në “kolektivitet” cilindo shpirt të lirë.

Duke patur parasysh vitet e krijimit të romanit Odin Mondvalsen arrijmë të themi që i krijua pikërisht në kohën e absurdit, në kohën e aniromanit, në kohën e rifrymëzimeve. Artsiti e përbiron përsonazhin e vetë, të sëmurë, Danezë Odinin nëpërmjet imazheve artistike, udhëtimet në katër anët e botës ‘duke qëndruar’ në vend hiç pa lëvizur, peripecitë e Odinit i cili ‘rastësisht’ ishte gjendur në vendin dhe kohën e absurdit. Përsonazhi i Trebeshinës është i vendosurnë një kohë të cilën ne e njohim, ndonëse artisti mundohet ta fshehë, ta ‘stërngarkojë’ me metafora dhe në fund të na ofrojë si një kohë që nuk shplon ezoterinë e vet. Më këtë autori arrinë që atë ‘kohën e vet metaforike’ ta vendosë në një kohë edhe më të papërcaktuar. Koha e Trebeshinës është koha e absurdit komunist. Në botën e Odin Mondvalsenit gjithçka është e përmbysur, rrefimi i romanit është ndërtuar kryesisht nëpërmjet krijimit të paradoksit dhe absurdit. Tek Odin Mondvalsen paradoksi është i kapshëm që në titull dhe nëntitull.

  • ‘Odin Mondvalsen’ > Emër i huaj, por ngjarjet zhvillohen në Shqipëri.
  • ‘Histori dashuri’ > Në të vërtet dashuria është e mbisunduar nga dhuna.
  • ‘Drejtësia-Krim’ > Odin Mondvalsen, shqiptar i vetëshpallur danez, nënkupton dëshirën e madhe për liri dhe mendim të lirë. Ai është shpallur fajtor dhe këto veprime konsiderohen si krime politike kundër sistemit drejtues të Shqipërisë.
  • ‘Spitali Psikiatrik-Çmendina’ > Sipas strukturave përgjegjëse, mendimet, fjalët dhe gjendja e Odin Mondvalsen nuk janë normale, dhe për këtë arsye ai është mbyllur në një spital psikiatrik apo spital burgu.
    Veli Karahoda, posaçërisht tek gazeta “Flaka e vllazëritm”, nënvizon: “Zhgënjimi i tij krijues merr dimensionin e përshkrimit të absurdit, automatizmin dadaist dhe surrealist të shprehjes artistike. Po artisti kurrsesi nuk rrihet nga ekstremizmi dhe radikalizmi artistik i ‘krijimeve sipas ligjeve të rastësisë’, krijimeve që bëhen ‘pa praninë e artistit’ të Bretonit, Arpit, Tzares, Hilsenbelmit etj., por krijon duke përfillur shumë pak parime të surrealizmit ‘radikal’, duke nxjerrë moton kryesore, idenë gjenesore dhe esenciale të këtij drejtimi: të krijohet arti duke mohuar logjikën e krijimtarise artistike që del nga zhvillimi tradicional .”, duke e zgjeruar gamën e interpretimit, madje edhe të nuancave vetjake që formëson surrealizmi i Trebeshinës, pikerisht ku romani inskenon tragjedinë e regjimit dhe përndjekjes diktatoriale ndaj individit të pafaj.

Biblogrfaia:

  1. Ciraku Ymer “Dramë universal e njeriut” Tiranë, 2002.
  2. Gjoka Behar “Trebeshina, ajsbergu i letrave shqipe”, Tiranë, 2005.
  3. Karahoda Veli “Posaçërisht tek gazeta ‘Flaka e vllazërimit’” Tiranë, 1998.
  4. Klosi Ardian “Parathenia e Stina e stineve”, Tiranë, 1998.
  5. Mullahi Anila “Veçori poetike të prozës romanore të Kasëm Trebeshinës”, Tiranë, 2013.
  6. Qose Belfjore “SHTRESA FANTASTIKE DHE POZICIONIMI NË DREJTIME LETRARE”, Tiranë, 2015.
  7. Rusi Eris “Përmasat e fantastikes në letërsinë shqipe të shekullit XX”, Tiranë, 2015.
  8. Trebeshina Kasëm “Legjenda e asaj që iku, Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve”, Tiranë, 1992.