Kineastët: QKK-ja duhet të reformohet, të rritet buxheti! Dëgjesë publike për kinematografinë dhe audiovizualin

Kineastët: QKK-ja duhet të reformohet, të rritet buxheti! Dëgjesë publike për kinematografinë dhe audiovizualin

Nga Blerina Goce 

Kinemaja shqiptare tashmë duhet të operojë mbi një ligj të ri, ndërkohë që prodhimi kinematografik duhet të zgjerohet më tej në fushën e audiovizualit, duke iu përshtatur kërkesave të kohës. Këto çështje që lidhen pikërisht me reformimin e kinemasë janë diskutuar në një takim të organizuar nga MEKI me përfaqësues të industrisë, regjisorë, producentë etj.

Problematikat që u sollën në vëmendje lidheshin me emergjenca aktuale, institucionale, ligjore dhe financiare të funksionimit të prodhimit kinematografik autorial vendas, si dhe me projektimin e një reforme, që do ta demokratizonte filmbërjen në Shqipëri dhe do ta transformonte atë nga pikëpamja ligjore dhe institucionale në një reformë për audiovizualin, ku kinematografia të jetë një prej sektorëve bazë dhe qendrorë.

“Presioni është jo vetëm nga komuniteti, por dhe nga jashtë. Interesi që kanë për të xhiruar në Shqipëri, futja e produksioneve të mëdha është një moment shumë i rëndësishëm dhe besoj tani duhet të fillojë puna e vërtetë, për të ndërtuar atë që do të quhet institucioni i së ardhmes.”, – thotë për “Report TV” producenti Dritan Huqi.

“Emergjenca aktuale është një emergjencë buxhetore, që do të thotë kemi nevojë për rritje emergjente të buxhetit të prodhimit kinematografik vendor. Momentalisht jemi duke hyrë në prodhim, por pa e ditur dhe pa njohur realisht kostot, aq shumë ndryshojnë dhe rriten muaj për muaj.”, – thotë producentja Blerina Hankollari.

Sipas aktorit dhe regjisorit Edmond Budina rritja e buxhetit është tepër e rëndësishme.

“E para gjë që duhet të bëhet është të rritet buxheti i audiovizualit, kinematografisë në veçanti, se do të investosh një, por do të kthehen shtatë. Shteti duhet të verë dorë në këtë drejtim.”, – thotë Budina.

“Dëgjesat me komunitetin janë shumë të mira, por u bënë 15 vite që bëhen dëgjesa të pafundme dhe gabimet përsëriten nga njëri drejtor te tjetri. Këtu ka ngelur një format i viteve ’90-të. Financimi i kinematografisë dhe audiovizualit në Shqipëri duhet të eci hap pas hapi me ekonominë kombëtare.”,- shprehet regjisori dhe producenti Andamion Murataj.

Sipas kineastëve, QKK-ja duhet të reformohet sa i përket produktit audiovizual kombëtar dhe bsahkëprodhimeve ndërkombëtare, pra shërbimet në këtë fushë, që hapin vende të pafundme pune.

“Të dy këto aspekte duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin. Nuk ka kuptim që gjithë ekonomia jonë të kthehet drejt shërbimeve, siç nuk ka kuptim t’u pritet e drejta bashkëprodhimeve ndërkomnëntare që u shërbejnë komuniteti vendas.”, – vijon Murataj.

Kineastët vërejnë se reforma audiovizuale duhët të përfshijë dhe produkte të tjera, jo vetëm kinematografike, pëveç kinemasë autoriale shqiptare, por kjo duhet bërë me balancë të kujdesshme, pasi i duhet dhënë prioritet kinemasë autoriale dhe më pas, mbi të, të ngrihen skema të tjera.

Rol të rëndësishëm në këtë drejtim luan edhe kryetari i QKK-së, që sipas kineastëve nuk duhet ta drejtojë institucionin si pronë private. Për momentin, QKK-ja pritet të zgjedhë një drejtues të ri pas shkarkimit të Eol Çashkut.

“Rregulloret nuk mund të ndryshohen sa herë i teket kryetarit të QKK-së. Në rregulloren e vjetër gjej shumë gjëra që janë antiligjore, antikushtetuese, diskriminuese, për të mos thënë që janë për kallëzim, për t’i çuar në gjykatë. Është domosdoshmëri të ketë një lloj demokracie, minimizimi të burokracisë dhe ndihmë autorëve të rinj, të cilët duhet të hyjnë në fushën e kinemasë. Është domosdomshmëri që këta të rinj të mos kenë pengesa nga më absurdet.”, – shprehet Edmond Budina.

“Një problem tjetër i ngritur ka të bëjë me emërimin sa më shpejt të një kryetari të ri dhe kthimi në normalitet i punës së QKK-së.”, – thotë producentja Hankollari.

“Njeriu i duhur në QKK është diçka imediate për komunitetin.”, – vëren Murataj.

Kineastët ranë dakord që reforma gjithëpërfshirëse e audiovizualit në Shqipëri të vazhdojë me ritme të shpejta, të ngrihet mbi baza profesionale, por pa harruar fazën e ndërmjetme dhe që nënkupton mbështetjen e produktit vendor.

Por kineastët kanë edhe dyshimet e tyre sa i përket kësaj reforme.

“Kërkon një impenjim dhe investim të qartë dhe të drejtpërdrejtë nga qeveria. E shoh si vullnet, por nuk e shoh të vizualizuar në shifra dhe të konkretizuar specifikisht se çfarë duan të na ofrojnë dhe në këto kushte bëhet pak i vështirë dialogu.”, – thotë Blerina Hankollari.

“Duhet sa më pak burokraci dhe të jetë sa më e lehtë mënyra e aplikimit dhe financimit.  Është absurde që nëse dikush ka bashkëprodhues evropian apo amerikan, t’i bëhet barrierë, qoftë kjo për filmin e shkurtër, video-game, filmin e gjatë, prodhimm televiziv. Është absurde që gjejnë barriera te QKK-ja.”, – shprehet Andamion Murataj.

“Ligji i kinematografisë që ka funksionuar prej vitesh, mirë apo keq ka sjellë produktet e veta kinematografike, pavarësisht defekteve, historia e kinemasë është histori suksesi. Duhet të mendojmë të bëjmë një ligj që t’u flasë minimumi 30 viteve të ardhshëm. Shpresoj që gjëja të vazhdojë. Grupet e interesit, kineastët janë të përgatitur.”, – përfundon producenti Huqi.