“Kazerma” është brutale, e vërtetë dhe e pamëshirshme! Gjithçka që nuk pritej!

“Kazerma” është brutale, e vërtetë dhe e pamëshirshme! Gjithçka që nuk pritej!

Nga Aldo Mustafa

“Kazerma” është filmi që e copëton realitetin (shqiptar) pa kërkuar falje dhe që i jep një shuplakë të fortë kinemasë vendase duke e ngritur në një nivel krejt tjetër. Një prodhim që askush nuk e priste, por që të gjithë duhet ta shikojnë, sepse më në fund shfaqet një film shqiptar që nuk kursen dhe nuk komprometon. Me guxim, origjinalitet dhe një vizion ndërkombëtar, “Kazerma” e Turjan Hyskos, i tregon Shqipërisë se çfarë do të thotë të bësh kinematografi të vërtetë.

“Kazerma” është një nga ato projekte kinematografike që nuk mjaftohet të tregojë një histori: ai e zhvesh realitetin e spektaklit deri në kockë, e shtrëngon fort dhe ia kthen pas publikut në formën e një satire të errët, të dhimbshme dhe jashtëzakonisht provokuese. Filmi vendos në qendër mekanizmat e dhunës së butë dhe të pamëshirshme që fshihet pas çdo formati reality dhe jo vetëm, duke e transformuar ekranin në një laborator etik ku publiku, në vetvete, bëhet pjesë e eksperimentit.

Fjoralba Ponari dhe Turjan Hysko shfaqen si dy surpriza të vërteta në aktrim, por secili në mënyrën e vet. Ponari, e njohur prej publikut si një figurë e butë dhe e qeshur televizive, vjen në një dimension krejt tjetër: dramatik, intensiv dhe emocionalisht tragjike. Loja e saj arrin të krijojë rrenqethje, aq sa dridhjet emocionale të personazhit kalojnë natyrshëm tek shikuesi. Hysko, nga ana tjetër, fillimisht shfaqet në territor të sigurt si moderatori i lojës, Turi i njohur për publikun prej vitesh tashmë, në hapësirën e tij komode, por menjëherë pasi zhytet në rolin e personazhit të Arius, ai transformohet në një figurë tjetër: një manipulator i ftohtë, i heshtur, i aftë të thurë intriga dhe të nxisë mekanizmat e errët të formatit. Është një interpretim që nuk e kemi parë prej tij dhe që e shenjon filmin me një energji krejt të re, një anti-hero që i kishte munguar kinematografisë shqiptare!

Filmi gdhend me mjeshtëri ironinë e një reality show, por shtrëngon pyetjen thelbësore: Sa prej publikut e kuptojnë mesazhin e vërtetë? Një prej skenave më tronditëse është ajo ku Sonjës, një prej konkurrenteve, i sjellin si surprizë foshnjën për t’i dhënë gji për pak sekonda, si një formë “shpërblimi” të lojës së saj në këtë format. Pamja është groteske dhe therëse: derisa ekrani kërkon spektakël, ku mbetet masa, kufiri, etika?

Ndodh pak para nisjes së Big Brother VIP Albania dhe në mënyrë të pashmangshme, filmi tingëllon si një prelud, një paralajmërim, ndoshta edhe një pasqyrë e asaj që ka ndodhur, ose edhe më keq, të asaj që pritet të vijë.

Një tjetër skenë e rëndë psikologjikisht është manipulimi ndaj Valerias, ku relativizohet përdhunimi për hir të lojës. Filmi e ekspozon ngjarjen për shikuesit, por jo në vetvete, duke e përdorur si mekanizëm për të treguar sesi dhuna dhe trauma paketohen, relativizohen dhe shiten për audiencën. Një paralele e fortë me realitete të tjera televizive ndërkombëtare, ku viktima shpesh kthehet në element dekorativ për të nxitur klikime dhe debat nën sloganin “Ne japim dhe mesazhe të forta për shoqërinë!”

Personazhet e filmit janë skalitur si qenie të veçanta, me profile aq të ndryshme sa nuk i ngjajnë njëri-tjetrit në asnjë pikë. Secili është një botë më vete, një identitet i papërsëritshëm që ndryshon vazhdimisht rrjedhën e filmit. Ky tipar kujton mënyrën sesi krijohen karakteret në veprat e autorëve si Dostoevsky: figura të pavarura, që nuk të lejojnë t’i përziesh, t’i krahasosh apo t’i ngjash. Kjo shumësi identitetesh e mban filmin të gjallë, të paparashikueshëm dhe kurrë monoton.

Ndërkohë, sfidat që personazhet përjetojnë brenda “Kazermës” janë aq të ashpra dhe të shumëfishta, sa duket se aktorët i kanë kaluar realisht edhe gjatë xhirimeve. Vetë dinamika fizike e skenave kërkon përsëritje dhe lodhje të vazhdueshme, çka ndoshta ka shërbyer në përforcimin e interpretimit, duke i shtyrë drejt një përfshirjeje emocionale më të thellë në rolin e tyre.

Në një prej momenteve më të ironizuara, filmi rimerr debatin e famshëm të “brekëve” mes Egla Cenos dhe Jul Dedes në Big Brother VIP, por e çon në drejtim krejt tjetër. Rikrijimi i një çasti që dikur ndezi publikun, tani sjell… asgjë. Pikërisht kjo “asgjë” është goditja më e fortë: një pasqyrë e boshllëkut të përmbajtjes që konsumojmë çdo ditë në emër të spektaklit.

