Një vit pas botimit të librit të parë, “Kodra e Kujtimeve”, kolana e Aldo Mustafës ka mbërritur te qindra lexues, ka krijuar lidhje emocionale me fëmijët dhe më 23 dhjetor plotësohet me serinë e tretë. Një rrëfim mbi fantazinë, humbjen, imagjinatën dhe fuqinë e librit për t’i larguar fëmijët nga ekranet e për t’i afruar me leximin.
Disa histori lindin në imagjinatën e një autori dhe disa të tjera mbërrijnë te lexuesi duke nisur të jetojnë jetën e tyre të mëvetësishme. Personazhet marrin forma të reja, ngjarjet interpretohen ndryshe dhe bota e krijuar në faqet e një libri bëhet pjesë e përditshmërisë së atyre që e lexojnë. Kështu ka ndodhur edhe me “Shtegun e Dritave Magjike”, kolanën e librave për fëmijë të autorit Aldo Mustafa, e cila, brenda një viti, është shndërruar në një udhëtim letrar që ka gjetur vendin e vet te lexuesit e vegjël.
Më 23 dhjetor, një vit pas botimit të serisë së parë, “Shtegu i Dritave Magjike” shënon një moment të rëndësishëm: përmbylljen e trilogjisë me botimin e serisë së tretë. Një datë që nuk është zgjedhur rastësisht, por mbart edhe një domethënie personale për autorin, duke e lidhur botën e fantazisë me kujtimin e një miku të veçantë.

Në më pak se një vit, qindra kopje të librave kanë gjetur lexuesit e tyre. Por, përtej numrave, ajo që duket se e ka bërë këtë udhëtim të veçantë janë reagimet e fëmijëve, të cilët nuk e kanë përjetuar historinë vetëm si një aventurë të lexuar, por si një botë ku mund të hyjnë, të luajnë, të ndiejnë dhe të krijojnë lidhje me personazhet.
Në qendër të historisë qëndrojnë një motër dhe një vëlla, të cilët humbasin macen e tyre dhe nisin një aventurë ku fantazia bëhet ura që i çon drejt ribashkimit. Por për autorin, kjo botë nuk është thjesht një arratisje nga realiteti. Ajo është një mënyrë për të shprehur emocione që ndonjëherë janë të vështira për t’u rrëfyer drejtpërdrejt, për të folur mbi humbjen, shpresën, miqësinë dhe kujtimet, pa e rënduar fëmijën me ashpërsinë e tyre.
Në këtë intervistë, Aldo Mustafa rrëfen për rrugëtimin e “Shtegut të Dritave Magjike”, për emocionin e të parit personazhet e tij të bëhen pjesë e jetës së lexuesve, për fëmijët që lënë telefonin mënjanë për të lexuar dhe për atë që dëshiron të mbetet në kujtesën e tyre edhe shumë vite pas përfundimit të kësaj aventure.

Një vit më parë, “Kodra e Kujtimeve” ishte një histori që ekzistonte kryesisht në mendjen tuaj dhe në faqet e dorëshkrimit. Sot, ajo ka lexues, emocione dhe interpretime të veta. Si ndryshon ndjesia e një autori kur personazhet e tij nuk i përkasin më vetëm atij?
Është kënaqësi nga ato që të lënë pa fjalë, edhe pse ndonjëherë fjala është pika më e fortë e një autori, por njëkohësisht edhe pika më e dobët e tij. Kur dëgjoj fëmijët se si e kanë përqafuar historinë dhe në çfarë dimensionesh të saj e gjejnë veten, çarmatosem nga fjalët që mund të them për atë që ndiej. Është përtej lumturisë. Do ta cilësoja një emocion midis krenarisë dhe frikës.
Çfarë ju ka surprizuar më shumë gjatë këtij viti: mënyra se si është pritur libri, reagimet e lexuesve, apo fakti që historia ka marrë një jetë të pavarur nga ajo që kishit imagjinuar fillimisht?
Historia është ajo e një motre dhe një vëllai, të cilët humbasin macen e tyre, por magjia dhe fantazia i ribashkojnë sërish. Fakti që shumë fëmijë apo prindër më kontaktojnë dhe më tregojnë se sa të lumtur janë për aventurat e Leas, pra maces, më ka surprizuar shumë. Ata nuk flasin thjesht për aventurën në libër, por për Lean, macen. Kjo do të thotë se ajo është bërë pjesë e tyre. Pikërisht ky ka qenë momenti që më ka surprizuar dhe vazhdon të më surprizojë.
A ju ka ndodhur të merrni një reagim nga një fëmijë apo prind që ju ka bërë ta shihni historinë tuaj në një mënyrë krejt tjetër?
Më kanë kontaktuar prindër, ndonjëherë edhe vonë në mbrëmje, duke më thënë se fëmijët e tyre, për herë të parë pas shumë kohësh, po lexojnë të dy librat brenda ditës, duke harruar telefonin… A ka mesazh më të fortë? Jo! Kjo më ka bërë të mendoj se nuk duhet të ndaloj. Qoftë edhe sikur një fëmijë më shumë të harrojë telefonin dhe të dëshirojë të lexojë më shumë, mendoj se është një tregues i rëndësishëm.
Sa e rëndësishme është për ju që fëmijët të mos jenë vetëm lexues të një historie fantastike, por të gjejnë në të diçka që lidhet me jetën e tyre të përditshme, me frikërat, humbjet, miqësinë apo shpresën?
Librat e mi enden rreth këtyre emocioneve dhe përditshmërisë. Kam dashur që historia t’i përfshijë dhe t’i bëjë të ndihen pjesë e saj. Kush prej nesh nuk ka krijuar një strehëz me çarçafë dhe nuk ka luajtur në fëmijëri brenda saj? Ky është një element i prekshëm që kam dashur ta risjell te fëmijët dhe, pse jo, ata të mund të krijojnë të njëjtat kushte si në libër dhe të argëtohen duke lexuar.

