Një takim i veçantë me librin dhe lexuesit e vegjël u zhvillua në shkollën 9-vjeçare “Jusuf Puka” në Durrës, ku shkrimtari dhe gazetari Aldo Mustafa prezantoi librin e tij të parë për fëmijë nga kolana “Shtegu i Dritave Magjike”, duke ndarë me nxënësit serinë e parë të saj, “Kodra e Kujtimeve”.
Takimi mori një domethënie të veçantë për autorin, pasi u zhvillua pikërisht në shkollën ku ai hodhi hapat e parë drejt dijes dhe ku lindi dashuria e tij për leximin dhe letërsinë.
Përmes një mesazhi të publikuar në faqen zyrtare të librit, Mustafa shprehu emocionet e rikthimit në bankat e shkollës së tij të fëmijërisë.
“Nis për këtë vit takimet me lexuesit e librit ‘Shtegu i Dritave Magjike’ nga një vend i veçantë, shkolla ime 9-vjeçare ‘Jusuf Puka’ në Durrës, aty ku nisi rrugëtimi dhe dashuria ime për letërsinë”, shkruan ai.
Autori vlerësoi gjithashtu drejtuesen aktuale të institucionit, Blerta Maliqati, e cila dikur ka qenë mësuesja e tij e biologjisë. Sipas Mustafës, ajo mbetet një shembull përkushtimi dhe pasioni në arsim, duke reflektuar këto vlera edhe tek brezat e rinj të nxënësve.
Takimi u organizua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare dhe u shndërrua në një bashkëbisedim të hapur mes autorit dhe fëmijëve, të cilët shfaqën interes për librin, procesin krijues dhe rëndësinë e leximit.



Edhe vetë shkolla “Jusuf Puka” e cilësoi aktivitetin si një moment frymëzues për nxënësit. Në reagimin e saj publik, institucioni arsimor theksoi se kishte kënaqësinë të mirëpriste ish-nxënësin e saj, i cili ndau me fëmijët historinë e rrugëtimit të tij nga bankat e shkollës drejt gazetarisë dhe letërsisë.
Gjatë prezantimit, Mustafa foli për universin fantastik të “Shtegut të Dritave Magjike”, një seri librash që synon të nxisë imagjinatën, dashurinë për leximin dhe vlerat njerëzore tek fëmijët. Libri i parë, “Kodra e Kujtimeve”, i çon lexuesit e vegjël në një aventurë ku kujtimet dhe guximi marrin një rol të veçantë.
“Histori të tilla suksesi na frymëzojnë dhe na bëjnë të besojmë edhe më shumë në fuqinë e dijes, punës dhe dashurisë për gjuhën amtare”, thuhet në mesazhin e shkollës, e cila u shpreh krenare për arritjet e ish-nxënësit të saj.
Takimi u prit me interes nga nxënësit, të cilët patën mundësinë të diskutojnë me autorin, të bëjnë pyetje mbi librin dhe të mësojnë më shumë rreth rrugës që ndjek një ide për t’u shndërruar në një vepër letrare.
Rikthimi i Aldo Mustafës në shkollën ku nisi formimi i tij përbën një shembull domethënës se si pasioni për dijen dhe leximin mund të shndërrohet në histori suksesi, duke frymëzuar brezat e rinj të ndjekin ëndrrat e tyre.



