Lamtumirë Besnik Velaj, patrioti në kohë moderne! – Nga Laureta Petoshati

Lamtumirë Besnik Velaj, patrioti në kohë moderne! – Nga Laureta Petoshati

Është e vështirë të shkruash për njerëz, të cilët jo vetëm i ke njohur, por që dhe kur ishin në jetë e kishin të mprehtë majën e kalemit. Sidomos kur ishin njëkohësisht modestë, por dhe kritikë ndaj vetes. E kam fjalën për gazetarin Besnik Velaj, njeriun e mençur dhe fisnik që publicistikën kishte kohë që e lëvronte dhe që në Vlorë njihej si një gazetar i pavarur (freelance), i cili në qendër të shkrimeve të tij kishte atdheun dhe ardhmërinë e tij.

1. Prejardhja

Besnik Velaj kishte lindur në Vlorë në vitin 1945 dhe ishte i biri i Laver Velaj, një burri të mençur dhe patriot nga familja e madhe Velaj nga Kanina, e njohur për atdhedashurinë, por dhe për disidencën e madhe ndaj diktaturës komuniste. Besnik Velaj ishte një pasardhës i kapedan Beqir Ibrahim Velo Kaninës, i cili ishte në ballë të patriotëve që pritën Ismail Bej Vlorën në vitin 1908 në Skelë të Vlorës dhe e shoqëruan drejt Kaninës, ku natën e parë për darkë e kaloi te shtëpia e këtij patrioti, pra te Beqir Velo Kanina, i cili mirë-organizoi gjithë udhëtimin në Labëri dhe Himarë të Ismail Bej Vlorës. Besnik Velaj ishte nipi i Pr. Selahudin Velaj, i cili për 50 vjet u dallua si anëtar i hershëm i Federatës PanShqiptare të Amerikës Vatra, si aktivist i të drejtave të njeriut në SHBA, por mbi të gjitha sponsorizues dhe përkthyes i librit “Struktura etike e Kanunit dhe nënkuptimet e saj kulturore” me autor profesorin japonez Kazuhiko Yamamoto, me të cilin ligjëroi me kostum e flamur kombëtar shqiptar në auditoret e universiteteve japoneze. Por Besnik Velaj ishte dhe nip i atij, që për kohën e gjatë të qëndrimit në burg, njihet si Mandela i Vlorës, Petrit Velajt, që më 1991 u prit në zyrën ovale nga vetë Presidenti i SHBA-ve, Xhorxh Bush, i cili e ftoi për të vizituar Shtëpinë e Bardhë. Por Besniku, ishte po aq patriot dhe fisnik dhe nga nëna, Afija, e cila ishte mbesa e Abaz Mezinit, i cili ka qenë kryetari i Komitetit për Sigurinë e Shpalljes së Pavarësisë dhe kryetari i parë i Bashkisë Vlorë, me miqësi e krushqi me Ismail Bej Vlorën.

