Ngërçet që krijon panairi i librit në procesin e leximit – Aldo Mustafa

Ngërçet që krijon panairi i librit në procesin e leximit – Aldo Mustafa

Teksa vizitoja stendat e librave dhe shtëpive botuese në panair ditën e djeshme, më shumë se një “ekspozitor të madh librash” nuk shihje asnjë gjë më shumë!

Që pas përfundimit të studimeve në universitet mendoja të krijoja një buxhet mujor nga rroga, për të vazhduar “studimet” individualisht. Kështu shpenzoj një pjesë të konsiderueshme të rrogës mbi libra me karaktere të ndryshme ku çdo muaj mesatarsisht 8.000 lekë të reja më shkojnë për 8 libra! Ndërkohë një ditë më parë në panairin ku oferat “gëlonin”, shpenzova 10.000 lekë të reja për 12 libra. Që do të thotë një vlerë e cila tregon se ofertat ishin të papërfillshme.

Shpesh shtëpitë botuese hasen më shumë vështirësi në punën e tyre dhe po ashtu rritja e dëshirës së “autorëve” për të botuar çdo vit 2-3 romane falas, bëhet në njëfarë mënyre barrë sidomos kur librat e tyre nuk arrijnë tek lexuesit. Më tej problematikë tjetër që hasin shtëpitë botuese është mungesa e një network-u të mirë me lexuesit dhe “vatrat e leximit”, kjo e fundit lidhet me mungesën e menaxhimit të mirë të marketingut dhe biznesit.

Rezultati i atyre pak problematikave, bën që në panair të mos kemi oferta të mirëfillta për lexuesit, pasi 10-20% zbritje në panair është një vlerë e papërfillshme e cila e përkthyer në para, i kursen një lexuesi një shumë prej 150-200 lekësh të reja ndërkohë që po flasim për një panair dhe jo libraritë e qytetit të cilat oferta të ngjashmë m’i bëjnë sa herë blej libra.

Ana tjetër e medaljes është se përgjatë vitit, platforma të tjera online si Bukinist psh. bëjnë ulje më të mëdha se vetëm 10-20% i uljeve që kam parë në panair këto ditë, që do të thotë se shtëpitë botuese krijojnë vet efektin negativ të ngërçeve. Nëse nuk u jepen oferta lexuesit, ai do të zgjedhë sigurisht “autorët e afirmuar”, duke zgjedhur autorët e afirmuar, nuk u mbetet hapësirë autorëve të rinj, duke mos patur qarkullim të autorëve të rinj nuk do të zbulohen dhe investohet mbi talentet e reja dhe shitjen e librave të mëtejshëm, çfarë dërgon në pamundësinë për të lexuar më shumë dhe më pas mbetemi në statistikat e dyshimta nëse shqiptarët lexojnë ose jo.

Çështja e leximit nuk ka të bëj vetëm me dëshirën për të lexuar, por edhe pamundësinë. Një lexues më mirë se çdokush, e din ndjesinë e të pasurit, prekurit, nuhaturit dhe shënjuarit të frazave të caktuara mbi libër, pra ta blesh dhe ta ruash fizikisht, është më shumë se thjeshtë ta lexosh diku, leximi i një libri është një eksperiencë ndoshta deri diku intime, të cilën ti dëshiron ta kesh tënden, në raft me shënimet e tua, për t’iu rikthyer, prandaj lind nevoja e blerjes dhe jo thjeshtë leximit në ndonjë bibliotekë.

A ia mundësojnë shtëpitë botuese lexuesit këtë lloj kulture? Me këto çmime, sigurisht që JO! Lind nevoja e rishikimit të mënyrës sesi po menaxhohen çmimet dhe raporti i tyre me rrogat mesatare, që minimalisht në panair të mund të dalin të gjithë me 2-3 libra për të lexuar. Lind nevoja të rishihet mënyra e taksimit mbi librat nga ana e qeverisë, lind nevoja për politika të reja mbi librat, në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi të lexojnë të paktën një libër në muaj!