A mendoni se suksesi i “Shtegut të Dritave Magjike” dëshmon se fëmijët shqiptarë kanë nevojë për më shumë botë fantastike, personazhe dhe seri të gjata ku mund të rikthehen e të rriten bashkë me historinë?
Takimi me lexuesit e vegjël të “Shtegut të Dritave Magjike” nëpër shkolla dhe aktivitete të ndryshme më ka vërtetuar diçka, edhe nëpërmjet përshtypjeve të tyre: fëmijët duan më shumë libra me fantazi dhe aventura argëtuese që shkojnë përtej botës reale. Fëmijët e duan dhe e kërkojnë botën fantastike, po ashtu edhe prindërit e tyre, prandaj mendoj se seria e librave ka pasur sukses me lexuesit. Ajo u plotëson një hapësirë në letërsi që, me sa duket, u vjen natyrshëm dhe bukur në botën e tyre të leximit.
A është fantazia për ju një arratisje nga realiteti, apo një mënyrë për ta parë realitetin më qartë, pa frikë dhe pa kufizimet e tij?
Fantazia është një botë paralele e realitetit. Ne nuk mund të themi se e sheh realitetin më qartë apo pa frikë, por e kupton atë në një mënyrë më të butë, jo aq të egër. Fantazia është thjesht realiteti i treguar në mënyrën më të ndjeshme të mundshme.
Sa nga përvojat, vëzhgimet dhe emocionet tuaja personale gjenden, të transformuara, brenda kësaj bote? A ka diçka që nuk do të mund ta shkruanit drejtpërdrejt, por që magjia ju ka lejuar ta shprehni?
Çdo aventurë magjike është një vëzhgim, emocion dhe përvojë e imja e transformuar brenda kësaj bote. Humbja është një përvojë që nuk do ta shkruaja dot drejtpërdrejt, por, nëpërmjet magjisë, munda ta shpreh në këtë formë, që të vijë sa më e pranueshme dhe të normalizohet pa dramë të tepërt.
Kur një seri nis të krijojë lexuesit e saj, autori përballet edhe me pritshmëritë e tyre. A ndieni presion për ta tejkaluar librin e mëparshëm, apo përpiqeni t’i qëndroni besnikë historisë që duhet të tregoni?
E bukura e librave në seri është se ke të bësh me një proces të gjatë, që mund të zgjasë ditë, muaj dhe ndoshta vite. Gjatë kësaj kohe takon shumë fëmijë dhe mëson t’i dëgjosh. Fëmijët kanë imagjinatë dhe botë shumë më të madhe se të rriturit. Kjo të frymëzon që në çdo libër të radhës t’ua mbash fantazinë gjallë dhe t’i surprizosh gjithnjë e më shumë. Prandaj nuk mund të them se ndiej presion, por frymëzim. E vetmja gjë që përpiqem të bëj është të mos bie në përsëritje dhe që një histori të mos i ngjajë tjetrës.

Zgjedhja e 23 dhjetorit për publikimin e serisë së tretë, pikërisht në përvjetorin e serisë së parë, duket si një simbolikë e bukur. Çfarë kuptimi ka kjo datë për ju?
Publikimi i librit të parë ndodhi më 23 dhjetor, një vit më parë. Pikërisht në këtë përvjetor plotësohet trilogjia e “Shtegut të Dritave Magjike”, duke përmbushur një mision më të madh se ai i çdo serie, por këtë fëmijët do ta zbulojnë në fund të serisë së tretë.
Përtej datës së publikimit, data 23 është simbolike për Lean e vërtetë, macen time, e cila u nda nga jeta më 23 mars 2023. Është një simbolikë për të ruajtur kujtimin e saj nëpërmjet historive në libër dhe datës së veçantë të publikimit.
A e keni menduar ndonjëherë se ku do të përfundojë “Shtegu i Dritave Magjike”? A ekziston një numër i përcaktuar librash, apo kjo botë do të vazhdojë për aq kohë sa ka histori për t’u treguar?
Tani për tani, shtegu përfundon ciklin e tij me serinë e tretë. Me Botimet Univers jemi duke e përgatitur për lexuesin ndërkombëtar, pasi të tria seritë janë përkthyer në anglisht dhe po redaktohen. Ka një sërë aventurash që mund të shkruaj për këtë kolanë, por duhet të lë hapësirë edhe për krijimtari të reja, të cilat kërkojnë kohën e tyre për t’u “pjekur” përpara se të jenë gati për lexuesin. “Shtegu i Dritave Magjike” tashmë është një aventurë ku çdo fëmijë mund të krijojë vazhdimin e tij sipas dëshirës.
Nëse pas shumë vitesh një lexues do të rikthehet te “Shtegu i Dritave Magjike”, çfarë do të dëshironit të gjente në të? Një aventurë që i kujton fëmijërinë, një emocion që nuk është zbehur, apo një mesazh që e kupton vetëm pasi është rritur?
Letërsia e bukur e fëmijërisë më ka gdhendur dashurinë për librin dhe më ka formësuar për t’u bërë ai që jam sot. Kur kthehem pas në kohë, kujtoj me nostalgji ato libra, prandaj ajo që dua që të gjejnë lexuesit e mi është pikërisht ky

