Eksperienca që nuk transmetohet në TV – Sekretet e Red Bull Ring

Eksperienca që nuk transmetohet në TV – Sekretet e Red Bull Ring

Kjo eskperiencë u mbështet nga Red Bull dhe u ndoq në aksion nga “The Grand Adapt – Endi Tomini”, duke e sjellë direkt për RevoKult.

Pas prezantimeve të makinave të ndërtuara për gara profesionale, aventura e “The Grand Adapt” merr një dimension më personal, ku Endi Tomini dhe RevoKult bëhen vetë pjesë e aksionit në pistën e Red Bull Ring. Në këtë eksperiencë unike, në qendër të vëmendjes është Porsche 718 Cayman S, një model që përfaqëson balancën perfekte mes performancës dhe kontrollit në drejtim.

Ky model “mid-engine” i Porsche-s është i pajisur me një motor boxer 2.5-litër turbo me 4 cilindra, që prodhon 350 kuaj fuqi dhe 420 Nm çift rrotullues, duke mundësuar përshpejtimin nga 0 në 100 km/h në rreth 4.2 sekonda falë paketës Sport Chrono. Një makinë e ndërtuar për të dhënë maksimumin në pistë, por njëkohësisht e menaxhueshme për një eksperiencë reale drejtimi, si ajo që përjetoi Endi.

Foto The Grand Adapt – Endi Tomini

E gjithë eksperienca në Red Bull Ring nisi me një qasje më të qetë dhe edukative, përpara se të kalonte në adrenalinë të pastër. Fillimisht, grupi zhvilloi një tur në muzeun e Red Bull, ku u prezantuan të gjitha versionet e makinave të Formula 1 ndër vite, duke treguar rrugëtimin dhe evolucionin e një prej skuadrave më të suksesshme në botë. Më pas, pjesëmarrësit u drejtuan në një sallë me stil teatri, ku përmes një prezantimi vizual u rrëfye historia e krijimit të Red Bull Ring dhe transformimet që kjo pistë ka pësuar ndër vite.

Turi vazhdoi në godinën kryesore të kompleksit, ku Endi pati mundësinë të shohë nga afër ambientet ku menaxhohet një event i përmasave të tilla, dhomat e konferencave, hapësirat e mediave dhe sektorët e prodhimit video. Një nga pikat më interesante ishte dhoma e monitorimit, tregon Endi Tomini, ku rreth 20 persona ndjekin në kohë reale çdo moment të garës për arsye sigurie dhe koordinimi. Ajo që e bën këtë hapësirë edhe më intriguese është fakti se shumë nga pamjet që shfaqen aty nuk transmetohen në televizion, pasi shërbejnë ekskluzivisht për menaxhimin e situatave gjatë garës.

Një tjetër ndalesë mbresëlënëse ishte VIP Lounge, një ambient luksoz i vendosur përballë vijës së finishit, me pamje të plotë të pistës dhe i pajisur me ekrane për të ndjekur çdo moment të garës. Një eksperiencë elitare, e cila nuk është e aksesueshme për të gjithë, pasi çmimi për hyrje arrin deri në 6000 euro për person.

Foto The Grand Adapt – Endi Tomini

Pas përfundimit të turit dhe një dreke në ambientet e pistës, erdhi momenti më i shumëpritur, drejtimi i makinës. Të pajisur me kamera të vogla për të regjistruar çdo moment dhe pasi paraqitën patentat, pjesëmarrësit morën udhëzimet nga instruktorë profesionistë. Rregullat ishin strikte, instruktori gjithmonë përpara dhe asnjë parakalim i lejuar, duke garantuar siguri maksimale gjatë gjithë eksperiencës.

Xhiroja e parë shërbeu për njohjen me pistën dhe kthesat, ndërsa më pas ritmi filloi të rritej gradualisht. Në timonin e Porsche 718 Cayman S, Endi arriti një shpejtësi maksimale prej 193 km/h, shumë pranë objektivit të tij personal për të kaluar 200 km/h, duke përjetuar në maksimum emocionin dhe kontrollin që ofron një makinë e tillë në kushte reale piste. E gjithë eksperienca zgjati rreth një orë dhe u regjistrua nga kamerat e vendosura që në fillim, duke i dhënë mundësinë pjesëmarrësve të ruajnë çdo moment të kësaj aventure.

Foto The Grand Adapt – Endi Tomini

Për të aksesuar videon, u pajisën me një faturë që përmbante një QR code, i cili i drejtonte në platformën e Red Bull Ring, ku për një tarifë prej rreth 69 dollarësh mund të shkarkohej materiali i plotë.

The Grand Adapt – Endi Tomini: Një falënderim i veçantë shkon për Red Bull Albania, që bëri të mundur këtë eksperiencë unike, e cila për këdo që ka pasion për shpejtësinë dhe makinat, mbetet diçka që duhet provuar të paktën një herë në jetë. 🏁🔥