Mona Liza – nga Met Dervishi
Mbesës sime O’drit dhe nipit, Gregorios
Ajo sapo u nda nga krelat e përrenjve
nga nimfat e pyjeve përreth kodrinave të lumit Arno, nga oeradat, Orfeu dhe Euridika
që I uronte fat nga larg, mes breroreve të pjalmit
ajo pra, shkundi elbazenë e flokëve mbi supe, hodhi vellon mbi to, vuri shallin
dhe doli para Mjeshtrit
Nuk kishte ndonjë diademë te flokët, as diamantë gjarpërues
as qerpikë të vënë, as pircing, as truke nishanesh te mollëzat a mbi vetulla
as gjerdan, brilante, as perla mbi krahërorin e hapur ku preheshin flladet e aheve
as unazë, as byzylykë te kyçet
Ishte Mona
Engjëlli i zjarrit, vatrës, fëmijëve
engjëlli i djemve që bëheshin burra, engjëlli i burrave që plakeshin burra
në zjarrin e vatrës së vet
Në krye
nja njëqind a dyqind vjet asisoj
e panë, e adhuruan e i puthnin duart me përgjërim
kalorësit, mbretërit , perandorët
Por, pas revolucioneve
pas sonetave romantike për konkubinat e teatrove të Mamonës
demonët, ata me thundra në këmbën e majtë dhe me xhufkat e qimeve që iu shpërthejnë nga veshët
demonët pra, ata me brirë kaçurrela
zunë të harboheshin përreth saj duke shkkrofëtitur, teksa flluska flakëzash fosforike
u plasnin nga hundët e nga sytë
Distanca që mbante ajo, veli, buzëqeshja enigmatike
dhe fakti që i shihte në dritë të syrit me atë buzëqeshjen e saj sovrane
po sidomos distanca që mbante, ajo distancë perëndeshe
I tërbonte
As nuk blihej
as nuk shitej
një shembull I keq
që duhej sikterrosur
Dhe iu kërceu damari
dhe sakaq thirrën poetët e papafingove të Parnasit, të mallëkuarit
ata që kërrenin vjersha duke gudulisur gushën e prostitutave të dorës së tretë
që përveshën sakaq mëngët e ojnave të tyre plot metafora
e zbritën hyjneshën nga fronet sovrane dhe e etiketuan atë njëri pas tjetrit
një femër fatale, një Lilith noprane, hipnotizuese –
një gjarpërushe Edeni
Po ajo nga lart buzëqeshte
E rrethuar nga poetët e saj
Diku bëhej një Carmen, diku një Esmeraldë, diku një Emë floberiane
E diku tjetër një Ana Kareninë, kur tradhëtoheshin beriozat
Po demonët nuk dorëzohen
saora, ata urdhëruan ngritjen e fabrikave të kimikateve, institutet e çmemorizimit të pyjeve
nga të gjitha llojet të driadave, najadave, menadave, erinive, hekzametrit
legjendave e baladave
Ndërkohë
diku, në ndonjë korie ndanë liqeneve me kështjella të braktisura
a diku, tutje nga përrenjtë e tendave cigane, nga izbat siberiane me çati thekre
ajo dilte sakaq, shkundte ujvarën e flokëve, shihte përreth
dhe buzëqeshte, buzëqeshte
e rrethuar nga pjalmi i nimfave që vallëzonin rreth supeve të saj
Atëhere demonët, nga studiot e piktorëve ku kalonin kohën me balerinat e modës së fundit
shpallën konkurset e përçmimit të Mona Lizës –
një konkurs të vlefshëm për gjithë shekullin
Dhe ja, kinse në emër të çmitizimit
një piktor francez që do të bëhej sakaq i njohur tej e përtej kufijve të artit
e njollosi me mustaqe portretin e saj torturues
Pastaj, për t’I larë duart me të njëherë e mirë
vuri diciturën: L H O O Q
(edhe ajo ka vapë në b…)
Kopjen e bënë kartolinë
Dhe ua shpërndanë të gjitha gazetave, televizioneve, internetit, inteligjencës artificiale
Salvador Dalisë, studiove të popit, repit
estetëve të strukturalizmit, analisteve të Big – Brotherit
të bindur, gjithsesi që mitin e saj pjalmor
do ta bluanin nofullat e popreklamës
Por asgje nuk ndodhi
Diku në ndonjë trotuar të Parisit, ndanë Senës
A ndanë lumit Arno, a ndanë Amazonës së xhunglave
apo diku andej nga lumi Jance a diku, mbi kurrizet e dunave, mbi afshet
rreth kasolleve me purteka të oazeve të shkretëtirës, sapo shkrepte dielli
