Më 11 korrik, Kanye West pritet të ngjitet në skenë në Tirana, në atë që po konsiderohet si një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të organizuara ndonjëherë në Shqipëri. Lajmi u bë publik nga Edi Rama, duke ndezur menjëherë interesin e publikut dhe të industrisë kulturore.
Ky koncert nuk vjen në një moment të rastësishëm. Ai lidhet drejtpërdrejt me fazën më të fundit artistike, i cili prej kohësh ka lëvizur mes muzikës, modës dhe provokimit publik, duke mbetur një nga figurat më polarizuese, por edhe më me ndikim të skenës globale.
Në albumin e tij më të fundit, “Bully”, West rikthehet në një ritëm që i mungonte tregut prej kohësh, ku prodhimi shpesh duket i qëllimshëm në kufijtë e minimalizmit, ndërsa temat lëvizin mes vetë-reflektimit dhe provokimit të drejtpërdrejtë. Është një album me një qasje që e ka ndjekur artistin gjatë gjithë karrierës së tij, por që këtu shfaqet në një formë edhe më të kondensuar.

Pikërisht kjo e bën koncertin në Tiranë potencialisht më shumë se një performancë klasike. Në kontekstin e “Bully”, skena live kthehet në një zgjatim të vetë albumit, ku këngët mund të transformohen, të zgjerohen apo edhe të riinterpretohen në varësi të konceptit skenin që grupi i menaxhimit të artistit do të zgjedhin të bëjnë. Për një artist si West, që shpesh e sheh muzikën si proces të hapur, çdo koncert është një version i përkohshëm i veprës së tij.
Eventi do të zhvillohet në një hapësirë të dedikuar enkas për këtë performancë, Eagle Stadium, një stadium i përkohshëm me kapacitet prej rreth 60,000 spektatorësh, i ndërtuar përgjatë aksit Tiranë–Durrës.
Ky projekt përfaqëson një investim të rëndësishëm në infrastrukturën e eventeve dhe shënon një hap të ri për pozicionimin e Shqipërisë si destinacion për ngjarje të mëdha artistike dhe kulturore.

Pavarësisht debatit që shpesh e shoqëron figurën e tij, Kanye West mbetet një artist që di të krijojë ngjarje. Dhe nëse gjithçka realizohet sipas planit, 11 korriku mund të shënojë një moment të ri për skenën muzikore shqiptare, një natë ku Tirana nuk është thjesht mikpritëse, por pjesë aktive e një spektakli global.