Thelbi i filmit është denigrimi i individit për hir të show-t, zhdukja e kufirit njerëzor, humbja e dinjitetit dhe sagat e zakonshme të realitetit mediatik modern. Të njëjtat mekanizma që shohim në reality show, që përjetojmë në rrjete sociale, që bashkëjetojmë çdo ditë nën petkun e fjalës “audiencë”. Filmi të ngre vetëvetiu pyetjen: Deri ku na çon kjo?

Një nga skenat simbolike është ajo e përsëritur ku Ariusi i jep ushqim qenit të tij, ndërkohë që personazhet “hanë veten”, kërkojnë ilaçe për të qëndruar të funksionueshëm dhe poshtërohen për hir të lojës. Pyetja është e pashmangshme: nëse nuk ushqehet qeni, a e han të zotin? Po këta personazhe, çfarë bëjnë kur uria e tyre për vëmendje dhe shpëtim arrin kufirin?

Ariusi, i luajtur nga Hysko, përshkruhet përmes një degradimi të pandalshëm. Ai nis si një figurë e keqe, dhe kalon në një nivel të frikshëm: një sociopat që zhytet në psikopati të qetë, të akullt, të drejtueshme vetëm nga egoja dhe lakmia. Ky regres i tij i ngjan një rrënimi nga brenda, i ngjan udhëtimeve të errëta të personazheve të Kafkës.

Një nga momentet vizualisht më të goditura është “Darka e Fundit”, një rikrijim i qartë i kompozimit të Da Vinçit. Dymbëdhjetë personazhe në një tavolinë, Ariusi në qendër si një Krisht ironik, ndërsa mungesa e Judës diskutohet mes tyre si shaka. Por filmi nuk jep përgjigje: Juda duhet të jetë diku. Dhe është pikërisht kjo pasiguri që e shton tensionin në formë brilante, sepse nuk mund të ketë “Darkë të fundit” pa trembëdhjetë! A ka ndër mend diçka regjisori për këtë?!

Një tjetër moment që bën kthesën është akti ku Fredit i përdoret dobësia kundër, është një pikë kulmore. Sapo konkurrentët kuptojnë se ka një pikë të brishtë, djalin, të gjithë shndërrohen në një trup të vetëm sulmues. Një metaforë therëse për mënyrën si shoqëria moderne përdor dobësitë e të tjerëve për të fituar avantazh, për t’i eliminuar ose për t’i përdorur. Dhe në këtë moment ndodh një transformim i papritur, një metamorfozë kafkiane që e kthen realitetin e filmit në një “plot twist” të befasishëm.

Finalja e filmit ndjek fatin e pashmangshëm të tragjedive të mëdha botërore: secili paguan çmimin e asaj që ka krijuar. Nuk ka shfajësim, nuk ka liri magjike, nuk ka dritë në fund të tunelit, por ka drejtësi narrative.

“Kazerma” qëndron si një film që nuk vjen i shoqëruar me promocione dhe sponsorizime çdo tre minuta. Një projekt që merr guximin të mbështetet vetëm te forca e vet kinematografike përgjatë të gjithë minutazhit të tij. Turi, si regjisor, ka ngritur jo vetëm një film, por një brand origjinal, një univers që mund të zgjerohet, të diskutohet dhe të analizojë shoqërinë tonë në mënyrë më të thellë sesa shumë formate të zhurmshme që dominojnë ekranet.

Një film që vendos shoqërinë përballë vetes. Një pasqyrë e ashpër, një kritikë brilante e spektaklit modern, një kurth estetik që të fton ta shohësh… dhe pastaj të mos jesh më i njëjti.

Në një peizazh kinematografik shqiptar ku shpesh mungon guximi për të sfiduar temat sociale dhe për të dekonstruktuar mekanizmat e manipulimit modern, Kazerma vjen si një përmbysje e plotë e pritshmërive. Filmi jo vetëm arrin të ndërtojë një univers artistik origjinal dhe të frikshëm në thelbin e së vërtetës, por e çon audiencën në një zhytje të thellë psikologjike që rrallë është realizuar me kaq saktësi dhe kurajo në Shqipëri.

Vendi i tij si një ndër prodhimet më të mira të deritanishme buron nga disa elementë thelbësorë: vizioni i pakompromis i regjisorit, interpretimet tronditëse të aktorëve, qasja simbolike ndaj fenomenit të reality show-ve, manipulimit masiv, si dhe aftësia për të krijuar tension dramatik pa humbur qartësinë artistike. “Kazerma” është një film që nuk ngjan me asgjë që është bërë më parë, i papërkulur, i zhveshur nga artificet, brutal në sinqeritetin e tij. Ai denoncon, paralajmëron dhe vendos pasqyrën përballë publikut pa frikë se çfarë do të shohë. Për këtë arsye, ky film meriton të shihet nga të gjithë, sepse nuk ofron thjesht argëtim, por një eksperiencë të plotë kinematografike, një reflektim të domosdoshëm mbi kohën ku jetojmë dhe mbi mekanizmat që na drejtojnë shpesh pa vetëdije.

“Kazerma” nuk është një film që shihet, është një eksperiencë që përjetohet.