Polifonia, muzikantë e studiues: Po tjetërsohet prejardhja! Ciko: Duhet të propozojmë një ditë të veçantë në kalendar

Polifonia, muzikantë e studiues: Po tjetërsohet prejardhja! Ciko: Duhet të propozojmë një ditë të veçantë në kalendar

Vlerësuar si kryevepër e pasurisë së njerëzimit, polifonia shqiptare mbrohet nga UNESCO, por sipas ekspertëve mënyra e regjistrimit në vend që ta mbrojë e rrezikon atë.

Në një aktivitet të organizuar në në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, u ngrit edhe një herë shqetësimi për faktin se polifonia shqiptare është e regjistruar në OKB si ‘iso-polifoni’, që për specialistët është e gabuar, se nuk e përfshin të gjithë artin unik të pasurisë shqiptare, por e specifikon gabim atë.

“Jemi duke u përgatitur për festivalin e 12-të ndërkombëtar të ‘Bylis Polifonia’. Gjithë këto aktivitete janë shoqëruar me kritika shkencore ndaj prirjeve joshkencore e jokombëtare, për të degraduar vlerat e isopolifonisë në këtë tranzicion të zgjatur me prurjet turbo- folk e tallava, e deri te ndryshimi i identitetit nga polifoni shqiptare në isopolifoni, me qëllimin e keq për të marrë autorësinë dhe për të shkelur rëndë mbi etnicitetin e kësaj kulture frymore dhe shpirtërore shqiptare. Nëse nuk do të luftojmë fort, kjo pasuri do të mbetet e prejardhur nga sirenat e kishës bizantine greke, gjë që e ardhmja nuk do të na e falë kurrë.”, – thotë Yzeir Llanaj, kryetar i shoqatës “Polifonia shqiptare”. 

“Gjëja më absurde është se kur Shqipëria u hap, e polifonia, kënga jonë ‘vënçe’ do të eksportohej jashtë, do të studiohej, do të njihej, në këtë moment, ajo nga një makinacion injorant u prezantua si iso-polifoni, pavarësisht se sot është regjistrim zyrtar në UNESCO. Duhet më shumë përkrahje edhe nga organet e tjera. Duhet të propozojmë që për polifoninë shqiptare të caktohet një ditë, që të jetë dita e polifonisë. Nismën mund ta marrë dhe Ansambli dhe ky takim mund të bëhet iniciues i procedurave, për të pasur në kalendarin tonë ditën e polifonisë shqiptare.”, – shprehet muzikanti Zhani Ciko, i cili është edhe nënkryetar i shoqatës “Polifonia shqiptare” dhe drejtor artistik i Festivalit “Bylis Polifonia”.

Organizuar nga shoqata kulturore-artistike “Bylis” (me rastin e 30 vjetorit të krijimit të saj) në bashkëpunim me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, në aktivitet u promovua edhe simpoziumi i nëntë shkencor i kësaj pasurie, si dhe u fol për Festivalin Ndërkombëtar “Bylis Polifonia”.

“Është në misionin e Ansamblit Kombëtar që t’i përcjellë këto vlera dhe t’i ketë në repertorin e tij, që prej shumë vitesh e ka polifoninë pjesë thelbësore të repertorit. Kudo ku shkon ansambli, polifonia është firma e pasaportës sonë të trashëgimisë. Të gjithë mjeshtrit e mëdhenj kanë marrë tema mbi polifoninë se ajo është frymëzuese. Ajo do të jetojë sa jeton shpirti i një kombi.”, – thotë Sokol Marsi, drejtues i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.

“Polifonia nuk ka një vend të caktuar ku është. Ajo është kudo, gjithandej dhe me gjithkënd. Ne polifoninë nuk ka na e ka dhënë dikush. Ka një logjikë: nuk udhëheq ushtari luftën. Isoja nuk e udhëheq luftën.”, – vëren muzikologu Bajram Lapi.

Në aktivitet u ndanë edhe disa vlerësime për figura që kanë kontribuar në ruajtjen, studimin dhe përçimin e polifonisë shqiptare, ndërsa për nder të pjesëmarrësve u mbajt dhe një koncert me grupet polifonike “Djemtë e Vlorës”, “Gjergj Araniti” i Mallakastrës, grupi “Pavarësia dhe Ansambli Folklorik Kombëtar.