Merkatoja televizive po nxehet dhe RTSH duket se po përgatitet për një sezon me ndryshime të forta. Radio Televizioni Shqiptar ka nisur lëvizjet për sezonin e ri, ku në qendër nuk janë vetëm emrat që do të shfaqen në ekran, por edhe autorë, gazetarë, producentë dhe profesionistë të tjerë të medias.
Në korridoret dhe studiot e RTSH-së po qarkullojnë disa emra të njohur. Eva Murati, Arvin Kita, Klotilda Harka, Matilda Terpollari, Elona Jacellari, Bojken Lako, Gjergj Kacinari dhe Alba Çobaj janë mes emrave që lidhen me lëvizjet dhe projektet e reja të institucionit.
Por vëmendja më e madhe duket se do të përqendrohet te prime time.
RTSH pritet të rikthejë në mbrëmje spektakle të mëdha muzikore dhe artistike, ndërsa në skenë përfliten dy emra të rëndësishëm të muzikës shqiptare: maestro Alfred Kaçinari dhe maestro Shpëtim Saraçi.
Synimi duket se është rikthimi i muzikës live, orkestrës dhe spektaklit të madh televiziv, duke i dhënë mbrëmjeve të RTSH-së një tjetër ritëm gjatë sezonit të ri.
Ndryshime priten edhe për disa prej figurave që tashmë janë pjesë e televizionit publik.
Anjola Hamzaj përflitet për një tjetër program, ndërsa Krist Martiro dhe Sonila Agostini pritet të shfaqen në role dhe projekte të reja.
Dhe lista mund të mos mbyllet këtu.
Lëvizjet e para tregojnë se RTSH po përgatit një sezon me fytyra të njohura, formate të reja dhe një vëmendje të veçantë ndaj prime time-it.
Merkatoja ka nisur, emrat po qarkullojnë dhe surprizat duket se sapo kanë filluar.
