Edlira Harizi – Në anën e së drejtës, jo domosdoshmërisht të shumicës

Edlira Harizi – Në anën e së drejtës, jo domosdoshmërisht të shumicës

Në një klimë politike ku rreshtimi shpesh ngatërrohet me bindjen dhe heshtja me qëndrimin, Edlira Harizi zgjedh një rrugë më të vështirë: atë të zërit të lirë. Në një bashkëbisedim të hapur, ajo nuk kërkon të imponojë, as të shfaqet e përsosur, por thjesht të jetë e vërtetë.

“Unë jam një shpirt opozitar, duhet të jem e sinqertë,” thotë ajo, me një qartësi që nuk ka nevojë për sllogane. Nuk është një opozitare që vjen nga e kundërta e pushtetit me automatizëm. Madje, në një ironi të hollë, rrëfen se edhe kur Partia Demokratike ishte në pushtet, ndjehej sikur ishte “në krahun tjetër”. Kjo sepse opozita për të nuk është thjesht pozicionim politik, por qëndrim etik. Një pozicionim përballë padrejtësisë, pavarësisht se nga cila anë e sistemit ajo vjen.

Pyetjes së drejtpërdrejtë nëse ajo bën “opozitë brenda opozitës”, Harizi i përgjigjet me të qeshur, por edhe me një pohim të qartë: “Gjithmonë kështu kam qenë.” Nuk i është trembur kurrë mendimit të saj. Ka zgjedhur fjalën përpara heshtjes, argumentin përpara bindjes së detyruar. Dhe këtë nuk e ka bërë nga një piedestal, por nga jashtë sistemeve, pa poste, pa pushtet, pa mburoja.

Ajo pranon se realiteti është bërë më i ashpër. Padrejtësitë janë shtuar dhe polarizimi është bërë aq i thellë, saqë vendi duket i ndarë në dy botë paralele. “Vetëm një pjesë e vogël e njerëzve po merr gjithçka,” thotë ajo, duke iu referuar pasurive të përbashkëta, jo si një retorikë politike, por si një vëzhgim i drejtpërdrejtë i realitetit social. Jo gjithçka që është publike është e barabartë për të gjithë. Në fakt, sipas saj, është bërë e zakonshme që këto pasuri të përbashkëta të kapen, të kontrollohen nga pak veta, pa asnjë përpjekje për ta mbuluar këtë realitet.

Fjalët e Harizit nuk janë thirrje për revolucion, por dëshmi për një mënyrë tjetër të të qenit në politikë: jashtë korit, larg uniformitetit, me vetëdijen se të menduarit ndryshe nuk është gabim, por domosdoshmëri. Ajo nuk ofron premtime, por shpreh shqetësime. Nuk përpiqet të tingëllojë e fortë, por përpiqet të jetë e kthjellët.

Në një kohë kur shumë zëra janë shndërruar në jehonë të njëri-tjetrit, ndoshta duhet të ndalemi dhe të dëgjojmë ata që flasin jo për të bërë përshtypje, por për të treguar ç’po ndodh me të vërtetë. Edlira Harizi është një nga ata zëra.

Biseda e plotë:

Edlira: Unë jam një shpirt opozitar, duhet të jem e sinqertë. Kur në pushtet ka qenë PD, dukej sikur kam qenë në krahun tjetër dhe kur isha në krahun tim.
Aldo: Pra ti bën opozitë brenda opozitës?
Edlira: Ahahah, gjithmonë kështu kam qenë. Kam qenë një shpirt i lirë opozitar. Kam thënë ç’kam menduar në të drejtën time dhe kam luftuar për të argumentuar atë që unë kam quajtur të drejtë. Asnjëherë s’kam qenë pjesë e administratave, posteve, gjithmonë e kam thënë çfarë nuk më ka pëlqyer apo nuk më është dukur e drejtë. Por e vërteta e hidhur është se këto vite padrejtësitë kanë qenë të shumta. Padrejtësitë ndaj njerëzve janë përkeqësuar, polarizimi është bërë i tejskajshëm. Vetëm një pjesë e vogël e njerëzve po merr gjithçka, ajo që thashë, atë që është pjesë e publikut, të mirat tona të përbashkëta, se nuk jemi në komunizëm. Por kemi disa të mira të përbashkëta, se në kapitalizëm ka disa të drejta të përbashkëta, ka të mira publike. Ato të mirat tona publike janë monopolizuar dhe janë marrë nga një grup njerëzish pa të drejtë dhe hapur fare madje, tashmë nuk po fshihen fare!