Në këtë ditë të veçantë, RevoKult e kujton ikonën Vaçe Zela, duke përgatitur dhe disa foto të saj në një format që publiku nuk i ka parë më parë. (Ndalohet përdorimi i tyre nga media të tjera pa cituar burimin).

Në 87-vjetorin e lindjes së Vaçe Zela, Shqipëria rikthen vëmendjen te një nga figurat më përfaqësuese të artit kombëtar, një artiste që me zërin dhe interpretimin e saj la gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës.
Mes këngëve që e bënë të pavdekshme dhe kujtimeve të atyre që e njohen nga afer është përkujtuar në qytetin e saj të lindjes.
Sheshi qendror i qytetit të Lushnjës u mbush me artdashës mbrëmjen e së martës, ndërsa ndoqën një koncert me këngët e Vaçe Zelës.

Këngëtarët lushnjarë të qendrës së artit që mban emrin “Vaçe Zela” kanë sjellë për publikun këngë nga repertori i divës së muzikës shqiptare.
E lindur më 7 prill 1939 në Lushnjë, Vaçe Zela u afirmua që në vitet e para të karrierës si një talent i rrallë. Ajo u bë shpejt pjesë qendrore e skenës muzikore shqiptare, ndërsa interpretimet e saj në Festivalin e Këngës në RTSH u kthyen në pika referimi për publikun dhe kritikën. Me 11 çmime të para të fituara ndër vite, ajo mban një rekord të pakrahasueshëm në këtë kompeticion.

Repertori i saj përfshin disa nga këngët më të njohura të muzikës shqiptare, si “Djaloshi dhe shiu”, “Valsi i lumturisë” dhe “Çupa e maleve”, të cilat vijojnë të transmetohen dhe të dëgjohen gjerësisht edhe sot. Zëri i saj karakterizohej nga një shprehje e fuqishme emocionale dhe një interpretim autentik, që e dallonte nga bashkëkohësit.
Për kontributin e saj të jashtëzakonshëm, Vaçe Zela u nderua me titujt më të lartë, përfshirë “Artiste e Popullit” dhe “Nderi i Kombit”, duke u konsoliduar si një nga ikonat më të rëndësishme të kulturës shqiptare.

Edhe pas ndarjes nga jeta në vitin 2014, ndikimi i Vaçe Zela mbetet i pranishëm. Këngët e saj vazhdojnë të jenë pjesë e trashëgimisë artistike dhe një referencë për brezat e rinj të muzikantëve.
Në këtë përvjetor, figura e saj rikujtohet jo vetëm si një artiste e madhe, por si një simbol i një epoke që ndikoi fuqishëm në zhvillimin e muzikës shqiptare.

