Petro Vokopola denoncon paradoksin urban të Durrësit – Shteti betonizon lulishtet dhe shemb shtëpitë për të rikthyer lulishtet

Petro Vokopola denoncon paradoksin urban të Durrësit – Shteti betonizon lulishtet dhe shemb shtëpitë për të rikthyer lulishtet

“Pjesën e padrejtësisë nuk e duroj dot, dhe aty reagoj.” Këto fjalë të Petro Vokopolës, kandidat për deputet në Durrës nën logon e Partisë Demokratike, nuk janë thjesht një deklaratë personale, janë një akt politik. Në bisedë gjatë RevoCast me Aldo Mustafën, Petro Vokopola flet pa filtra për një situatë që, sipas tij, është shembulli më flagrant i një trajtimi të pabarabartë dhe të paarsyeshëm që po u bëhet qytetarëve në zemër të qytetit.

Bëhet fjalë për projektin TID, një iniciativë e Shoqatës Amerikane në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit. Qëllimi: rehabilitimi dhe hapja e amfiteatrit antik, një nismë që në letër tingëllon fisnike. Por pas kësaj fasade zhvillimi, Vokopola ngre shqetësimin për një realitet shumë më të ashpër.


Petro: Pjesën e padrejtësisë nuk e duroj dot, dhe aty reagoj. Për shembull, në lagjen time është një projekt, projekti TID, e bën Shoqata Amerikane në bashkëpunim me Bashkinë. Shumë bukur absolutisht, amfiteatri duhet hapur, por mbi amfiteatrin janë 10 banesa.

Aldo: Të cilat do prishen.

Petro: Të cilat do prishen. Ndërkohë, nuk e di kush është arsyeja, do prishen mbi 100 shtëpi të cilat nuk kanë lidhje fare me amfiteatrin. Dhe janë larg amfiteatrit.

Aldo: Prekin këto lagjen tënde?

Petro: Kalojnë në lagjen time. Prekin komshinjtë e mi. Mua nuk më prekin. Por jemi rritur aty. Është një padrejtësi totale. Ti ke prishur lulishtet si shtet, ke bërë ndërtim mbi lulishtet, dhe shtëpinë e tjetrit e prish dhe do me e bë lulishte ose hapësirë publike. Përveç kësaj që është absurde, nuk ke fondet përkatëse!


Ky fragment i drejtpërdrejtë flet shumë më tepër sesa duket në pamje të parë. Në të vërtetë, Vokopola prek disa prej plagëve më të thella të qeverisjes lokale dhe të zhvillimit urban: mungesën e transparencës, zhvendosjet e pashpjeguara, prioritetet që nuk përputhen me nevojat reale të komunitetit, dhe më së shumti, heshtjen përballë padrejtësisë.

Vokopola nuk flet thjesht për disa banesa që do të prishen. Ai flet për kujtesën kolektive, për lagjen ku është rritur, për njerëzit që njihen me emër e mbiemër, për shtetin që ndërton mbi lulishtet dhe shkatërron pastaj ato që kishte ndërtuar vetë. Dhe më ironikja për një projekt që pretendon të sjellë “hapësirë publike”, duke shkatërruar shtëpitë private të njerëzve që s’kanë asnjë lidhje me zonën e mbrojtur.

Në një kohë kur shpesh njerëzit hezitojnë të flasin publikisht për frikë apo indiferencë, Vokopola vendos të reagojë. Me qetësi, por me vendosmëri. Sepse siç e thotë ai vetë: “Pjesën e padrejtësisë nuk e duroj dot.”

Një podcast që ia vlen të dëgjohet për të reflektuar mbi drejtësinë, vendimmarrjen publike dhe zërin e komunitetit, që s’duhet të heshtë kurrë.