Në episodin më të fundit të RevoCast, ishte i ftuar Ndrec Pjetrin, kandidati i Partisë Demokratike në qytetin e Durrësit. Biseda, megjithëse politike në thelb, nisi me një kthim pas në kohë, në vitet e hershme të fëmijërisë së Ndrecës, aty ku shpesh fshihen aspiratat më të sinqerta.
I pyetur nga moderatori nëse kishte pasur ndonjë ëndërr të hershme që mund të kishte ndikuar në zgjedhjet e sotme, Pjetri u përgjigj me një buzëqeshje dhe një kujtim të gjallë:
“Kur Pandeli Majko ishte Kryeministër, unë isha vetëm 6 vjeç. Dhe kur më pyesnin çfarë do bëhesha kur të rritesha, unë thosha: ‘Do bëhem si Pandeli Majko’.”
Pavarësisht se ëndrra e fëmijërisë nuk është realizuar ende, sot Ndrec Pjetri është në rrugën e politikës, në një kamp të ndryshëm. “Jam në atë rrugë, ndonëse në një kamp tjetër politik,” u shpreh ai, duke nënkuptuar se pavarësisht ndryshimeve ideologjike, rrënjët e pasionit për politikën kanë qenë aty që në vegjëli.
Ky moment i thjeshtë por domethënës në RevoCast tregoi se politika nuk nis gjithmonë me strategji dhe kalkulime, por shpesh me ëndrra të pastra fëmijësh që në një mënyrë ose tjetër na drejtojnë përgjatë jetës.
Biseda e plotë:
Aldo Mustafa: Pak më parë përmende faktin që që kur ke qenë i vogël dilje me flamujt e Partisë Demokratike të opozitës. Ke pasur ndonjë ëndërr në atë kohë, për të cilën mund të flasim sot – nëse është realizuar apo jo?
Ndrec Pjetri: Haha, jo, nuk është realizuar akoma.
Aldo: Cila ka qenë?
Ndrec: Kur Pandeli Majko ishte Kryeministër, unë isha 6 vjeç. Dhe kur më pyesnin “Çfarë do bëhesh kur të rritesh?”, unë thosha: “Do bëhem si Pandeli Majko.”
Aldo: Doje të bëheshe Kryeministër apo thjesht politikan si Pandeli Majko?
Ndrec: Kryeministër. Nuk e di pse e kam thënë atëherë, por mbaj mend që 6 vjeç thosha se do bëhesha si ai që ishte Kryeministër në atë kohë.
Aldo: Dhe sot je në një rrugë politike.
Ndrec: Po, në atë rrugë, ndonëse në një kamp tjetër politik.
