-E di për çfarë do më pysësh. S’je i pari që habitesh me mua dhe punën time. Këto 7 makina nuk i kam nxjerrë për ti shitur, siç tu dukën gabimisht. Do ja jap me qera turistave që pas pak do vinë me miliona dhe mezi po i pres. Tu pa vjet gjithata turista nëpër Tiron, nuk u besojsha syve dhe veshve. O Zot shyqyr që erdhi kjo ditë që e kam prit gjith jetën me ankth…
Sapo i isha afruar gardhit anës rrugës brenda të cilit ndodheshin 7 makina, jo të reja, por të pastra të rregullta të vendosura në pozicione që të dukeshin sa më mirë nga rruga. Vendi ku rrinin makinat, gjithashtu i sistemuar për bukuri. Mu duk se ato makina vendosur me kujdes të veçantë, ishin në shitje, dhe u afrova. Jo për t’i blerë. E kam një makinë. Për tu kënaqur duke i parë nga jashtë gardhit. Entuziasti i papërmbajtur i pronës private dhe iciativave kapitalistike, “qeni lekut” dhe “gomari punës” që më pa nga larg, s’më la ta hapja gojën. Më sulmoi me një rrebesh fjalësh. Më hutoi krejt. Më bëri ta humb mendjen si Xhaferri simiten. J’u nënështrova me kënaqësi ligjëratës së tij të zjarrtë në mbrojtje të punës, pronës, kapitalizmit, biznesit. E lashë të vazhdojë. Nuk e pengova fjalimin paksa naiv por tmerrësisht të sinqertë në mbrojtje të pronës dhe iniciativës nga një llërëpërveshur që pas një jete plot taksirate, më së fundi, ja niu lezetin…
-…Vjet kisha 3 makina. Dy Benza, 1 Fiat. Jo të reja. Me shumë kilometra. I pata ble lirë me kursimet që pata. I mbaja në oborr të shpis. Fitova diçka. Jo kushedi se çfarë. Bereqaves. Sivjet kam shtu 4 të tjera. 2 Opela, 1 Toyota Land Cruiser, 1 Jeep Wrangler. Opelat dhe Toyotën m’i solli një shok nga Gjermania. Jeep-in një kushuri nga Amerika. Borxh, natyrisht. Por me kushte të mira. Nuk më shtrëngojn. Me kismet, pas nja dy vjet pune do ja kem la borxhin. Mos u habit me laryshinë e markave të makinave. Qefet e turistave jan turlilloj. Dikush që do me ik nëpër qytete, merr makinë të vogël. Dikush tjetër që ikën nëpër male, merr Wrangler. Të ndryshme jan kërkesat e turistave, të ndryshme janë dhe makinat e mia. Duhet me i respektu preferencat. Iherpëriher s’ja kam takatin me rreshtu ktu nja 100 Mazda të reja flak me i çmen të gjithë, me lon nom, si i thon fjalës. N’kohën e qepës ke ofiçina ku bojsha sikur punojsha kena pas vetëm 1 çels heksagon 13. Merre me men ça përparimi kolosal. Nga 1 çelës 13-ç për 200 zhulsa që kishte ofiçina, te 7 makina vetëm për mua. U bo bytha ime me gjith kto makina. Që të kem dhe të tjera, duhet me i majt në gadishmëri kto që kam.