2. Veprimtaria patriotike dhe në publicistikë e Besnik Velajt

Unë e njoh që kur kam lindur, si i thonë, Besnik Velaj-n, sepse që të dyja familjet tona jetonin në Skelë. Ishte një lagje që kishte shumë dukatas, tragjasiotë, kaninjotë dhe çamë. Ajo, që mund të them me plot gojën, është fakti që Skela ishte një lagje me djem e vajza sportistë dhe shumë patriotë, me lidhje familjare shumë patriotike dhe me një kohezion social të jashtëzakonshëm. Ndoshta deti, Muzeu i Pavarësisë, ardhjet e shpeshta të Petro Markos te familja e patriotit Ibrahim Shyti, legjenda se këtu e kishin ngritur dhe e kishim mbajtur në krahë Ismail Bej Vlorën, se këtu kishte jetuar Giovanni Valenza, se deri në fund të vitit 1962 kishte jetuar dhe bashkëshortja e tij që i thonim “signora”, se këtu ishin pritur me armë pushtuesit në vitin 1939, e shumë histori të tjera, e bënin Skelën, për ne fëmijët atje, si qendrën e botës. Dhe çdo 28 Nëntor ashtu, njëri pas tjetrit, bashkë, grupe-grupe, niseshim drejt Sheshit të Flamurit. Besniku kishte dhe dy vëllezër të tjerë: Ventigjarin dhe Myrtezanin. Nëse Skela ishte e famshme për notarët, Ventigjari, që më vonë u bë “Mjeshtër Sporti”, ishte një alpinist i famshëm, madje ndër të paktët që ngjiti 25 majat më të larta në Shqipëri. Besnik Velaj kishte dhe një lidhje të fortë me sportin si një sportist profesionist dhe mbajtës i rekordeve kombëtare ne sportin e vështirë të kanotazhit. Mbaj mend, në një ditë feste më 28 Nëntor, siç më mbante për dore im atë, më bënte përshtypje një flamur që Besniku e mbante mbi supe, me krahë poshtë dhe thoshte që e ëma, Afije Mezini, e kishte marrë në pajë dhe ishte që nga koha e pavarësisë. Por Besniku ngacmonte me shprehjen e këngës: “Dukat e Tragjasë shumë-Djemuria një furtunë…” Dhe im atë ia kthente: “Dil o Kanina me vulë!” Madje kjo gjë ngeli si përshëndetje dhe mbas 30 apo 40 vjetësh, apo deri në fund të jetës së babait tim dhe të Besnikut. Por unë, në atë kohë, që isha shumë e vogël, mbaj mend një djalë të ri, energjik, që e ngacmonin të martohej se po i shkonte jeta mbi libra e në punë. Sepse Besniku pas shkollës së mesme dhe pas ushtrisë vazhdoi Filialin e Vlorës në degën Ekonomik dhe punoi në Fierzë, si drejtor i degës ekonomike. Madje, kur u kthye nga Fierza u fut prapë në filial për bio-kimi, ku bëri nja dy vite, por nuk arriti të diplomohej pasi ia ndërprenë shkollimin për shkak të letrave që shkruan mbi biografinë e tij. Kishte ikur koha e zbutjes së luftës së klasave. Po të kisha pasur një aparat fotografik në atë kohë si kanë celularët fëmijët e sotëm, do të kisha kujtime shumë të bukura, mbi pelegrinazhin atdhetar që bënim ne Skelarët drejt Sheshit të Flamurit, ku Besniku printe me shprehjen: “Lavdi Ismail Qemalit!” Por edhe pse u prish Skela dhe ne u shpërndamë, Besnikun, sidomos mbas viteve 1990, e gjeje në pothuajse të gjitha aktivitetet atdhetare. Unë e kam fotografuar kudo që e kam parë. Nëse ne dikur bënim pelegrinazhin e pavarësisë, pothuajse çdo vit, më 27 qershor, ne skelarët kemi bërë pelegrinazhin drejt Qafë Botës për të nderuar viktimat e pafajshme të Çamërisë. Ai nuk mungoi asnjëherë. E shikoja ndërsa intervistoja për reportazhet e Tv Vlora Channel dhe për shkrimet në disa gazeta, kur vinte dhe më afrohej dhe më thoshte: “Merre dhe atë, nënën 90 vjeçe atje.” Jo vetëm në Qafë Botë, por dhe në Tiranë kur është bërë protestë për Çamërinë nuk ka munguar. Mbante një tabelë të madhe dhe shkova ta filmoj. Nuk pranoi duke më thënë se këto punë nuk bëhen për tu dukur, por për të nxjerrë në dritë këtë problem të mprehtë kombëtar. Kudo ku shkonte bisedonte me më të moshuarit, mblidhte fakte dhe pastaj shkruante nëpër gazeta si njeri i lirë dhe atdhetar. Ai shkroi për problemet e Vlorës, për historinë e saj, për personalitete të shquara si Ismail Qemal Bej Vlora, Yzeir Ismail Alimerko, Vera Osmani, Lefter Çipa, për postierin e pavarësisë Faik Kreshpa, për naftëtarët e Labërisë, duke i zënë me emra një e nga një, ndërsa shkrimi i fundit i tij ishte “Ngjarjet e Himarës dhe togat e zeza atdhetare”, ku me një kronologji dhe njohje juridike të mahnitshme sqaron ngjarjet e fundit në Himarë me Fredo Belerin. Në bashkë- autorësi me mua, Besnik Velaj ka bërë disa shkrime. Por shkrimi më i mprehtë ishte ai për Kalanë e Kaninës, ku një tjetër Fred, por me mbiemër Berberi, kryetar komune më 2010, merrte gurët e Kalasë së Kaninës dhe i mbulonte me beton në rrugën që po ndërtonte. Në atë kohë u zhdukën shumë gurë të shkruar dhe artikulli i botuar te Republika titullohej “Përse shteti hesht kur Kalasë së Kaninës po i del themeli.” Me këtë rast dhe avokat Altin Goxhaj e ngriti si problem, pasi ne treguam faktet e dokumentuara dhe ndaluam ndërtimin e një kishe ortodokse brenda Kalasë. Besniku ka qenë i pranishëm dhe në disa konferenca mbarëkombëtare të bëra nga disa shoqata patriotike për shumë çështje kombëtare. Në njërën që u mbajt në Durrës më 10 qershor 2008 me rastin e 130 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ai diskutoi se cilat duhet të ishin detyrat atdhetare që duhet të bëjë çdo shqiptar. Ai ishte në tavolinë me Pr. Musa Limanin nga Presheva, me Godiva Shytin, vajzën e patriotit Ibrahim Shyti, me vëllezërit Lefter e Kristo Çipa, me studiuesin Foto Bixhili, etj. Ai kishte aq shumë njohuri për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe Abdyl Frashërin sa i la të gjithë me gojëhapur. Kishte dokumente të fotokopjuara dhe të përkthyera nga osmanishtja e turqishtja nga i biri Egon Velaj, që në atë kohë ishte student në Turqi dhe ku mbaroi shkëlqyeshëm. Besniku ishte në rivarrosjen e eshtrave të Eqerem Bej Vlorës në Kaninë dhe sqaronte gazetarët dhe të ftuarit për çdo gjë. Besniku ishte tip Sokratik, pyeste shumë, bënte pyetje që të kryqëzonte dhe në mes të sallës. Këtë gjë e bëri me shkrimtarin Ben Blushi për romanet e tij “Të jetosh në ishull”, dhe “Otello, Arapi i Vlorës” se përse kishte zgjedhur ato subjekte dhe do të vazhdonte më shumë, por salla e mbushur me politikanë dhe kuadro në kohën që Beni ishte në Olimp të karrierës politike si socialist, e zhurmuan pasi i dëgjuan pyetjet me spec të Besnikut. Ajo që mua më bënte përshtypje te Besniku ishte kurioziteti i tij ndaj gazetës “Himara”, që dilte në greqisht dhe ky kërkonte përkthyes për të mësuar se çfarë shkruhej në to pavarësisht sa ishte çmimi, në kohën kur ilaçet që merrte ishin gjithashtu të kushtueshme dhe mua më vinte keq që nuk dija greqisht që t’ia përktheja falas. Sepse ky ishte Besniku, shqiptar 24 karat siç thoshte vetë. Por ashtu pati dhe familjen që krijoi. Ai kishte bashkëshorte mësuesen e mirënjohur Elvedina Çirakun, vajzën e Avdurraman Çirakut, një patriot i madh i një fisi namlartë në Labëri. Vajza e tij Alisa Velaj është Doktore e Shkencave Filologjike, studiuese dhe poete e dëgjuar ku vëllimi i saj poetik “Shtjellë reje, shtjellë zjarri” është vlerësuar nga Ministria e Kulturës si vëllimi më i mirë poetik i vitit 2019, ndërsa i biri ka studiuar në Fakultetin e Shkencavë të Sigurisë në Ankara-Turqi te Polis Akademisi (Akademia e Poicisë) dhe ecën në gjurmët patriotike të së atit.

