Shkrimtari i letërsisë për fëmijë, Aldo Mustafa, zhvilloi një takim të veçantë me nxënësit e Shkollës Pavarësia dhe mësueset e tyre, në kuadër të prezantimit dhe diskutimit rreth kolanës së tij letrare “Shtegu i Dritave Magjike”, ku bën pjesë edhe libri i parë “Kodra e Kujtimeve”.
Takimi u organizua nga mësuesja e gjuhës dhe letërsisë, Dajana Gërdani, e cila së bashku me koleget e saj solli një aktivitet të mirëstrukturuar dhe plot gjallëri, duke i dhënë nxënësve mundësinë të komunikojnë drejtpërdrejt me autorin dhe të shpalosin aftësitë e tyre.
Atmosfera u karakterizua nga një ndërveprim i ngrohtë dhe i hapur, ku nxënësit shfaqën kuriozitet të madh, duke drejtuar pyetje të shumta dhe duke sjellë biseda të rastit, plot gjallëri, që sipas autorit janë tipike për botën e fëmijëve.
“Është gjithmonë kënaqësi të bisedosh me fëmijët, të dëgjosh mënyrën si ata e kuptojnë librin dhe idetë që nxjerrin prej tij”, u shpreh Mustafa, duke vlerësuar edhe rolin e mësuesve në nxitjen e dashurisë për leximin.


Gjatë aktivitetit, u vu theksi edhe te rëndësia e bashkëpunimit mes autorit, nxënësve dhe mësuesve, të cilët kontribuojnë në krijimin e një kulture të qëndrueshme leximi dhe edukimi. Autori shprehu mirënjohje për organizimin e takimit dhe për punën e mësueseve, të cilat sipas tij luajnë një rol të pazëvendësueshëm në formimin e brezit të ri të lexuesve.
“Jam mirënjohës për organizimin e bukur dhe për përkushtimin e mësueseve që e bëjnë këtë proces edhe më të veçantë”, theksoi ai.
Takimi u mbyll me një atmosferë pozitive dhe frymëzuese, ku fëmijët patën mundësinë të ndërveprojnë drejtpërdrejt me autorin dhe të ndajnë mendimet e tyre mbi librin, duke e kthyer aktivitetin në një përvojë të gjallë letrare dhe gjithashtu ata ndanë me të, idetë dhe kërkesat e tyre për seritë e radhës.
Seria “Shtegu i Dritave Magjike” vijon të udhëtojë mes lexuesve të rinj, duke synuar të nxisë imagjinatën, kuriozitetin dhe dashurinë për librin tek fëmijët.