ajo dilte sakaq nga vorbullat e kuqërremta të tij
shkundte si me përtesë flokët, hidhte velin e misterit të saj mbi supe
pastaj hidhte një sy përreth
dhe buzëqeshte
Atëherë demonët s’e deshën më veten
Nga lart poshtë urdhëruan të gjitha atelietë që të shpalleshin konkurse të reja
që dhanë frutet e para
Në Paradën e Pashkëve të shenjta, Broadëay 1929
Eduard Bernays
Me nga një çibuk në gojë, me cigare të ndezura e taka të larta me vithe të kuqe
I veshi dhe i zhveshi vajzat
teksa parakalojnë sipas tekave të shumëkombësheve
Po sërish asgjë nuk ndodhi
sërish ajo dilte befasisht në ndonjë park ku loznin fëmijët
a në ndonjë kasolle bambuje, a në kasolle qerpiçi andej nga Kamasutra, Bangladeshi
pra, ajo dilte
dhe shkundte pjalmin e nimfave nga floket e saj të zinj
mbi trotuaret me gjethe, gurë dhe glasa zogjsh
Sakaq demonët morën masa të tjera
dhe ngritën institute të reja me njerëz më kompetentë
po sidomos psikologë, neurologë, seksologë, psikopatologë
dhe u thanë që do t’I ngordhin për bukë nëse nuk reformohen të gjitha repertoret e teatrove të rrugës, këngëve, kabareve
ato të studiove filmike, vitrinat e engjëjve nudo të Amsterdamit, paradat e modës së Milanos, Londrës, Tokios
pastaj shpikën cancanin e përshëndetjes se plateve me mollaqet e zbuluara të prapanicës dhe
klarkerët e duartrokitjeve
pastaj i morën virgjereshat dhe i zhytën në baltën e sfilatave të Balenciagës, burleske
shpikë pornostaret, stripstaret, dhe hotstaret kobra me sy të zinj diamantesh
tubin e klubeve te natës, miss culin, miss bumbumin, miss perlën e zezë
sfilatat e bungabungës, mitin e kavalierit
dhe më në fund, mbi diademat e Oscarit, Gremit, te dekoret e Kërshëndellave dhe te panelinat
ngulën zemrat e zeza me sy djallushe, kaçurellat e brirëve
dhe thundrën e Mefistofelit
Po sërish, nuk ndodhi asgjë që të mos kish ndodhur më parë
këtu e njëmijë, a këtu e dhjetëmijë vjet para Vedave
se, ajo ja ku po del sërish zbathur me fustanin mbi gjunjë
mbi brigjet e Guadalkivirit me kastanjeta
se, ja, teksa po i shkund sërish flokët e kuq mbi një gondolë veneciane që po humbet drejtpeshimin
nën Urën e Psherëtimave
Atëherë demonët rrahën krahërorin, me britma
Brirët nxirrnin flakërime vjollcë
Dhe
sakaq dikush vuri një maskë, hyri në Luvër dhe e qëlloi me vezë të paepurën, sa për lajm
pastaj, një maskë tjetër e qëlloi pas nje jave me një tortë burleske
pastaj, një javë tjetër, si me komandë
nuk u mbajtën më dhe e qëlluan me gurë
për ta verbuar
Po pastaj i thirrën mendjes, u qetësuan
duheshin zgjidhje të tjëra
njerëz të tjerë kompetentë duhej ta ndanin një herë e mirë efektin e saj
nga sindroma Stendal
Dhe sakaq shpikën selfijet
shpikën like/dislike të qetë, aspak trubullues, ti as që e njeh, as që mund ta njohësh
dhe je brenda rrezes së shikimit të Meduzës
Pastaj
si nuk ia dolën as me miliona e miliona klikime
mumjet e forumeve shpikën komsomolasit dhe gardistët e kuq të projektit Gender
shpikën gjashtëdhjetë e shtatë gjinitë e lejueshme dhe, leksikun e palejueshëm
më në fund fare,
pastaj
më në fund fare
ata shpikën gjininë fluide
Por
sërish asgjë nuk ka ndodhur
dhe ajo është po atje
në Luvrin e saj, te gondolat e Venecies, te kasollet prej qerpiçi të Indit
a te fjordet nordike
999 Stendalë të rinj
çdo ditë pësojnë po të njëjtën goditje teksa hyjnë nën rrezen e brerores
së buzeqeshjes së saj
Dhe kudo që ajo shfaqet
Me sandale ose zbathur, me kastanjeta apo pa kastanjeta si ciganet e Hygoit
Një Joe Dassin qëron zërin dhe ia nis himnit të pavdekshëm për të:
“Et si tu n’existais pas” …
Dhe po të mos ekzistoje..
Met Dervishi