Aktorja e njohur Mimoza Marjanaku ka zbuluar se në sezonin e ardhshëm do të ndërmarrë një sfidë të re dhe të veçantë në karrierën e saj artistike: një monodramë, një projekt që ajo e sheh si një hap të rëndësishëm drejt një pjekurie profesionale. “Në sezonin e ardhshëm unë kam qejf më në fund, të bëj një monodramë, sepse mendoj që kam arritur në një pikë të karrierës time, ka ardhur momenti që të bëj një monodramë dhe t’i bëj sfidë vetes,” shprehet ajo me emocion.
Monodrama është një zhanër i veçantë që kërkon jo vetëm talent, por edhe një përkushtim të madh për të mbajtur spektatorin të angazhuar gjatë gjithë shfaqjes. Marjanaku tregon se kjo ide ka ardhur natyrshëm dhe me shumë dëshirë. Projekti është një bashkëpunim me autoren e njohur Anisa Markarian, e cila ka shkruar pjesën, dhe regjisoren e talentuar Suela Bako, e cila do të udhëheqë projektin.
Suela Bako është një emër i njohur si aktore dhe regjisore filmi, që ka fituar vlerësime të shumta në festivale të ndryshme. “Edhe Suela është për herë të parë, që bën regji teatri tek ne,” thotë Marjanaku, duke nënvizuar se kjo do të jetë gjithashtu eksperienca e saj e parë me Bakon si regjisore. Ajo e përshkruan këtë bashkëpunim “si një dashuri e parë,” dhe me entuziazëm thotë se mezi po e pret fillimin e projektit. Kjo lidhje e re artistike premton të jetë një eksperiencë e paharrueshme dhe emocionuese për të dyja palët.
Publiku do të ketë rastin të ndjekë një ndërthurje të veçantë mes talentit të njohur të Mimoza Marjanakut, mjeshtërisë shkrimore të Anisa Markarjanit dhe vizionit të regjisores Suela Bako. Ky projekt është padyshim një hap i guximshëm në karrierën e Mimoza Marjanakut, duke i ofruar asaj një mundësi të re për t’u shfaqur në një rol të plotë e të ndërlikuar.
INTERVISTA
Mimoza Marjanaku: Në sezonin e ardhshëm unë kam qejf më në fund, të bëj një monodramë, sepse mendoj që kam arritur në një pikë të karrierës time, ka ardhur momenti që të bëj një monodramë dhe t’i bëj sfidë vetes.
Aldo Mustafa: Pse jo!
Mimoza Marjanaku: Po, pse jo! Është e shkruar nga Anisa dhe me regji të Suela Bakos. Edhe Suela është për herë të parë që bën regji teatri tek ne. Ajo është aktore, shumë e talentuar, është dhe regjisore filmi shumë e talentuar, është vlerësuar disa herë nëpër festivale.
Aldo Mustafa: Kemi parë disa herë që ka marrë vlerësime, është ndër aktoret dhe regjisoret shumë të mira!
Mimoza Marjanaku: Shumë e mirë! Dhe për mua do të jetë eksperienca e parë me Suelën si regjisore dhe në fakt është si një dashuri e parë dhe mezor po e pres!

