Nisem për në studion e Erxhano Rexhepit, ose siç e njohin gjithë të apasionuarit pas tatuazheve, Xhani Tattoo. Nuk është hera e parë që shkoj. Prej vitesh bëj tatuazhe tek Xhani dhe megjithatë, çdo herë që i afrohem studios së tij, kam të njëjtën ndjesi si herën e parë, një përzierje emocionesh dhe një lloj kurioziteti. Sepse e di që nuk do të dal thjesht me një tatuazh të ri, por me një histori tjetër mbi lëkurë.
Dera hapet dhe të përfshin vala e atmosferës së studios. Nëse keni menduar se vendet ku bëhen tatuazhe, janë të mbushura me njerëz hije-rënde, që do të bëjnë skandalin e parë që mund t’u vijë ndër mend, e keni menduar gabim! Tek Xhani gjithnjë gjen njerëzit më karizmatik dhe artistik të mundshëm çdo herë, të cilët hedhin dhe presin batuta. Diku në sfond makina e tatuazhit gumëzhin si një insekt i durueshëm. Në qoshe, skica të varura në mur, disa të përfunduara, disa gjysmë-ide, sikur presin trupin e duhur për të marrë jetë. Xhani më përshëndet gjithnjë me ndonjë shprehje epike, pa e ndalur dorën. Është i përqendruar, por gjithmonë i pranishëm edhe për vizitorët.
Në mes të studios, një vajzë qëndron me kurriz nga unë. E gjithë shpina e saj është kthyer në një skenë epike, një dragua gjigant, që përdridhet nga shpatullat deri poshtë shpinës, me luspa që shkëlqejnë mes dritës dhe hijes. Duket sikur po del nga lëkura, sikur frymon ndërkohë që ajo leviz. E shikoj për disa sekonda pa folur.
“Të dhemb?” – e pyes më në fund, pothuajse instinktivisht.
Ajo buzëqesh lehtë, pa kthyer kokën. “Po.” – thotë. – “Por është punë shumë e bukur. Do ta kem gjithë jetën time aty. Ia vlen. Do e bëja prap.”
Xhani qesh dhe ia pret me një batutë tipike, diçka mes humorit dhe inkurajimit. Vajza qesh sërish. Dhimbja mbetet aty, por nuk është protagoniste. Protagonist është tatuazhi dhe sigurisht humori.

Ndërsa pres radhën time, më lind ideja të bëj një shkrim mbi tatuazhet më të veçanta që mund të ketë bërë Xhani përgjatë vitit të fundit. Nis të shoh profilin e tij të instagramit ku publikon punët e kryera dhe shikimi shkon nga një foto, tek një tjetë,r klient që kanë përfunduar një sleeve. Fyte të ndara nga maska oni, shikime që të përndjekin, ngjyra të kuqe të thella që përplasen me të zezat e dendura. Në një krah tjetër, një portret burrash të moshuar, me rrudha të thella dhe sy që mbajnë histori lufte, humbjeje, krenarie. Janë tatuazhe që nuk i sheh dhe i harron. Të ndjekin!
Ulem pranë Xhanit dhe e pyes, pothuajse si një lojë:
“Nëse do të duhej të zgjidhje disa nga tatuazhet më të veçanta që ke bërë gjatë vitit 2025, cilat do të ishin?”
Ai ndalon për një çast, shikon përpara, sikur po radhit mendimet. “Është e vështirë,” – thotë. Dhe e besoj. Sepse për të, çdo tatuazh është një marrëdhënie më vete.
Më tregon për një sleeve ku realizmi ekstrem ndërthuret me elemente japoneze. Maska oni nuk është thjesht simbol, është dualiteti i njeriut. E bukura dhe e frikshmja, e qeta dhe agresivja, bashkë në të njëjtën fytyrë. Më tregon për një tjetër punë ku teknologjia dhe njeriu shkrihen, fytyra femërore, kabllo, drita neon rozë dhe blu, fjalë si “Game Over” apo “Future”, që flasin për identitetin në epokën digjitale. “Nuk është thjesht estetikë,” – më thotë, – “është ajo që po jetojmë dhe ajo çfarë më frymëzon.”
Pastaj ndalemi tek portretet. Aty ku çdo rrudhë, çdo reflektim drite, kërkon durim ekstrem. “Portreti nuk fal,” – thotë Xhani. – “Nëse gabon, duket menjëherë.” Dhe pikërisht këtu kupton pse punët e tij kanë korrur çmime dhe vlerësime kombëtare e ndërkombëtare. Sepse nuk mjafton teknika. Duhet ndjeshmëri.
Ndërsa flasim, e kuptoj se ajo që e bën Xhanin të veçantë nuk është vetëm stili, por mënyra si e sheh tatuazhin. Për të, lëkura nuk është thjesht sipërfaqe. Është hapësirë narrative. Çdo trup ka ritmin e vet, çdo muskul kërkon një drejtim, çdo histori një kompozim të ri.
Kur vjen momenti të flasim për tatuazhin tim, i them përherë: “Bëje si të duash.” Ai më shikon, buzëqesh lehtë. E di që kjo është kërkesa më e vështirë, por edhe më e bukura për një artist.
Dhe në atë çast, mes zhurmës së makinës, batutave, dhimbjes që herë pas here shfaqet, kuptoj pse çdo herë që dal nga kjo studio, kam ndjesinë se kam bërë tatuazhin tim të preferuar. Sepse stili i Xhani Tattoo nuk qëndron kurrë në vend. Ai rritet, ndryshon, thellohet. Dhe ti, pa e kuptuar, bëhesh pjesë e kësaj rritjeje.
Kur largohem, duke e parë tatuazhin e përfunduar, di vetëm një gjë, kjo nuk ishte thjesht një vizitë në studio. Ishte edhe një herë, tjetër dëshmi se kur arti bëhet me shpirt, lëkura nuk është fundi i tij, është fillimi i historisë dhe ashtu si tempujt dhe trupi ‘pikturohet’ në mënyrën e tij.

