Pharrell Williams dëshmoi edhe një herë talentin e tij në sfilatën më të fundit për koleksionin Pranverë-Verë 2027, e cila hapi Javën e Modës për Meshkuj në Paris dhe u kthye menjëherë në një nga momentet më të komentuara të sezonit.

Ajo që rrëmbeu menjëherë vëmendjen nuk ishin vetëm krijimet, por skenografia spektakolare e ideuar nga vetë Pharrell. Në qendër të pasarelës ngrihej një valë artificiale gjigante, rreth 8 metra e lartë dhe 37 metra e gjerë, ndërsa e gjithë hapësira ishte shndërruar në një plazh urban me rërë të vërtetë, një boardwalk dhe tinguj deti. Ishte një skenë që transportonte të ftuarit nga zemra e Parisit drejt brigjeve të Kalifornisë.
Koncepti nuk ishte zgjedhur rastësisht. Pharrell ndërtoi të gjithë koleksionin mbi kulturën e surf-it dhe skate-it, duke sjellë një përzierje mes stilit të relaksuar bregdetar dhe luksit karakteristik të Louis Vuitton. Në pasarelë u panë xhaketa denim, kostume të qepura me finesë, wetsuit-e të reinterpretuara në mënyrë luksoze, çanta ikonike të markës dhe madje edhe dërrasa surfi të personalizuara me monogramin e shtëpisë franceze.

Por spektakli nuk u ndal vetëm te estetika. Vala gjigante u ndërtua me ujë të furnizuar nga sistemi publik i Parisit, i cili më pas u ricikl ua, ndërsa rëra e përdorur në pasarelë do të ripërdoret për aktivitete sportive lokale. Për më tepër, Louis Vuitton njoftoi një partneritet me organizatën Coral Gardeners për restaurimin e shkëmbinjve koralorë në Polinezinë Franceze, duke i dhënë shfaqjes edhe një mesazh të fortë për qëndrueshmërinë mjedisore.

Në një kohë kur shumë sfilata fokusohen vetëm te koleksioni, Pharrell vazhdon të ndërtojë universin e tij krijues duke kombinuar modën, muzikën, arkitekturën dhe rrëfimin vizual. Pasarela e tij nuk ishte thjesht një vend ku prezantoheshin rrobat, por një eksperiencë kinematografike që dëshmoi edhe një herë se ai po ripërcakton mënyrën se si prezantohet moda luksoze në epokën moderne.


