Angjelin Preljocaj, anëtar i Akademisë Franceze të Arteve! Koreografi me origjinë shqiptare rrëfen përvojën e tij

Angjelin Preljocaj, anëtar i Akademisë Franceze të Arteve! Koreografi me origjinë shqiptare rrëfen përvojën e tij

Koreografi francez me origjinë nga Vermoshi i Malësisë së Madhe është zyrtarisht anëtar i Akademisë Franceze të Arteve të Bukura. Ceremonia speciale u mbajt për më shumë se 2 orë nën Kupolën madhështore, prestigjioze dhe historike të Institutit të Francës (Institut de France). Sipas ambasadës shqiptare në Paris, ky përbën një moment të madh krenarie edhe për Shqipërinë dhe për kulturën shqiptare.

“Sot është një ditë e jashtëzakonshme për botërisht të famshmin koreograf dhe artist francez me origjinë shqiptare, Angjelin Preljocaj…”,- shkruhet mes të tjerash në faqen e Ambasadës.

Fjalën e tij Angelin Preljocaj e nisi me një homazh për të gjithë ata balerinë që në më shumë se 40 vjet kanë dhënë kontribut me pasion dhe bënë historinë e kompanisë së tij. Më tej përmendi një numër të madh bashkëpunëtorësh te të cilët ka gjetur mbështetje gjatë karrierës së tij të gjatë.

Ndërsa e cilësoi të kërcyerin si përvojë të thellë e gjithëpërfshirëse, që e ka shoqëruar në të gjithë momentet e tij jetësore, ai vërejti se të vallëzosh do të thotë të ringjallësh botën.

“Ka përvoja marramendëse si ajo e të gjeturit të vetes në një vend të ri brenda natës, pa asnjë mbrojtje dhe në kushte inferioriteti, që ndonjëherë të bën të pyesësh veten nëse kjo çrrënjosje totale nuk është aventura e fundit e madhe njerëzore. Të vallëzosh. Po. Të vallëzosh. Të vallëzosh përballë botës, të vallëzosh vetëm disa herë dhe të vallëzosh për më të mirën, të vallëzosh në më të keqen, të vallëzosh për të qëndruar lart, të vallëzosh në qetësi…  Të vallëzosh për të jetuar, për të dëshmuar, të vallëzosh për buzëqeshje, për të pëshpëritur, të vallëzosh pa frymë, të vallëzosh me zemrën që të grushton… Të vallëzosh për të shkruar, për të artikuluar një gjuhë. Të përpiqesh të ringjallësh botën, të mos kesh sukses, por të mos dëshpërohesh.”, – tha Preljocaj.

Në përfundim të seancës, koreografit me famë botërore iu dorëzua Shpata e Akademikut e krijuar posaçërisht për të, nga Constance Guisset, artiste designer franceze me famë ndërkombëtare.

Angelin Preljocaj lindi në Francë, më 19 janar 1957 dhe filloi të studionte baletin klasik përpara se t’i përkushtohej kërcimit bashkëkohor. të cilin e studioi me Karin Ëaehner, Zena Rommett, Merce Cunningham dhe më vonë Viola Farber dhe Quentin Rouillier. Në dhjetor 1984 Preljocaj themeloi kompaninë e tij. Që nga fillimet e tij, ai ka krijuar 61 vepra koreografike, duke filluar nga solo në formacione më të mëdha duke përfshirë Romeo & Juliet, Borëbardha, Liqeni i Mjellmave. Preljocajt i pëlqen të alternojë balete të mëdhenj narrativë me pjesë më abstrakte si Empty Move, Still Life, Deleuze/Hendrix.

Kompania që themeloi ka 30 kërcimtarë të përhershëm dhe performon mesatarisht 120 shfaqje në vit, në mbarë botën. Ai bashkëpunon rregullisht me artistë të tjerë në fusha të ndryshme si muzika, artet pamore, dizajni, vizatimi, letërsia dhe filmat e animuar. Preljocaj ka marrë çmime të shumta dhe mes të tjerash ka drejtuar disa filma të shkurtër me koreografi të tij.