Era Istrefi mahnit me veshjen në prapaskenat e “Veç ti”

Era Istrefi mahnit me veshjen në prapaskenat e “Veç ti”

Era Istrefi ka tërhequr sërish vëmendjen e ndjekësve në rrjetet sociale, ku ka publikuar disa fotografi nga videoklipi i projektit të saj më të ri muzikor, “Veç ti”, në bashkëpunim me Ledri Vulën. Postimi ka marrë menjëherë reagime të shumta, ndërsa fokusi është përqendruar te paraqitja e veçantë e këngëtares. 

Në fotografitë e ndara me fansat, Era shfaqet në një ambient bregdetar me një veshje ekstravagante dhe plot ngjyra, e përbërë nga një top dhe një fund i shkurtër me motive verore, të kombinuara me taka transparente dhe grim me nuanca të ngrohta, ndërkohë që trupi i saj vazhdon të jetë më në formë se kurrë. Stili i saj i guximshëm dhe estetikë tropikale përputhen me atmosferën e videoklipit, duke i dhënë projektit një identitet vizual të spikatur.

Fotot janë shkëputur nga xhirimet e videoklipit të “Veç ti”, kënga më e re e Erës dhe Ledri Vulës, e cila është publikuar së fundmi në YouTube. Projekti vjen me ritme verore dhe një videoklip të realizuar në bregdet, duke sjellë energjinë karakteristike të dy artistëve. Për muzikën janë kujdesur Era Istrefi, Ledri Vula dhe producenti Claydee, ndërsa miksimi dhe masterizimi janë realizuar nga Paris Kalpos. 

Ky është një tjetër bashkëpunim mes Erës dhe Ledrit, një dyshe që edhe në të kaluarën ka sjellë projekte të suksesshme. Me publikimin e “Veç ti”, artistët synojnë të jenë pjesë e kolonës zanore të kësaj vere, ndërsa postimet e Erës në rrjetet sociale po mbajnë gjallë interesin e publikut për këngën dhe estetikën e saj vizuale.