Bijtë e Gjergj Kastriotit, Arbëreshët tanë janë trashëgimia jonë e vyer ndërshekullore. Ata vazhdojnë që prej gjysmë mijëvjeçari të mbajnë gjallë gjuhën, traditën e ritet tona të hershme kombëtare.
Dy ditë pas Pashkës, Arbëreshët festojnë ditën e Valles.
“Vallja e Pashkës” lindi gjatë shekullit të XV-të e ka një karakter ritual e historik. Ky kërcim popullor evokon me krenari një nga fitoret më të rëndësishme të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti të zhvilluar pikërisht në të martën e Pashkëve të vitit 1467.
Për çdo zemër shqiptari kjo është një trashëgimi heroike, patriotike e tejet prekëse, duke nxitur e ushqyer më shumë atdhe-dashuri.
Historia e Arbëreshëve u rrënjos kur prijës të Gjergj Kastriotit u shpërngulën në Itali përpara pushtimit otoman por pjesa më e madhe e tyre u shpërngul në Jug të Italisë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit në vitin 1468, rënies së Krujës në vitin 1478 dhe Shkodrës 1479.
Për shkak të pushtimit nga osmanët, grupe të tjera shqiptarësh u larguan nga atdheu i tyre përmes detit Adriatik për në Itali duke themeluar më 30 gusht 1488 “Piana degli Albanesi” siç thuhet nga arbëreshët “Hora e Arbëreshëvet”.
Ruajtja e gjuhës, besimit, traditës, riteve, kostumeve, këngëve etj, i Arbëreshëve prej afro 6 shekujsh është rast unik jo vetëm në Evropë por në mbarë botën. Arbëreshët kanë ruajtur shumë elemente etnike të kulturës së saj shqiptare, veçantitë e saj kulturore, gjuhësore, fetare (gjuhën, ritin bizantin, veshjet tradicionale, zakonet, muzikën, folklorin).
Ekzistojnë rreth 800 veshje tradicionale vetëm në Horën e Arbëreshëvet, e mbi një mijë në zona të tjera.
Në ditë festash arbëreshët organizojnë parada dhe varin në ballokone qilima disa shekullor, të endur me tezgjah, të trashëguara brez pas brezi në çdo familje. Si motiv ato kanë shqiponjën dykrenare, por edhe lule të kuqe që simbolizojnë ngjyrën e flamurit, si në rastin e Kalabrisë, ku në qilima figuron lulja Geranium Imperial, e cila rritet masivisht në kodrinat e lëndinat e zonës.
Ushqimet tradicionale janë një karakteristikë e veçantë, si kulaçi dhe buka pa maja, mënyra e ngjyrosjes në vezëve të pashkës përmes zierjes në kazan të rrënjëve të kuqe, ndërsa kërcimet dhe këngët përçojnë emocione mallëngjyese për largimin nga atdheu dhe mallin për vendlindjen e tyre, si për shembull kënga për Morenë, vendin e tyre që tashmë e kishin lënë shumë larg.
“Mori e bukura More Si të le e më së të pë! Atje kam zotin tatë, atje kam zonjën mëmë, atje kam edhe tim vëlla: Gjithë të mbuluar në dhe!”
Komunitetet Arbëreshe ndodhen jo vetëm në Itali, por edhe në Argjentinë, Gjermani, Francë, ShBA, Kanada, Greqi, Australi, etj, ku me krenari ata vazhdojnë të ruajnë prej shekujsh identitetin arbëresh. Siç thuhet edhe në këtë këngë arbëreshe: “O zë i ngrohtë i vendit tim. O dritë e syve të mi. Ne jemi bijtë e Kastriotit. Ne u përkasim dheut të shenjtë.”
Sa e mrekullueshme është kjo!
Sa krenari për ne!
Gjak i shprishur, por një.