3. Një grusht dhè dhe një kurorë për Besnikun

Nga 4 dhjetori Besniku nuk është më. Sëmundja ka ngrënë dhe perandorë po t’u qep. Ai vuajti pesë vjet nga një leucemi agresive, por nuk u ankua kurrë. U shkri si qiri në heshtje dhe mbylli sytë për të ikur në amshim, në dimensionin tjetër. Unë edhe këtë herë bëra fografi për të dokumentuar numrin e madh të kortezhit me familjarë , apo dhe me njerëz të thjeshtë dhe funksionarë të lartë të të dy partive politike në vend. Shoqata “Kanina”, ku Besniku ishte anëtar prej vitesh, i bëri një përcjellje ashtu siç e meritonte një patriot i përkushtuar. Krahas kurorave më zuri syri një kurorë që mbante emrin e Shoqatës Atdhetare “Çamëria” që e vendosën dy përfaqësues të saj dhe konkretisht zotërinjtë Sali Nuredini dhe Besmir Brahimi. “Erdhëm dhe hodhëm një grusht dhè dhe vunë një kurorë për Besnikun, sepse siç kishte emrin ashtu i qëndroi dhe çështjes çame,” më thanë me sytë e lotuar, në këtë ditë të enjte që rigonte një shi të hollë, i cili ne skelarëve na kujtonte vesën e mbrëmjes buzë detit. Ndoshta dhe deti, ashtu si ne po i thoshte: Lamtumirë!

(PS: foto nga ceremonia e rivarrosjes së eshtrave të Eqerem bej Vlorës në Kaninnë)